Hekurudhat jugosllave në kilometrin e trembëdhjetë

Dhe po të mos e dija se ky ishte vend krimesh, të cilat mendja e shëndoshë e njeriut vështirë se mund t’i kuptojë, do të mendoja se ky vend është ideal për piknik. Muret e kishës së vjetër të mbuluara me bar e barishte të këqija plot erë. E gjithë sipërfaqja ishte si një qilim i gjelbër prej nenexhiku t’egër, dhe bimësh të tjera që mbanin një erë aq të mirë. Nga të dyja anët rridhnin dy përrocka të vogla. Ujë kishte me bollëk, rrëzë shpateve të grykës ishin rritur pisha. Natyra ishte në petkun e saj më të mirë.

0
1264

Për të gjitha ekziston hera e parë. Kështu për të parën herë isha në Vozući, dhe për herë të parë në Zavidovići. Po ashtu për herë herë të parë udhëtova nëpër grykën e lumit Gostović dhe për herë të parë në jetën time kalova natën në Doboj.

Imazhet e mia mendore për Dobojin e paraluftës u përmblodhën në një nyje të madhe të hekurudhave jugosllave, emri dhe ekzistenca e të cilit u zhvendos në fiksion dhe përgjithmonë do të më kujtojnë atë orar udhëtimi, të cilin e shkroi Eduard Sam, alter egoja i babait të Kishit, i cili u zhduk në tymin e Aushvicit. 

Për herë të fundit në Doboj isha në stacionin hekurudhor saktësisht më 15.4.1992. E mbaj mend datën sepse një ditë më parë qe ditëlindja ime e njëzet e dytë kur vendosa të braktis studimet në Zagreb dhe të kthehem në Bosnje dhe Hercegovinë. Lufta në Kroaci ishte në fazën e përfundimit. E dija që makineria luftarake do të zhvendosej në republikën time, e cila së shpejti do të bëhej shtet i pavarur. Deri atëherë kurrë nuk kisha jetuar në Bosnje, porse e ndieja dhe konsideroja se po jetoja në Jugosllavi. Përkatësia ime bosnjake ishte tejkaluar me jugosllavizmin transnacional. Unë isha jugosllav, ashtu kam jetuar dhe ashtu ndihesha thellë në veten time. 

Atë herë të fundit në Doboj isha çifut në geton e ndonjë qyteti gjerman, i cili po priste që të vinin dhe ta kapnin. Nëpër stacionin hekurudhor ecnin rezervistë të dehur të veshur me uniforma kamuflazhe të njësive speciale të tashmë ish-APJ-së. Nuk do ta harroj kurrë skenën kur një nga rezervistët godet me shuplakë të hapur mbi kapelën e dikujt që mund të ishte dispeçer trenash. Ishte e qartë se ai person e kishte emrin dhe mbiemrin e gabuar dhe ka rastisur të jetë në vendin e gabuar në kohën e gabuar. U mblodha kruspull në ulësen e drurit dhe prisja trenin Bosna Ekspres, me të cilin duhej të vija deri në Bosanski Novi, dhe më tej me trenin motorik deri në Bosanska Krupë. Iu luta të gjithë zotërave të mundshëm që personi i dehur në uniformë të mos vijë deri tek unë dhe të mos m’i kërkoj dokumentet, sepse edhe unë, sikurse dispeçeri i trenave, e kisha emrin dhe mbiemrin e gabuar. Në atë kohë secili vend dhe secila kohë u bënë të gabuara, përveç mjediseve njëkombëshe, të cilat atëherë nuk i quanim ashtu. 

Rezervisti i dehur më anashkaloi, dhe mbërrita në Bosanska Krupë pas një udhëtimi gjithëditor. Pas asaj dite trenat nuk qarkulluan më në atë linjë. Hekurudhat e Jugosllavisë pushuan së ekzistuari dhe u bartën në kujtesën tonë, u bënë fakte fiktive, material për roman mbi dëshirën e zjarrtë për kthim në një jetë normale. 

Herën e dytë në Doboj erdha si shkrimtar, gazetar, veteran i luftës, mik i CNA (Qendra për veprim jo të dhunshëm, Sarajevë-Beograd), për një takim tjetër të radhës të veteranëve të të gjitha ushtrive, të të gjitha luftërave në të cilat u zhduk orari i udhëtimit i hekurudhave jugosllave, dhe u tërhoq thellë në kujtime, prej nga askush asnjëherë nuk do të mund ta nxjerr më. 

Si gjithnjë në takime të veteranëve, që i organizon CNA, pashë fytyra të vjetra, të njohura e të dashura, dhe fytyra të reja. Doboji ishte i pastër dhe me infrastrukturë të rregulluar. Rrugët e gjera, të gjata ishin të mbushura me turmë verore, dukej se këtu as që kishte pasur luftë ndonjëherë. 

Mandej bëmë një udhëtim gjithëditor nëpër fushëbeteja dhe aty ku ka pasur viktima, ku kanë luftuar tri ushtri, dhe ku kanë pësuar pjesëtarë të të tre popujve. 

