I ballafaquar me peripecitë që i sjell jeta në Kosovë, kam qenë i detyruar të largohem nga vendi im i dashur dhe të përpiqem që të gjej veten në ndonjë botë tjetër, midis njerëzve të panjohur.
Të mbetesha në Kosovë për mua do të thoshte të jetoja jetën në mënyrë të krisur. Për mua, si edhe për një numër shumë të madh të të rinjve që nuk u është dhënë rasti, ekzistenca është vënë në pikëpyetje. Shtrohet pyetja përse njeriu të përpiqet të mbetet, a ia vlen të hargjojë rininë duke luftuar thjeshtë për një mbijetesë në këto hapësira?
Sot në Kosovë, për fatkeqësinë shumë të madhe të të gjithë banorëve të saj, mbretërojnë papunësi e madhe, skamje, barriera etnike dhe politike. Firmat që kanë mbetur të bëjnë biznes e ende janë likuide mund të numërohen në gishtërinjtë e njërës dorë. Institucionet shtetërore janë përplot me nepotizëm, i kanë zënë gjysmanalfabetë e analfabetë të cilët më duhet t’i quaj parazitë prepotent që për shkak të gjërave materiale janë në gjendje të bëjnë dhe të ndryshojnë gjithçka, madje edhe bazën e qenies së tyre. Politikanët kanë qasje dhe ambicie të tilla që arrijnë ekskluzivisht deri tek krijimi vetëm i ardhmërisë së tyre. Morali është prishur qëmoti dhe askush nuk përpiqet ta kthejë, t’i kthej kësaj mase bile sadopak respekt. Aktivitete kulturore apo sportive pothuajse nuk ekzistojnë; e tëra përmblidhet në disa ndeshje të ekipeve lokale që kanë shumë pak spektatorë, disa shfaqje, normalisht në nivel vjetor. Si duket ende nuk jemi të gatshëm që të „civilizohemi“ apo thjesht nuk e kemi qëllim që të përparojmë. Pasojat e të gjitha këtyre që u përmendën më lartë janë largimi i të rinjve, madje edhe familjeve të tëra përtej kufirit, duke kërkuar jetë më të mirë, sepse thjesht këtu nuk ekziston alternativa, nuk i është ofruar këtij populli të përvuajtur.
Në vendin ku pati ngjarje të luftës, vuajtje dhe dëbime jo shumë kohë më parë, zuri vend situata e mjerueshme ekonomike, papunësia dhe prapë një numër i madh i njerëzve është i detyruar të emigrojë, zakonisht në vendet perëndimore. Lajmet që raste të pashpresë po nisen, me fëmijë, masivisht në këmbë, po kalojnë ilegalisht kufijtë “për të kërkuar kafshatën e bukës” mund t’i shohim ditëve të fundit në të gjitha mediat. Fshatra të tëra janë pothuajse të boshatisura. Emigrantët i eskpozohen manipulimeve të ndryshme, kalojnë nëpër krajata jetësore vetëm e vetëm që të marrin azil në ndonjë shtet i cili mbase ofron një të ardhme më të mirë. Lajmi se “Shpërngulja nga Kosova nuk po pakësohet, kurse numri i atyre që në këmbë po përpiqen të arrijnë në Evropë po rritet nga dita në ditë” e përshkoi tërë rajonin. Në këtë rast mendohet për pjesën shqiptare të popullatës, edhepse situata nuk është asgjë më e mirë as tek popullata serbe.
Në “Veri” prej nga jam unë, nuk ka largime të organizuara përtej kufirit siç është rasti në disa qytete më të mëdha si Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, ku njerëzit me autobusë në mënyrë masive po i lëshojnë vatrat e tyre. Mirëpo, unë nuk do të minimizoja as numrin e të rinjve nga “Veriu” të cilët të rraskapitur dhe të pangushëlluar u larguan nga shtëpitë e tyre. Në këtë apo në atë mënyrë populli po largohet, e ende askush nuk e ka marrë këtë çështje me seriozitet. A do të dalë dikush t’i japë fund këtij emigracioni, a do të gjejë dikush ndonjë zgjidhje?
Lajmëtari i jetës është ngulfatur me marifete politike. Rinia po venitet, rinia po largohet përtej kufiri, rinia këtu po zhduket.