Kabllot e përziera

Që kur ka filluar dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, tema e telekomunikimeve është shtjelluar disa herë, por assesi të ndahen kabllot e komunikimit, të përziera midis dy vendeve.

0
1392

 

Që kur ka filluar dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, tema e telekomunikimeve është shtjelluar disa herë, por assesi të ndahen kabllot e komunikimit, të përziera midis dy vendeve.

Për të gjitha komunikimet ndërkombëtare telefonike, Kosova ka përdorur kode të huazuara; për telefoninë fikse përdoret kodi i Serbisë +381 ndërsa për ato mobile ai i Sllovenisë +386 së bashku me kodin e Monakos +377, i huazuar nga Monaco Telecom në vitin 1999 me zhvillimin e infrastrukturës së parë të rrjetit të telefonisë mobile.

Gjatë gjithë kësaj kësaj kohe, Ipko dhe Vala, dy operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, kanë paguar qira për shfrytëzimin e këtyre kodeve, që sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) vetëm operatorit Vala i kushton 5-7 milion euro në vit, ndërsa vlerësime tjera thonë se shuma që të dy operatorët kanë paguar gjatë gjithë kësaj kohe ka arritur në 200 milion euro. Ajo që dihet padyshim është se këto kosto janë reflektuar në çmimet e shërbimeve që vazhdojnë të mbesin ndër më të lartat në rajon. Pavarësisht kësaj, telefonia mobile në Kosovë ka arritur të depërtojë te pothuajse secili banorë i Kosovës, ndërsa telefonia fikse mbetet me penetrimin më të ulët në rajon me 19.86% të shtëpive që kanë linjë telefonike (ARKEP, 2015).

Kodi ndërkombëtar telefonik ndahet për çdo shtet ose rajon gjeografik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (International Telecommunication Union – ITU). ITU është agjenci e OKB-së në të cilën Kosova ende nuk bën pjesë, ndërsa nëse do të paraqiste vetë kërkesën për kod të vetin telefonik, Kosovës do t’i duheshin 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve.

Ndryshe, edhepse çështja e komunikimeve elektronike ka qenë pjesë e vazhdueshme e dialogut me Serbinë, transparenca në lidhje me diskutimet si dhe implementimi i marrëveshjeve për këtë segment lënë shumë për të dëshiruar. Në marrëveshjen e parë për telekomin, e arritur më 8 Shtator 2013, të dyja palët ishin dakorduar që ITU-ja do ti alokonte Kosovës kodin e saj telefonik, në të cilin do të migronin të tri kodet që aktualisht janë në shfrytëzim (ai i Monakos, i Sllovenisë dhe i Serbisë). Janari i vitit që shkoi u vendos si afati për migrim dhe vënje në përdorim të kodit të ri por pasoi një periudhë e gjatë pa ndonjë rezultat ose lëvizje në drejtim të implementimit të kësaj marrëveshje. Në takimin e fundit, të gushtit 2015 u shpalos plani i veprimit i cili e parasheh që kodi i ri telefonik të jetë operacional deri me 1 prill 2016.

Rekomandimi E.164 sipas të cilit ITU rezervon dhe alokon kodet ndërkombëtare telefonike, parasheh që kërkesën mund ta bëjë edhe një grup shtetesh ose një subjekt tjetër në emër të entitetit, kështu që kërkesën në emër të Kosovës është pajtuar ta bëjë Austria, e cila në kuadër të dialogut për normalizim u shpreh e gatshme ta parashtrojë kërkesën para Byrosë për Standardizim në Telekom pranë ITU-së.

Kodi i rezervuar për Kosovën është +383 ndërsa hapat, të cilët janë të ilustruar më poshtë, parashohin që së shpejti ITU të njoftojë aplikuesin dhe të publikojë datën e aktivizimit e cila pritet të jetë në përputhje me informatat e publikuara nga Qeveria e Kosovës. Dhe nëse çdo gjë shkon sipas planit, nga prilli Kosova do të duhej të ketë kodin e vet telefonik dhe ARKEP duhet të paraqesë strategjinë për migrim të numrave deri më 15 maj 2016, ndërsa afati kohor për t’u kompletuar migrimi në kodin e ri është 15 gushti i vitit 2017.

kabllot

 

Fig. 1. Procedura për rezervim dhe alokim të kodit telefonik për çdo vend ose zonë gjeografike

