Jeta, mësimet dhe ëndërrat në botën multikulturore të Prizrenit

Çfarë është jeta në një mjedis multikulturor në Kosovë?  Për të parë këtë nga afër, Bronwyn Jones vizitoi Prizrenin dhe bisedoi me përfaqësuesë të nxënësve të përkatësive të ndryshme etnike që vijojnë shkollën ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke.

0
1004

Në lagjen Ortakoll të Prizrenit, në veri të qytetit të vjetër e të famshëm, të rrethuar nga malet e Sharrit, ndodhet një nga komplekset më të mëdha shkollore në Kosovë – shkollat “Abdyl Frashëri” dhe “Hysen Rexhepi”. Ndërtesat nuk janë të reja, por janë të mbajtura mirë dhe muret e të dyjave janë të mbushura me imazhe të Kosovës dhe Shqipërisë, me dy flamujt që valëviten kudo.

Deri në fillim të këtij viti ishte një shkollë me rreth 2,400 nxënës që vijonin mësimin nga niveli i kopshtit deri në vitin e 9-të por, për shkak të çështjeve të menaxhimit, u nda në dy shkolla. Mësimi vazhdon të mbahet në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke dhe të dy shkollat janë përfaqësuese të multikulturalizmit ende dinamik të Prizrenit dhe Kosovës.

Në shkollën “Hysen Rexhepi”, që përfshin klasat e larta 6-9, tani janë 900 fëmijë, 115 prej tyre mësojnë në gjuhën boshnjake dhe turke. Por përtej pakicave gjuhësore në të dy shkollat, ka një numuer të konsiderueshëm të fëmijëve romë, më së shumti në mësimin në gjuhën shqipe. “Mund t’ju jap statistikat, por fëmijët që janë romë e përshkruajnë veten si pjesë të atij kombi,” thotë Maxhun Krasniqi, drejtori i shkollës “Hysen Rexhepi”. “Ata nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë.”

Kurrikula e arsimit në Kosovë është e njëjtë për të gjithë nxënësit, përveç disa orëve shtesë të gjuhës shqipe për boshnjakët dhe turqit dhe disa orë shtesë të historisë boshnjake dhe turke. Por asgjë nuk ndryshon historikisht, tha Krasniqi, “Faktet janë fakte”.

Anglishtja dhe gjermanishtja janë gjuhët e huaja që mësohen në shkollë. Gjuha boshnjake dhe gjuha turke nuk mësohen si gjuhë të dyta apo të treta. Gjuha serbe, boshnjake dhe turke janë gjuhë zyrtare në Prizren, së bashku me shqipen.

Në Prizren nuk ka shkolla serbe, sipas ish-drejtoreshës së arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi.

Unë bisedova me nxënës të Këshillit të nxënësve – të cilët janë zgjedhur me vota nga bashkëmoshatarët si përfaqësues të tyre – për t’i pyetur për jetën në një shkollë multikulturore në Kosovë. Për pjesën më të madhe, çështjet janë të njëjta për të gjithë nxënësit, pavarësisht prejardhjes së tyre: bullizmi në forma të ndryshme dhe ëndrrat për të lënë Kosovën janë gjëra për të cilat mendojnë ata. Por ata janë gjithashtu të angazhuar në mënyrë aktive në përmirësimin e jetës së tyre dhe për ta bërë Kosovën një vend më të mire.

Bullizmi, problemi më i madh

Nxënësit e moshës 12-13 vjeç, shqiptarë, romë dhe boshnjakë, të gjithë njëzëri flasin për dashurinë e tyre për shkollën, për mësuesit, për drejtorin e tyre dhe tregojnë se si ndihen të sigurtë dhe të lumtur. “Kjo është një shkollë ku nuk na ngucin.” Në shkollat e tjera në Prizren, Emrushi, 13 vjeç, tha se fëmijët boshnjakë si ai “ngucen dhe këtu kjo nuk ndodh”.

Të gjithë ata e konsiderojnë bullizmin si një problem të madh, por thonë se në shkollën “Hysen Rexhepi” kjo ishte kryesisht nën kontroll. Fëmijët ngacmohen se janë të shëndoshë, ose vajzave u thonë që duken si djem, e herë pas here ngacmohen për faktin se janë romë. Por kryesisht fëmijët ndiheshin të sigurtë në shkollë dhe kishin mënyra për t’u marrë me këto probleme.

