Hiqen barrikadat në veri

0
137

Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Sipas informacioneve nga terreni, barrikadat janë larguar edhe në Mitrovicë të Veriut.

Barrikadat janë hequr nga rrugët edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Te barrikada në Rudarë dhe tek ajo në Mitrovicë të Veriut janë parë njerëz me maska.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.

Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit me gazetarë.

Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.

Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se “diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”.

Ai përshëndeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në një postim në Twitter.

“Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”, shtoi Borrell.

Ai, po ashtu, lavdëroi punën e BE-së, SHBA-së dhe KFOR-it lidhur me këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thanë më 28 dhjetor se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

Ndryshe, gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut, janë djegur. Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar.

Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.

Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër ishte vendosur në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, në Merdare.

Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbia vendosi në gatishmëri ushtrinë, si dhe rriti prezencën ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan vazhdimisht largimin e barrikadave, si dhe respektimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Çfarë u parapriu tensioneve në veri?

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua muajve të fundit për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronimin KM si dhe akronime tjera PR, GL, PE etj., të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi u kundërshtua nga serbët lokalë, si dhe nga Beogradi zyrtar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës ishte e vendosur për zbatimin e këtij vendimi me gjithë faktin se komuniteti ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, kërkonte më shumë kohë.

Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për riregjistrim të veturave me targa ilegale, institucionet e Kosovës, suspenduan nga puna drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Pas suspendimit të drejtorit Gjuriq, Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, njoftoi për largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, deri në rikthimin e tij në punë si dhe, siç tha kryetari i saj, Goran Rakiq, deri në respektimin e të gjitha marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës, përfshirë formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në javët që pasuan dorëheqje dhanë zyrtarët serbë të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror.

Derisa komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar rikthimin e serbëve nëpër institucione, zyrtarë të Qeverisë përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë se kthimi i tyre nuk mund të jetë çështje politike, duke shtuar se është çështje ligjore e kushtetuese.

(evropaelire.org, 29/12/2022)