Më tutje, marrëveshja parasheh edhe vendosjen e bashkëpunimit midis rregullatorëve të të dyja vendeve, për të evituar pengesat në të gjitha transmetimet, përfshirë transmetimin përmes radio-valëve, transmetimet digjitale dhe ato televizive. Si dhe nxitjen e operatorëve për të ulur kostot e shërbimeve dhe për të vendosur marrëveshje roaming-u, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime edhe gjatë udhëtimeve. Këto pika të marrëveshjes mbeten nën hijen e teknikaliteteve që ende duhen zgjidhur, ndërsa parashihet që të dy rregullatorët të kenë nënshkruar marrëveshjet brenda 3 mujorit të parë të këtij viti.

Njëra ndër pikat më kontraverse të kësaj marrëveshje është se ajo parasheh licencimin e një operatori telefonik për telefoninë fikse dhe një operatori për telefoninë mobile, si degë të kompanive që operojnë në Serbi, për t’u ofruar shërbime qytetarëve të Kosovës, me kodin e ri telefonik. Të dy licencat ishte paraparë të ndahen deri në tetor 2015, mirëpo në tentimin e parë për licencim të operatorit të tretë të telefonisë mobile, ARKEP në prill të vitit të kaluar ka refuzuar kërkesën e operatorit Telenor d.o.o. për arsye se ky i fundit nuk ka poseduar Autorizimin e Përgjithshëm për operim në territorin e Kosovës, që bie ndesh me procesin e notifikimit si parakusht ligjor dhe rregullator për aplikim për resurse frekuencore për operime të autorizuara të telekomunikimeve në Republikën e Kosovës.

Me 15 Janar 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet ARKEP-i që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar, për operim të ndërmarrjes “MTS” d.o.o. Ndërkohë që në rastin kur Telenor ka aplikuar dhe i është refuzuar licenca, nuk ka ndodhur i njëjti intervenim, është e paqartë dhe mbetet e pasqaruar nga pala kosovare përkrahja e papritur për operatorin MTS. Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes së Qeverisë thuhet se “Vendimi do të hyjë në fuqi, ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndaj Republikës së Kosovës kodin telefonik.”Ndërsa mbesin ende të padefinuara afatet kohore për operim të përkohshëm të operatorit MTS në tregun kosovar.

MTS (Mobilna telefonija Srbije), e themeluar në vitin 1997, është 58.11% në pronësi të Republikës së Serbisë, 20% në pronësi të Telekom Srbija, 14.95% e qytetarëve serb dhe 6.94% në pronësi të punëtorëve të tanishëm dhe të mëparshëm të MTS.

Ndryshe MTS, përveç në Serbi, është prezente përmes kompanive degë edhe në Republika Srpska dhe në Mal të Zi.

Ende mbetet mister nevoja për prezantimin e një operatori të tretë në treg të komunikimeve telefonike, ndonëse kjo gjë ishte parapa qysh në marrëveshjen e vitit 2013, nuk u komunikua asnjëherë ndonjë arsye. Tregu i telekomunikimeve në veri të Kosovës, i mubluar aktualisht me frekuenca të operatorëve serb, mund të ishte shërbyer nga një operatorë virtual i zgjedhur përmes procedurave të rregullta të tenderimit, dhe duke kërkuar kompaninë që do të ofronte çmimet më të ulta për komunikim me operatorët serb.

Zakonisht operatori i licencuar e krijon një operator virtual kur, për çfardo arsye, nuk ka qasje në një pjesë të tregut; operatori i tillë nuk zhvillon infrastrukturë të rrjetit por e huazon atë të operatorëve tjerë të tregut. Rregullativa Evropiane i favorizon operatorët virtual duke qenë se e promovojnë rritjen e konkurrencës nët treg, si dhe nxisin inovacionin në shërbime. Dy operatorët vendorë Vala dhe Ipko e kanë përdorur këtë taktikë më heret, duke ia përshtatur modelit të tyre të biznesit; e njëjta qasje mund të përdoret edhe për të ofruar shërbime në Veri të Kosovës, duke prezantuar kështu një operator virtual i cili do të synonte një pjesë të ngushtë të konsumatorëve dhe/ose do të ofronte çmimet më të ulta për komunikim me operatorët serb.
Në këtë mënyrë do të mënjanoheshin deformimet e sektorit, do të thjeshtësoheshin proceduarat, dhe do të zvogëlohej kosto e kësaj marrëveshjeje.