Kërcënimet e ‘kryeministrit të ardhshëm’

Ajo që më brengos është që parullat politike dhe britmat gjatë fushatës parazgjedhore pushojnë të jenë parulla politike dhe britma në atë moment kur ai që i ka thënë gjatë fushatës, pas zgjedhjeve fiton rastin që të formojë pushtetin ekzekutiv dhe të marrë vendime në emër të shtetit. Në atë moment të gjitha ato parulla politike dhe premtime të thata, qoftë edhe të pritura nga populli, bëhen politikë e Qeverisë së re e me këtë edhe politikë e shtetit.

0
1170

Fushata parazgjedhore konsiderohet nga shumë njerëz si kohë kur gjithçka është e lejueshme. Apo nuk është, por thjesht askush nuk e çan kokën për rregulla formale, e edhe më pak për parime morale. Kështu kemi rastin të dëgjojmë anembanë botës marrëzira të ndryshme të kandidatëve për funksione shtetërore. Marrëzira të ndryshme që sjellin vota të masave të gjera popullore dhe për të cilat ata shpresojnë që thjesht pas zgjedhjeve do të pushojnë t’i kenë si obligim. Sepse, o zot, janë thënë gjatë fushatës parazgjedhore. 

Kështu këtyre ditëve kemi rastin që të dëgjojmë marrëzira të ndryshme nga aktorët politikë në Kosovë, duke pasur parasysh që zgjedhjet e jashtëzaknshme parlamentare janë caktuar për 11 qershor. Marrëzirat e politikanëve serbë se si disa janë „serbë të Thaçit“, e të tjerët serbë të vërtetë, autentik, edhe pse si të parët ashtu edhe të dytët në mandatin e kaluar kanë qenë herë të Thaçit, herë serbë autentik, në varësi nga nevojat e asaj dite. Kështu, për autoritetet në Beograd të gjithë janë ‘serbë të Thaçit’ përveç kandidatëve të Listës Serbe, gjersa i njëjti pushtet i detyroi të gjithë ata serbë të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe kështu t’i japin legjitimitet shtetit të cilin „nuk e pranojnë,“ e që është dakorduar, shih çudinë, pikërisht me Thaçin në Bruksel nga ai i njëjti pushtet në Serbi.   

Por, mjaft folëm për serbët në politikën e Kosovës, kaherë kemi konkluduar që ata njerëz janë larg çfarëdo diskutimi serioz. Ajo çka më mundon mua më shumë në këtë moment janë deklaratat e politikanëve shqiptarë në fushatën parazgjedhore. Këtu para së gjithash mendoj në favoritin e ri për pozitën e kryeministrit pas zgjedhjeve, kandidatin për këtë pozitë të koalicionit PDK-AAK, Ramush Haradinajn. Retorika e tij gjithnjë e më ashpër antiserbe ka filluar qysh nga koha kur ishte në paraburgim në Francë, ku përfundoi në bazë të një fletëarresti të Serbisë. Prej atëherë, jemi dëshmitarë të një varg deklaratash shqetësuese, mund të thuhet edhe kërcënimeve drejtuar serbëve të Kosovës, por edhe pushtetit serb në Beograd. Natyrisht, e kam të qartë që kjo është për të para së gjithash pjesë e inxhinieringut politik për këto zgjedhje, jam i vetëdijshëm që kjo, para së gjithash, ia solli edhe kandidaturën për vendin e kryeministrit para koalicionit, i cili, sipas të gjitha gjasave, është koalicioni më i madh në Kosovë, për arsye se kjo ka efekt tek popullata – është gjithmonë mirë të kesh një armik, qoftë edhe imagjinar, dhe të mbrosh shtetin prej tij. Paj kush e di këtë më mirë se serbët në 5 vitet e fundit? 

Mirëpo, ajo që më brengos është që parullat politike dhe britmat gjatë fushatës parazgjedhore pushojnë të jenë parulla politike dhe britma në atë moment kur ai që i ka thënë gjatë fushatës, pas zgjedhjeve fiton rastin që të formojë pushtetin ekzekutiv dhe të marrë vendime në emër të shtetit. Në atë moment të gjitha ato  parulla politike dhe premtime të thata, qoftë edhe të pritura nga populli, bëhen politikë e Qeverisë së re, e me këtë edhe politikë e shtetit. E nëse fillojmë të analizojmë deklaratat e zotit Haradinaj të bëra kohëve të fundit dhe i vendosim në kontekst të politikës së Qeverisë së re të Kosovës, duke pasur parasysh gjasat mjaft të mëdha që pikërisht Haradinaj do të jetë mandatari për përbërjen e saj, e tëra bëhet shumë më serioze dhe thellësisht shqetësuese. 

Mbetet vetëm të shpresojmë që edhe këto premtime do të mbeten vetëm fjalë të kota si edhe tërë ato premtime të të gjithë politikanëve në hapësirën e Ballkanit në 100 vitet e fundit ose bile që njeriu i tillë që i tha të gjitha ato gjatë fushatës nuk do të ketë rast që premtimet e veta t’i zbatojë në praktikë. Të gjitha të tjerat nuk çojnë drejt asgjëje të mirë.