Ish-banorët e “kampeve të turpit” duan kompensim nga OKB

Shkelja e të drejtave të njeriut në rastin e qindra romëve në Kosovë dhe refuzimi për të marrë përgjegjësi ka vënë pikëpyetje në premtimet e OKB-së për ta mbajtur llogaridhënëse vetë organizatën.

0
1276

Vjollca Hajrizi tregon tri palë raporte të analizave mjekësore të fëmijëve të saj, të bëra  brenda tetë muajve të fundit. Data janë të ndryshme, por vlerat janë të njëjta. Sasia e plumbit në gjak është ende e lartë. “Te dy të tjerët nuk po vërej ndonjë problem. Te i vogli po. Këtij po i dhembin këmbët dhe koka,” rrëfen ajo. Vjollca është një nga banorët që nga vitet 1999 deri në 2010 ka jetuar në kampet me nivel të lartë të kontaminimit të plumbit në Zhitkovc e pastaj Osterode, në veri të Kosovës. I shoqi i saj së bashku me 138 banorë të tjerë në vitin 2005 deponuan një ankesë në adresë të Avokatit të Popullit dhe misionit të OKB-së në Kosovë,(UNMIK), ku ankoheshin për kushte çnjerëzore në këto kampe dhe për pasojat në jetën dhe shëndetin e tyre për shkak të helmimit nga plumbi.

Rreth dy dekada më parë, afër 800 romë jetonin kryesisht në jug të Mitrovicës, qytetit verior të Kosovës. Në qershor 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë kur ndërhyrja e NATO-s i dha fund regjimit të Serbisë, kishte një valë të dhunës kundër tyre, duke i parë si “bashkëpunëtorë të serbëve”. Nën frikën e hakmarrjes ata kaluan përtej urës në pjesën veriore të qytetit. Në një raport të vitit 2009 organizata Human Rights Watch tha se trupat paqeruajtëse të KFOR-it nuk ndalën sulmet ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë UNHCR, që ndihmonte këta banorë në atë kohë nuk gjeti vend më të mirë se strehimi në kampet afër grumbujve të mbetjeve toksike të minierës së Trepçës dhe një tjetër në Leposaviq.

Një dekadë papërgjegjësie

Në vitin  2004, Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve dhe Human Rights Watch nxorën në dritë rastet e fëmijëve me simptoma të lidhura me helmimin nga plumbi, shenja ankthi, mospërqëndrim, vështirësi në mësim, dhimbje koke, çorientim, konvulsione dhe tension të lartë.

“Deri vonë nuk e dinim çka po ndodhë. Pas diku pesë vitesh u pa që e kemi për shkak të plumbit”, thotë Vjollca.

Në të njëjtën kohë UNMIK-u dhe disa organizata të tjera po planifikonin zhvendosjen e familjeve nga Zhitkovci në kampin tjetër Çesmin Llug. Por shumica e banorëve refuzonin ngase nuk shihnin ndonjë arsye për të lëvizur në një kamp me kushte të njëjta, vetëm 150 metra tutje. Më vonë, jo larg, u krijua edhe një kamp tjetër, Osterode. Derisa zhvendosja po zvarritej nëpër vite, Avokati i Popullit gjeti shkelje në mënyrën se si këta banorë kosovarë të zhvendosur nga lufta u lanë për vite në këtë gjendje.

Në vitin 2006 OKB themeloi një Panel për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut.  Pasi kishte hetuar  gjendjen, në një raport të fundvitit 2007, ky Panel konstatonte  se janë shkelur  të drejtat e njeriut dhe përgjegjës  direkt e bënte misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK. Por saga e tyre vazhdoi edhe pasi vendi shpalli pavarësinë. Në një letër  të vitit 2008 drejtuar qeverisë së Kosovës së cilës i kërkonte zhvendosjen e tyre, Avokati i Popullit tregonte se hetimet kanë gjetur se helmimi ka prekur jo vetëm jetën dhe shëndetin e tyre, por edhe gjendjen fizike e mentale të zhvillimit të brezave të rriturve dhe fëmijëve.

“Është tepër dekurajuese që rastet kur shkeljet vijnë nga një promotor i fuqishëm i të drejtave të njeriut siç është OKB dhe për to nuk mban përgjegjësi vetë OKB”, thotë Avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, i cili më herët kishte punuar në këtë dosje.

Në vitin 2010, një donacion prej 5 milionë euro i Bashkimit Evropian mundësoi zhvendosjen e plotë të tyre. Po atë vit për shkak të gjendjes ekonomike Vjollca së bashku me burrin dhe fëmijët u larguan për në Gjermani. Tri vite më vonë ata u deportuan për në Kosovë duke u vendosur në Lagjen e Romëve, aty ku kishin jetuar para vitit 1999. Por, Vjollca ka vazhduar të jetojë në kushte të rënda.

“Mbijetoj duke mbledhë kanaqe me burrin e fëmijët. Një shtëpi na e kanë ndërtuar më larg plumbit, por jeta është e njëjtë”, thotë ajo.

Vjollca është në dijeni për shumë raporte që sinjalizonin për gjendjen alarmante të mbi 400 personave që jetuan në këto kampe, përfshirë edhe atë që gjente fajtor misionin e OKB-së. Ajo nuk ka dëgjuar për vendimin e sekretarit gjeneral të OKB-së, Antonio Guterres për fondin prej 5 milionë eurosh që do ta menaxhojë misioni UNMIK në Kosovë, por thotë se do të duhej të kompensoheshin si familje.

