Kapërcimi i dallimeve përmes artit dhe kulturës

Mënyra e vetme për kapërcimin e dallimeve dhe paragjykimeve është krijimi i urave të komunikimit e bashkëpunimit ndërmjet artistëve shqiptarë dhe serbë, u tha në debatin me temën “Kultura dhe Arti – Riafrimi dhe Tejkalimi i dallimeve”, organizuar ditë më parë në Prishtinë nga “Democracy for Development (D4D)” dhe OJQ “Aktiv”, organizatë me seli në veri të Kosovës e cila është e interesur të zhvillojë dialog me qytetarët e tjerë të Kosovës.

0
1214

Kultura dhe arti janë mundësia më e mirë për krijimin e urave dhe një klime të sinqertë bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve, veçmas duke hapur dialogun ndërmjet veriut dhe jugut. Kështu është thënë në debatin e radhës me temën “Kultura dhe Arti” – Riafrimi dhe Tejkalimi i dallimeve”, organizuar ditë më parë nga “Democracy for Development (D4D)” dhe “Aktiv”. Të ftuar për të diskutuar rreth kësaj teme kanë qenë: Eliza Hoxha- arkitekte, Zoran Ristić – drejtor i “GETO” Teatrit në Graçanicë dhe Zana Hoxha Krasniqi – drejtoreshë e “Artpolis”. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që të rritet niveli i bashkëpunimit, debatuesit thanë se është politika ajo që shpesh pengon edhe projektet e përbashkëta ndërmjet artistëve. Vlerësim i të gjithëve ishte se kultura dhe arti duhet të përkrahen më shumë nga shteti. 

Fillimisht Zana Hoxha Krasniqi ka shtruar nevojën që organizimet e tilla ta kenë përkrahjen e duhur institucionale, që deri më tani sipas saj ka munguar.

“Kur ka vullnet për të krijuar diçka edhe mund të arrihet. Kultura dhe arti janë të pandashme dhe duhet të shihen jo si një trashëgimi por si një proces. Jam e lumtur që  nëse dikush mund të mburret me bashkëpunim, ata janë artistët në Kosovë dhe Serbi të cilët kanë treguar praktikë të mirë të komunikimit, ndryshe prej politikanëve”, tha Hoxha Krasniqi. Sipas saj, çelësi i suksesit ka qenë trajtimi i njëri-tjetrit me sinqeritet dhe pa paragjykim.

“Kemi përdor profesionin për ta përmirësuar jetën tonë dhe të komunitetit, për dallim prej të tjerëve që e përmirësojnë vetëm profesionin e tyre ose angazhohen vetëm për një rreth të ngushtë”, ka vijuar drejtoresha e Artpolis.

Hoxha: Nuk zbatohet ligji për sponsorizime

Arkitektja Eliza Hoxha ka treguar se pse kultura aktualisht nuk shihet si platformë që ndihmon aspektin social në Kosovë. Dhe kjo, sipas saj, vjen prej parlamentit. “Njerëzit duhet të fillojnë të angazhohen dhe ta shprehin atë që mendojnë. Siç dihet, ekziston ligji për sponsorizime të aktiviteteve kulturore, por nuk zbatohet sa duhet. Fatkeqësisht, sot Kosova më nuk është territori më i përshtatshëm për të investuar në kulturë. Krejt çka ndodh në kulturë është prodhimi i një mendësie urbane”, pohoi Hoxha. Duke qenë Kosova e “cunguar”, Hoxha mendon se kultura është platforma e vetme për të ndërtuar ura komunikimi. “Nuk ka kultura të shqiptarëve, serbëve apo romëve – ka vetëm karakteristika sepse historikisht kulturat kanë marrë prej njëra-tjetrës”, është shprehur Hoxha.

Gjatë debatit me më shumë emocione ka folur drejtori i GETO teatrit në Graçanicë, Zoran Ristić i cili ka thënë se fillimisht flet si njeri, e pastaj si artist me qëllimin që ta “çlirojë” botën. Ristićin e mundon fakti se shumë njerëz mendojnë që historia fillon më 1999. 

