Historia në një formë tjetër

Shumë popuj të zhvilluar perëndimor historia i bashkon, vetëm ne këtu në Kosovë dhe në regjion e njëjta histori po na ndanë. Ndoshta ky është fryt i mosnjohjes së lëndës nga ana jonë apo qasjes së gabuar, është e njëjtë, por produktin e kemi ndierë disa herë në lëkurën tonë. Të gjithë ne që në çfarëdo mënyre jemi të lidhur me zanatin e historianit duhet të jemi të vetëdijshëm se në duart dhe kokat tona e kemi edhe armën dhe mjetin e pajtimit, vetëm na mbetet neve, njerëzve të këtij profesioni, të zgjedhim se çfarë qëllimi do t’i japim historisë dhe në çfarë mënyre do t’u flasim për të nxënësve tanë.

0
1159

Para disa ditësh, organizuar nga New Perspektiva, u zhvillua një debat me temën e mësimdhënies shumë-perspektivëshe të historisë nëpër shkolla. Mora pjesë si dikush që historinë e ka profesion por edhe si dikush që aktualisht është në sistemin arsimor, e për këtë është mirë i informuar për vetë procesin e mësimdhënies. Së bashku me disa kolegë nga komuna jonë, isha një nga të rrallët që ju përgjigjëm ftesës për pjesëmarrje. Edhe pse mori pjesë një numër relativisht i vogël i kolegëve, megjithatë pati mundësi që për temën e përmendur të dëgjohet edhe një qëndrim tjetër nga ai që është i pranuar e që aktualisht po zbatohet në sistemin arsimor. Natyrisht, në debat u paraqitën qëndrime tejet konstruktive dhe gatishmëri që për këtë temë të bisedohet edhe në një tryezë të rrumbullakët eventuale me kolegët shqiptar, ashtu që të shohim ku janë dallimet dhe deri në ç’masë ato mund të tejkalohen në mënyrë që të arrihet pikërisht ajo që edhe ishte tema e debatit. 

I tërë projekti është hartuar në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës në lidhje me mësimdhënien e historisë në shkollat fillore dhe të mesme pikërisht për arsye se po vërehet që në Kosovë situata është mjaft specifike në këtë aspekt sepse ekzistojnë dy sisteme paralele arsimore të cilat në planet dhe programet e tyre trajtojnë në mënyrë tërësisht të ndryshme temat e historisë, e me këtë edhe ua prezantojnë nxënësve në mënyra të ndryshme. Si problem themelor u identifikua këndvështrimi i ndryshëm për ngjarjet nga historia të cilat populli serb dhe shqiptar nuk i trajtojnë në mënyrë të njëjtë sepse në të kundërtën kjo do të prishte themelet mbi të cilat bazohen politikat nacionale të të dy popujve. Vetë problematika e studimit të historisë është ndoshta problem edhe më i madh se sa vetë historia si materie, sepse një ngjarje e prezantuar në dy mënyra të ndryshme mund të përdoret si rrënjë  e ndonjë konflikti të ardhshëm por edhe si shkas eventual për afrimin e dy popujve. Mes tjerash, na takon neve që punojmë në arsim që të zgjedhim se çfarë qasje do të kemi për tema të caktuara, e pikërisht nga kjo varet se në çka do të fillojnë të besojnë nxënësit pas orës mësimore. 

Duke pasur parasysh të gjitha këto, gjatë debatit të përmendur u përpoqëm që me materialin të cili e kishte përgatitur njëri nga pjesëmarrësit e debatit, zoti Shkëlzen Gashi, të mundohemi t’i krahasojmë dy qasje, atë serbe dhe atë shqiptare, ndaj temave të njëjta të historisë. Derisa nga njëra anë kemi mohim të krimeve, nga ana tjetër kemi teprime gjatë theksimit të të njëjtëve, me këtë nuk mendoj në vetë krimin, porse në teprimin eventual me shifra. Në fund të fundit, edhe njëra edhe pala tjetër, do të thosha, i ikin ballafaqimit me faktet historike që janë aty dhe si të tilla duhet të trajtohen si diçka që duhet patjetër të jetë bazë e tërë asaj që duam të dimë nga historia. Nganjëherë është më se e nevojshme të theksohet se historia nuk mësohet, dhe nuk studiohet; historia thjesht duhet të dihet dhe si e tillë shërben si vërejtje apo nxitje për veprime të mëtutjeshme. Por, ashtu siç kam thënë disa herë nëpër blogjet e mia, e këtë e theksova edhe në debatin e lartëpërmendur, historia e interpretuar gabimisht mund të jetë një nga armët më të rrezikshme dhe si e tillë duhet të trajtohet vetëm me profesionalizëm dhe me baza të argumentuara; të gjitha të tjerat janë tejet të papranueshme dhe të rrezikshme. Për të gjitha këto duhet të jemi të vetdijshëm pikërisht ne sepse, si askund tjetër, këtu në Kosovë historia është diçka që mund të jetë bazë për konflikt, apo për pajtim. Na takon neve që të zgjedhim se cilën rrugë do të zgjedhim.

Inkurajon fakti se ekziston gatishmëria për të biseduar për këtë temë në nivelin profesional; me këtë nuk dëshiroj që veten ta vendos në plan të parë, edhepse do të kisha qenë i gatshëm edhe për atë hap, nëse edhe pala tjetër do të hynte në atë proces me po aq sinqeritet sikurse unë. Por e tërë kjo duhet të rregullohet ashtu që të përfaqësojë një proces më të gjerë shoqëror, i cili, ngadalë, por sigurt, do të sjellë tek ajo që historia në hapësirat tona të trajtohet në mënyrë neutrale dhe të paanshme, dhe absolutisht e privuar nga ndikimi politik i cili edhe solli deri në një gjendje të këtillë. Shumë popuj të zhvilluar perëndimor historia i bashkon, vetëm ne këtu në Kosovë dhe në regjion e njëjta histori po na ndanë. Ndoshta kjo është fryt i mosnjohjes së lëndës nga ana jonë apo qasjes së gabuar, është e njëjtë, por produktin e kemi ndierë disa herë në lëkurën tonë. Të gjithë ne që në çfarëdo mënyre jemi të lidhur me zanatin e historianit duhet të jemi të vetëdijshëm se në duart dhe kokat tona e kemi edhe armën dhe mjetin e pajtimit, vetëm na mbetet neve, njerëzve të këtij profesioni, të zgjedhim se çfarë qëllimi do t’i japim historisë dhe në çfarë mënyre do t’u flasim për të nxënësve tanë. i Asnjëherë si tani nuk është më e nevojshme që të theksojmë se historia është megjithatë mësuesja e jetës, e a jemi ne nxënës të mirë, kjo mbetet të shihet atëherë kur në skenë të dalin pikërisht ata të cilët të gjitha njohuritë e tyre për historinë i kanë marrë pikërisht prej nesh.