“Pres që këta të mos na harrojnë, për hir të fëmijëve të paktën. Do të duhej të na paguanin diçka për fëmijët e sëmurë”, thotë ajo.

Kjo grua rome në të 40-at, ka lindur 3 fëmijë gjatë viteve të jetës në kamp. Tetëdhjetë e pesë (85) persona, sipas Qendrës Evropiane për të Drejtat e Romëve, vdiqën gjatë një dekade në këtë kamp si pasojë e neglizhencës së UNMIK-ut. Ajo vazhdon të jetojë në betejë me një varfëri të thellë, si shumica e anëtarëve të këtij komuniteti të margjinalizuar. Deri më tani ajo nuk gjeti drejtësi.

Në vitin 2016, Paneli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së në një raport final i adresohej OKB-së dhe tërë komunitetit ndërkombëtar, akademikëve dhe aktivistëve për përgjegjësinë e OKB-së për shkelje të të drejtave të njeriut. Këshilli i Evropës gjithashtu në dy raporte  gjeti shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut në këtë rast. Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hammarberg pasi kishte vizituar këta banorë romë ka thënë se fakti që kampet kanë qenë të banuara për një dekadë të plotë është jo më pak se një skandal.

“Komuniteti ndërkombëtar ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë për këtë rast”, ka thënë Hammarberg.

Më tepër se 18 vjet pas, OKB u bind se është përgjegjëse për shkelje të të drejtave të këtyre banorëve. Në përgjigje të kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së,në muajin maj shprehu ”keqardhje të thellë”, por nuk kërkoi falje. Një zëdhënëse e misionit të OKB-së në Kosovë, Sanam Dolatshahi thotë se fondi do të jetë operacional brenda pak javësh.

“Fondi do të menaxhohet nga UNMIK dhe ne do të konsultohemi me 138 ankuesit dhe komunitetet e prekura, për të zhvilluar projektet e bazuara në komunitet bazuar në një vlerësim të nevojave prioritare të  tyre”, ka thënë Dolatshahi.

Por ajo nuk ka komentuar çështjen e kërkimfaljes dhe kompensimit individual.

“Jemi të vetëdijshëm për gjendjen e vështirë të këtij komuniteti që patën pasoja të rënda shëndetësore si rezultat i zhvendosjes së tyre në këto kampe në veri të Kosovës. Por edhe për faktin se ka të tjerë të prekur, përtej 138 pretenduesve, prandaj duam t’i shohim të gjithë të që përfitojnë nga këto projekte”, ka thënë Dolatshahi.

Në vend të drejtësisë, projekte bamirësie

Në anën juridike, refuzimi i administratës së OKB-së për të kompensuar për shkeljet e tilla bazohet në Rezolutën 52/247 e vitit 1998 e cila përcakton se “Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe misionet e saj  mund të paguajnë kompensim vetëm për dëmtimin material ose fizik”. Habib Hajdini, përfaqësues i lagjes së romëve në Mitrovicë ka thënë se do të vazhdojnë të kërkojnë kompensim individual.

“Mendoj që tash situata është e qartë. Ne kërkojmë që të kemi kompensim për familjet”, ka thënë Hajdini.

Refuzimi për kompensim, sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, mund të dëmtojë përpjekjet e OKB-së për të shtyrë qeveritë për të korrigjuar abuzimet e tyre me  të drejtat e njeriut.

Aktualisht fondi është pa mjete dhe është një thirrje për donatorë për të kontribuar në ndihmë komunitetit rom. Por nëse përgjigja e donatorëve do të jetë e sigurt këtë nuk mund ta thonë askush në OKB. Marek Antoni Nowicki ishte Avokat i Popullit në kohën kur Kosova administrohej nga OKB. Ai pati nëpër duar tërë historinë e këtyre familjeve. Si zyrtar që paguhej nga OKB, Nowicki nuk pati fuqi tjetër juridike përveçse të bënte raporte rekomanduese për shkeljet e regjistruara të personelit të OKB-së e NATO-s. Ai nuk kishte të drejtë të hetonte personelin e administratës së OKB-së ngase stafi kishte imunitet jo vetëm nga kjo por edhe nga çfarëdo procedure civile e penale. Nowicki u emërua më vonë anëtar i Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut. Ai së bashku me 5 anëtarët e panelit me 8 qershor i dërguan një letër sekretarit gjeneral, Antonio Guterres ku i kërkonin  që OKB të ndryshojë kursin karshi shkeljeve që bën vetë organizata dhe të kompensojë viktimat në Kosovë.

“Është qenësore që OKB të shihet të veprojë  në përputhje me premtimin e Kartës dhe detyrimet që promovon. Nëse OKB nuk mban përgjegjësi, sistemi i të drejtave të njeriut në tërësi është dobësuar”, thuhet në letrën e  anëtareve të panelit.

Që nga largimi nga kampet, Këshilli i Evropës dhe disa organizata tjera kanë rekomanduar që ish-banorët çdo tre muaj të kontrollojnë nivelin e plumbit në gjak dhe raportet i dërgohen Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës. Qendra e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë ka konfirmuar se disa nga fëmijët kanë ende sasi të plumbit në gjak dhe një pjesë e tyre marrin terapi.

Në vend të drejtësisë së kërkuar, OKB ka zgjedhur aktualisht t’u ofrojë atyre projekte bamirësie të komunitetit në masën që projektet të tërheqin fonde ndërkombëtare.