Islamofobia dhe kosovarofobia

Unë nuk jam mysliman, por pajtohem qind për qind me Albin Kurtin sa i përket islamofobisë. Në Kosovë ka islamofobi, dhe ajo madje është islamofobi e organizuar që u shërben interesave të caktuara të politikanëve në pushtet. Por e cila po ashtu i shërben theksimit të identitetit tonë ‘kombëtar’ që nuk ka pikëprekje në realitet.

0
2420

Prej shekujsh shumica dërrmuese e etnisë shqiptare i përket fesë myslimane. Por ‘kombi shqiptar,’ si një përpjekje për të organizuar politikisht etninë, ishte shpërfillës dhe mohues i fesë së shumicës. Madje, ky komb u bë edhe ‘islamofobik’ përgjatë historisë njëqind vjeçare. Kombet nuk mund të mendohen pa një marrëdhënie me fenë. Sado komplekse qoftë ajo marrëdhënie. Ta zëmë, kombi serb nuk mund të mendohet pa kishën ortodokse. As ai rus. Kombi amerikan nuk mund të mendohet pa lirinë fetare dhe deizmin. Kombi anglez pa luftën dhe pajtimin mes protestantëve dhe katolikëve. Kombi italian e ai spanjoll, pa katolicizmin. E të tjera.

Kombi shqiptar përbën një ndër rastet më të çuditshme në këtë marrëdhënie. Edhe pse mëton përfaqësimin e etnisë, e cila ka qëlluar të jetë shumicë myslimane, ajo thirret në rrënjët e krishtera. Për hero kombëtar të saj e merr një figurë të krishterë, Gjergj Kastriotin. Mes njerëzve më të shquar të kombit ka një dominancë të plotë të të krishterëve. Kjo ka çuar në një situatë paradoksale ku shqiptari i sotëm me ndjenjë të fortë nacionale, edhe pse vet mysliman (ose të paktën me kulturë myslimane), është katolikofil dhe islamofob. Shihni për shembull profilin në Facebook të publicistit Fahri Xharra për t’u vënë ballë këtij fakti. Kombi shqiptar konceptohet si një përçmues e përbuzës i myslimanëve dhe si një simpatizues i të krishterëve.

Publicisti tjetër, Mehmet Kraja, në një letër drejtuar ‘myslimanëve të Facebook-ut’ e pranon se identiteti perëndimor i kombit është krijuar mbi mitin e Skënderbeut. Të ndalemi këtu për pak kohë. Si ka mundësi që një figurë mitike mesjetare dhe e krishterë të bëj ndërtimin e ‘identitetit perëndimor’ të sotëm? A s’duhet të jetë identiteti më i qarkullueshëm dhe më aktual? Këtu na zbulohen dy lajthitje tepër serioze: e para, lidhja që i bëhet krishterimit mesjetar me vlerat e sotme perëndimore (kur dihet që këto vlera, ose njerëzit që i mbronin këto vlera ishin në luftë të ashpër me krishterimin mesjetar); dhe e dyta, parakuptimi i islamit si një prodhues i identitetit joperëndimor, praktikisht, përjashtimi i islamit nga ai identitet.

Pra, edhe pse etnia shqiptare ishte myslimane, kombi shqiptar që u ravijëzua qoftë si aktualitet e qoftë si mundësi etatiste, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, ishte theksueshëm antimysliman. E gjithë kjo në të mirë të perëndimorizimit dhe evropianizimit të saj. Kombi shqiptar ishte një konstrukt politik që përjashtoi nga vetja shumicën e etnisë që kërkonte të përfaqësonte. “Feja e shqiptarit është shqiptaria,” thoshte Pashko Vasa.

Unë nuk jam mysliman, por pajtohem qind për qind me Albin Kurtin sa i përket islamofobisë. Në Kosovë ka islamofobi, dhe ajo madje është islamofobi e organizuar që u shërben interesave të caktuara të politikanëve në pushtet. Por e cila po ashtu i shërben theksimit të identitetit tonë ‘kombëtar’ që nuk ka pikëprekje në realitet. Shumica e politikanëve në Kosovë vazhdojnë të shërbehen me flamurin ‘bizantin’ të Skënderbeut. Vazhdojnë të injorojnë një konceptim etatist për kombin. Korrupsioni endemik, si një fenomen mjaft shqetësues, është i lidhur me pamundësinë për të krijuar njëfarë ndjenje për kombin kosovar. Atë që nuk e do, e vjedh më kollaj. Mungesa e kësaj ndjenje, ka bërë edhe që kosovarët të ikin nga Kosova përgjatë gjithë periudhës së pasluftës. Migrimi poashtu është një fenomen shqetësues. Të dyja këto shprehin mungesë dashurie për atdheun, për Kosovën.

Mësojmë kësisoj që ndjenja për kombin shqiptar është mjaft utopike dhe përjashtuese. Duke qenë ekskluzive dhe mohuese e vullnetit të shumicës, duke qenë në Kosovë, jashtë organizimit shtetëror, ekonomisë, administratës, gjyqësisë, ky ‘komb’ fantazmagorik është bërë i dëmshëm. Kësisoj, ne dalim nga islamofobia në kosovarofobi. Në një urrejtje e përçmim të plotë të gjithë asaj që është këtu, e pranishme, në pritje për përcaktim e punë.

Albin Kurti, duke shprehur bindjet për islamin dhe islamofobitë, ka ndërtuar kështu një moment etatist për nacionalizmin e Vetëvendosjes. Por, gjithçka tjetër është joetatiste. Ai është kosovofob. Një mohues i projektit të internacionalizmit liberal të Kosovës. Vetëvendosje vazhdon të mos e respektojë rendin kushtetues dhe t’i kontribuoj pikërisht diskursit mbrapakthyes. Ata duan ‘bashkim kombëtar’ jo për shkak të një organizimi më të mirë shtetëror. Por për shkak të përfytyrimeve për ‘madhësinë’ e ‘vogëlsinë’ territoriale, për ‘sundimin’ dhe ‘mossundimin’. Pra, Kurti dhe Vetëvendosje vazhdojnë ‘dremitjen dogmatike’ në teoritë për kombin të shekullit 19-të.

Si mund të luftohet korrupsioni pa mbjellë ndjenjë për institucionet? Fundja, çka është korrupsioni nëse jo shkelje kriteresh e ligjesh? Mos vallë luftimi i korrupsionit duhet bërë me frymëzim religjioz, i ngjashëm me inkuizicionin? Apo duhet ndërtuar mekanizma institucional që mbikëqyrin gjithçka, që i bjen të rikthehemi në sistem totalitar?

Nuk ka tjetër rrugë. Nëse nuk ka kurrfarë atdhedashurie, e vetmja mundësi për të shpëtuar nga korrupsioni dhe femonomenet e tjera negative është organizimi institucional. Dhe organizimi institucional ose është liberal (që dmth i jep mundësi korrupsionit e këtyre fenomeneve tjera të gëlojnë) ose është totalitar. Prandaj është tepër e rëndësishme ta duam Kosovën nëse e kemi ndërmend të jetojmë këtu.