Së pari e vizituam Kuotën 715. Fushëbetejë e njohur në zonën Vozuće, e cila tërë kohën ka qenë në lajme të Radio Sarajevës, të cilën ne në Qarkun e Bihaqit e dëgjonim ashtu që radion e kyçnim në baterinë e automjeteve. Na Kuotën 715, në këtë hapësirë të vogël prej disa mijëra metra katrorë, pothuajse katër vite janë zhvilluar beteja të ashpra dhe brutale në të cilat janë vrarë me qindra luftëtarë të Armatës së BeH dhe të  Ushtrisë së Republikës Serbe (VRS). Ajo është hapësirë miniaturale në të cilën mund të imagjinoja fuqinë e sulmeve artilerike dhe ashpërsinë e luftës fytafyt. Para se të ngjiteshim në majën e Kuotës 715 pashë përmendoren e njësive partizane, brigadës së I dhe II dalmatine, të cilat, siç shkruan në përmendoren e renovuar, në atë vend i kanë shpartalluar pjesëtarët e divizionit kroat 369 (në përbërje të Wermacht-it), të njohur si Divizioni i Djallit.

Nga Kuota 715 shihet gjysma e Bosnjes, nga Vlašić-i deri tek tymtarët e termoelektranës së Tuzllës. Në secilën luftë këtu janë zhvilluar betejat vendimtare, tani kjo është vetëm një kodër e zakonshme në të cilën fryen një puhi e këndshme.  Dhe në të cilën, mes veteranëve të ushtrive tjera, ngjiten luftëtarët e Armatës së BeH dhe VRS-së për t’iu bërë homazhe bashkëluftëtarëve të rënë. 

Në atë vend, një pjesëtar i VRS-së, dhe rob lufte i Armatës së BeH, i cili, ashtu siç e tha vetë, i kaloi shtatë muaj nëpër burgjet e Armatës së BeH-së, kurse në qeli i kaloi 179 dana, tregonte se si në një burg ishte me një emër musliman, sepse për inspeksion në llogor vinin përfaqësuesit e Kryqit të Kuq apo organizata të ngjashme. Aty ishte së bashku me të burgosurit boshnjakë. Dhe për të parën herë aty pas shumë kohësh e ka ndierë shijen e kafesë. Të ndaluarit ia përcollën pak kafe të përzier me sheqer, e këtë e kishin vendosur në celofan të pakos së cigareve. Njeriu i cili po na e tregonte këtë pastaj e ka lëpirë këtë përzierje të kafes dhe sheqerit. Kështu e kishte «pirë» kafen e tij të parë pas ditëve të shumta të kaluara në qeli.

Pastaj shkuam të vendosim kurora në përmendoren qendrore të luftëtarëve të rënë të  Armatës së BeH-së, në lokacionin në qendër të Zavidović-it. Shifra prej më shumë se  1.000 të vrarësh të Armatës së BeH-së dëshmon për përmasat pothuajse epike të betejës në Kuotën 715 dhe kuotat tjera të fushëbetejës së Vozuć-it. Për luftën e thatë për mbijetesë, ku zbrapsja nuk ishte opsion. 

Pas kësaj e vizituam të ashtuquajturin kilometrin e 13. Në atë vend, në grykën e lumit Gostović, në zemrën e natyrës e cila e tregonte tërë begatinë e saj, gjendej kampi i pjesëtarëve të aradhës El Mudžahid, të ashtuquajturit muxhahedinë, luftëtarëve nga vendet arabe. Në atë vend gjenden themelet e një tempulli të vjetër ortodoks, dhe pikërisht aty muxhahedinët mbanin robërit e VRS-së. Aty kanë kryer krime monstruoze, u kanë këputur kokat ushtarëve serbë të zënë rob, i kanë torturuar në shumë mënyra. Ajo çka më fascinoi ishte bukuria e natyrës. 

Dhe po të mos e dija se ky ishte vend krimesh, të cilat mendja e shëndoshë e njeriut vështirë se mund t’i kuptojë, do të mendoja se ky vend është ideal për piknik. Muret e kishës së vjetër të mbuluara me bar e barishte të këqija plot erë. E gjithë sipërfaqja ishte si një qilim i gjelbër prej nenexhiku t’egër, dhe bimësh të tjera që mbanin një erë aq të mirë. Nga të dyja anët rridhnin dy përrocka të vogla. Ujë kishte me bollëk, rrëzë shpateve të grykës ishin rritur pisha. Natyra ishte në petkun e saj më të mirë.

Për një moment mendova se si fuqitë e mistershme të natyrës e kanë mbuluar këtë vend me nenexhik të egër ashtu që me aromën e saj qetësuese të përpiqeshin ta shërojnë këtë vend nga e kaluara tragjike dhe jonjerëzore. Për një moment natyra ia doli të mposhtë të keqen njerëzore. Ajo është më e fuqishme se çdo dhunë ndaj jetës së njeriut, e cila duhet mbajtur mend. Në veçanti të mbahen mend ata që janë torturuar në mënyrë mizore dhe janë vrarë pikërisht në këtë vend. 

Siç ndodh shpesh në Bosnje, natyra e saj e bukur është në kontrast absolut kundrejt ngjarjeve të tmerrshme të cilat në këtë vend janë me bollëk. Vetëm mirësia njerëzore dhe mëshira, empatia për vuajtjen e tjetrit mund ta shpëtojë këtë vend nga gjakderdhje të reja. Ashtu siç po e shpëton natyra me bukurinë e saj shëruese. 

(Shënim: Ky tekst është botuar fillimisht në gazetën ditore “Oslobođenje”)