Hulumtimi i KDI-së ka trajtuar njohuritë e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e deputetëve në mbikëqyrjen e Qeverisë në procesin e dialogut, kënaqshmërinë e qytetarëve në përfshirjen e tyre në këtë proces, dhe gatishmërinë për të kontribuar për temat e dialogut si dhe akterët kryesorë që mbajnë përgjegjës për informimin e tyre.
KDI ka vlerësuar se Qeveria dhe Kuvendi si bartëse të procesit të dialogut duhet të ndërmarrin një sërë masash për të rritur transparencën, për të shtuar llogaridhënien institucionale ndaj qytetarëve, për të ndërtuar konsensus shoqëror dhe politik për procesin e dialogut, si dhe për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë proces duke artikuluar qartë efektet praktike që ky proces sjell në jetën e qytetarëve.
Përkundër faktit që disa tema të dialogut kanë dominuar skenën politike, sidomos vitin e fundit, të gjeturat e këtij hulumtimi të opinionit vërtetojnë që qytetarët e Kosovës, në shkallë të lartë, praktikisht janë të painformuar rreth marrëveshjeve (43 për qind) të cilat janë arritur deri tani në kuadër të procesit të dialogut Kosovë–Serbi. Rreth 76 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me mbikëqyrjen që Kuvendi përgjithësisht ushtron ndaj Qeverisë në këtë proces. Për më tepër ata janë të pakënaqur me nivelin e përfshirjes së tyre (75 për qind) ndërsa shprehin hezitim për t’u përfshirë në të ardhmen në këtë proces (57 për qind). Në bazë të këtij sondazhi, në përgjithësi qytetarët presin të informohen më shumë në radhë të parë nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi i Kosovës.
Një analizë i është bërë edhe marrëveshjeve veç e veç të arritura në vitet e fundit. Gjysma e qytetarëve të Kosovës janë të painformuar rreth marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës. Sipas KDI-së, një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve nuk dinë cili shtet – Kosova apo Serbia – përfiton nga kjo marrëveshje. Vetëm 27 për qind e tyre mendojnë se Republika e Kosovës është pala që përfiton nga kjo marrëveshje. Qytetarët e Kosovës nuk kanë një qëndrim uniform as rreth kompetencave që do të ketë Asociacioni i komunave me shumicë serbe (ASK). Tridhjetë e dy për qind janë shprehur se nuk kanë dijeni rreth kompetencave të këtij mekanizmi. Ndërsa pjesa më e madhe e tyre mendojnë që ASK do të jetë mekanizëm me kompetenca ekzekutive.
Sa i përket temave që duhet shtruar në kuadër të dialogut me Serbinë qytetarëve kanë përmendur: të pagjeturit, krimet dhe dëmshpërblimet e luftës, fondi pensional, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në përgjithësi njohja e Kosovës nga Serbia.
KDI ka dhënë edhe disa rekomandime se cila duhet të jetë qasja karshi dialogut. Në raport rekomandohet që Qeveria e Kosovës të angazhohet në mënyrë aktive që ta bëj sa më transparent procesin e dialogut Kosovë-Serbi, t’i njoftoj qytetarët drejt dhe në kohë rreth përmbajtjes së marrëveshjeve të arritura si dhe t’i publikojë te gjitha marrëveshjet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, më konkretisht Qeveria dhe Kuvendi, duhet të angazhohen në forume dhe diskutime publike me të gjithë qytetarët e vendit për ta bërë transparent dhe gjithëpërfshirës procesin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke shtjelluar në detaje kompetencat të cilat pritet t’i ketë ky mekanizëm”, shkruan në hulumtim. Ndërkaq formati i pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, shkruan më tej në raport, duhet të jetë temë e diskutimeve konstruktive midis të gjitha subjekteve politike në vend dhe të përfundojë me konsensus të gjerë politik mbi strategjinë dhe ekipin që do të mund t’a përfaqësonte Kosovën në dialog dhe përmbajtjen e temave që do të trajtoheshin në kuadër të këtij dialogu.
Ky raport është realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare të ekzekutivit dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në dialogun Kosovë–Serbi”, financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.