Jetët e njerëzve dhe targat

Çështja duket se është zgjidhur tani, por në veri të Kosovës gjykatat nuk funksionojnë dhe pothuajse nuk ka asnjë forcë të rregullt policore. Kjo nënkupton që janë njerëzit ata të cilët po diskriminohen dhe që me vendimet e elitave politike po u hiqen të drejtat e tyre për mbrojtje ligjore dhe vendime të gjykatave.

0
430

“Duke i shtyrë pareshtur vendimet për një a dy ditë, duke pritur të ndodhë diçka, që dikush të ta diktojë jetën tënde – kështu jetojnë tash e sa vite serbët në veri. Ky tweet nuk ka të bëjë me politikën, ka të bëjë me manipulimin e njerëzve të pafajshëm.”

Kështu shkroi dikush në Twitter si reagim ndaj dështimit të  Vučić-it, Kurtit dhe BE-së të hënën, më 21 nëntor, për të arritur një marrëveshje për çështjen e targave. Gjendja është e tensionuar, u bënë vërejtje të fuqishme dhe secila palë tha diçka pak më ndryshe. Por targat janë të veturave dhe shumica e veturave u përkasin njerëzve. Kjo çështje ka të bëjë me njerëzit, jo me veturat.

Radio Evropa e Lirë bëri disa xhirime në kufi menjëherë pas këtij debakli politik, xhirime që tregonin njerëzit duke i rregulluar targat e tyre për t’ua përshtatur rregullave. Personat e intervistuar thonë se nuk e çajnë kokën se çfarë shkruan në targa, Serbi, Kosovë, ata thjesht duan të jetojnë normalisht, dhe shpresojnë se kjo çështje do të zgjidhet.

Shumica e banorëve të veriut nuk duket se brengosen se çfarë shkruan në targat e tyre, disa kanë qenë të gatshëm t’i ndërrojnë ato, por veturave të tyre u ishte vënë zjarri, zakonisht nga ndonjë bashkëkombës i tyre. Komunitetit serb të Kosovës po i bëhet presion i jashtëzakonshëm nga Beogradi që të mos i përmbahen rregullave të qeverisë së Kosovës.

Çështja duket se është zgjidhur tani, por në veri të Kosovës gjykatat nuk funksionojnë dhe pothuajse nuk ka asnjë forcë të rregullt policore. Kjo nënkupton që janë njerëzit ata të cilët po diskriminohen dhe që me vendimet e elitave politike po u hiqen të drejtat e tyre për mbrojtje ligjore dhe vendime të gjykatave. Njerëzit e kanë të vështirë të marrin vendime racionale nëse reagimi nga udhëheqësit e tyre të perceptuar është tërësisht iracional.

Më 21 nëntor, nuk mund të mos mendoja se cila do të ishte qasja më e mirë për t’u përqendruar në të pas deklaratës së Josep Borrell-it pas dështimit për të arritur një marrëveshje. Mendimet e mia u kthyen tek njerëzit që përpiqen të jetojnë jetën e tyre të përditshme. Është e rëndësishme të mos harrohet se njerëzit po përpiqen të çojnë jetë normale përkundër politikës, dhe të jetojnë në harmoni në terren si komunitete të ndryshme, siç edhe bëjnë. Është jetike të kujtojmë këtë tani dhe të mos reagojmë në ndonjë mënyrë që mund të provokojë ndonjë reagim të panevojshëm. Është e rëndësishme të mos lejojmë politikën të konsiderohet më e rëndësishme sesa stabiliteti i jetës së qytetarëve, veçanërisht tani kur ka çështje të tjera të standardit të vështirë të jetesës, çështje që prekin njësoj të gjitha komunitetet në Kosovë. Është tepër e rëndësishme të mos harrohet se në fund të kësaj ka njerëz dhe ata duhet pyetur për pikëpamjet e tyre dhe se punonjësit shtetërorë nuk duhen përdorur për pazar nga udhëheqësit politikë.