Fëmijët vërenin ngacmime në shkolla të tjera të qytetit. Kanita tha se motrat e saj nuk ngacmohen siç do të ngacmoheshin në shkolla të tjera për faktin se mbajnë hixhab. Nëna e saj këmbëngulë që fëmijët e saj të vijojnë këtë shkollë sepse aty “ishin të sigurtë”. Emrushi ishte ngacmuar në qytet për faktin se ishte boshnjak dhe ishte akuzuar se ishte serb ortodoks. Por miqtë e tij e trajtojnë atë “si shqiptar”, edhe pse e ka pak të vështirë shqiptimin e fjalëve të gjata shqipe dhe shkronjën “L”.

Krasniqi, drejtori, thekson se një nga çështjet me të cilat ballafaqohet shkolla është përdorimi i internetit nga fëmijët, ku përfshihen në mosmarrëveshje dhe pastaj krijojnë zënka jashtë shkollës.

Identitete të lëvizshme

Si e përkufizojnë veten këta fëmijë të lindur pas pavarësimit të Kosovës? Të gjithë ata – pa marrë parasysh përkatësinë etnike – kishin një tipar kyç shqiptar, por me rrënjë të forta në Kosovën si vend të tyre. Armisa, 14 vjeçe dhe kryetare e Këshillit të nxënësve, me ëndrra për t’u bërë aktore, e përmblodhi atë për fëmijët shqiptarë duke thënë: “Unë jam shqiptare e Kosovës. E dua Shqipërinë, por Kosova është shtëpia ime dhe mendoj se ne jemi më të mirë këtu.”

Të dy vajzat rome, Kanita dhe Hira, e përshkruajnë veten si “rome kur flas gjuhën time, për të tjerët shqiptare e Kosovës dhe gypsy (jevge)për ju”. A nuk është fjala gypsy fjalë e keqe? e pyeta. Po, e  pranuan “por kjo është fjala që përdorim (anglisht) për ju”.

Por ato ishin krenare që ishin rome – “nëna ime më thotë që duhet të jem krenare,” thotë Kanita.

Emrushi e konsideron veten gjysmëboshnjak dhe gjysmëshqiptar. “Gjyshja ime është shqiptare ndërsa gjyshi ka qenë radiologu i parë në Prizren. Kur vinin ushtarët e UÇK-së dhe kishin nevojë për ndihmë, ai gjithmonë i ndihmonte falas”.

Çështje të reja dhe ëndrra për jetë diku tjetër

Të gjithë këta fëmijë e shohin të ardhmen e tyre jashtë Kosovës. Hira, 13, dëshiron të bëhet mjeke dhe të shkojë “kudo” e të ndihmojë njerëzit.

Elvarisi, 12 vjeç, dëshiron të bëhet aktor. “Dua të luaj në filma të trishtuar sepse mund të qaj shumë lehtë.” Armisa pajtohet se edhe për të filmat e trishtuar ishin më të mirët, pasi edhe ajo mund të qajë shumë lehtë. Të dy ata i dhanë njëri-tjetrit “një pesëshe” në shenjë pajtimi.

Fatimja dëshiron të jetë grimere, “si nëna ime” apo aktore.

Kanita dëshiron të bëhet aktiviste për feminizëm për shkak të përvojave të saj duke parë nënën, veten dhe motrat e saj, siç shprehet ajo, duke u “seksualizuar” me vërshëllima nga meshkuj që u afrohen në rrugë.

Në fakt, të gjitha vajzat shprehin dëshirë të jenë feministe dhe të jenë aktive në çështjet e grave; së fundi kishin marrë pjesë në një demonstratë, bashkë me drejtorin e tyre, në kuadër të manifestimit 16 Ditë të Aktivizmit, për të drejtat e grave në qendër të Prizrenit.

Ky lloj ndërgjegjësimi është relativisht i ri te nxënësit më të rinj, por fëmijët po mësojnë jo vetëm nga shkolla, por edhe në internet për çështje dhe tema puer të cilat prindërit e tyre nuk kishin mundësi të mendonin.

Madje edhe djemtë folën për përpjekjet e tyre për të ndalur sjelljet e pahijshme të shokëve të tyre ndaj vajzave, duke i shndërruar këto në çështje jo vetëm të vajzave, por për të gjithë fëmijët.