Kancelari gjerman Scholz javën tjetër me Kurtin dhe Vuçiqin

1
219


Kancelari gjerman Olaf Scholz do të pres në takime kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, më 4 maj, ka njoftuar Zyra e Shtypit dhe Informacionit e Qeverisë Federale gjermane.

Kjo zyrë ka paralajmëruar se kancelari Olaf Scholz, “do të mirëpres kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kancelarinë Federale”, në orën 15:00 të datës 4 maj.

“Fokusi i diskutimit të përbashkët do të jetë koordinimi i mëtejshëm mbi luftën dhe agresioni rus kundër Ukrainës, si dhe për çështjet dypalëshe dhe rajonale”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.

Në një takim tjetër të ndarë, në ora 17:30, kancelari gjerman Scholz do ta pres edhe presidentin serb, Alleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë.

(evropaelire.org, 29/04/2022)