“Jo, jeta ka ekzistuar edhe më herët; kemi jetuar edhe shumë shekuj bashkërisht. Se, a e çlirojnë artistët Kosovën, kjo është një pikëpyetje. Megjithatë unë jam përkufizuar në këtë territor ku punoj me persona të ndryshëm dhe kujdesem që me vepra e punë ta promovoj kulturën dhe artin tonë”, thotë Zoran Ristić, teksa shpreh keqardhje që nuk ekziston një fuqi më e madhe mes artistëve për të arritur synimet e tyre. “Lidhja jonë është më e fuqishme se ajo e politikanëve apo mafiozëve. Dhe kjo është forma më e mirë për t’i eliminuar barrierat”, ka shtuar Ristić.  Ai ka potencuar se nuk pret që Prishtina dhe Beogradi  do të dakordohen dhe t’u tregojnë artistëve si të merren me kulturë.

Moderatori i debatit, Skender Mustafa, nga AKTIV, ka folur për problemet me të cilat përballen artistët, pa dallim kombësie. “Ku është gabimi, a është problemi i medieve që nuk i promovojnë sa duhet shfaqjet, bashkëpunimet apo ekziston diçka tjetër?!”, ka pyetur Mustafa.

Në veri, mundësitë e kufizuara

Për të treguar se arti nuk njeh kufij, artistët kanë sjellë edhe tregimet e tyre personale. Nëpërmjet tyre ata kanë dëshmuar se nuk është me rëndësi në çfarë gjuhe ndodh komunikimi, por e rëndësishme, sipas tyre, është që artistët t’i kuptojnë nevojat e njëri-tjetrit. Zana Hoxha Krasniqi ka treguar për përvojën e saj kur, në një debat të organizuar nga Zoran Ristić, i është dashur ta luajë edhe rolin e moderatores, ani pse nuk qëndronte mirë në gjuhën serbo-kroate. Kjo për të nuk kishte paraqitur problem, pasi rreth 100 persona sa ishin publik në sallë, e ndihmuan në komunikim.

“Gjatë diskutimit nuk më kujtoheshin disa fjalë në gjuhën serbe, por publiku ndërhyri dhe me ndihmonte. Kur si artist beson se veriu e jugu është një, pa dyshim se tejkalohen problemet. Krejt varet si e shohim ne perspektiven”, ka thënë Hoxha Krasniqi, sipas së cilës në veri njerëzit kanë pasur më pak mundësi se në pjesët tjera të Kosovës, dhe për këtë i vjen keq.

Zoran  Ristić, gjatë debatit, disa herë ka ironizuar me politikanët shqiptarë dhe serbë, duke ua veshur edhe rolin e “Babadimrit”.

“Shqiptarët dhe serbët janë të vetmit që i kanë krejt të ndara gjërat – mjekët, mësuesit Ne edhe babadimrat i kemi të ndryshëm – shqiptarë dhe serbë. Kam frikë për gjeneratat e reja, dhe rrugën kah po shkon kjo shoqëri. Jam shumë i brengosur dhe ndoshta babadimri është ai që do t’u sjellë të mira shqiptarëve dhe serbëve”, ka thënë Ristić, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Ndërkaq Eliza Hoxha, në fund të debatit tha se modeli që e bën ndryshimin nuk ka rëndësi nëse është i ngadalshëm apo i shpejtë. “Historia ka treguar se njerëzit e artit kanë qenë një hap përpara, por pa pasur iniciativa nuk mund të vijë ndryshimi. Arti e bën gati klimën, atë që politika e merr pas 20 vitesh. Kosova më së miri përfaqësohet prej njerëzve të kulturës dhe artit. Nëse ne nuk e njohim tjetrin, atëherë krijojmë paragjykime dhe pastaj vijnë gjithë ato të këqija”, ka përfunduar Hoxha.