Kërkimi i informatave në Kosovë – aventurë e pafund

Kërkimi i informatave me rëndësi publike në Kosovë mund të jetë një aventurë e gjatë dhe e mundimshme e cila nuk garanton arritjen e qëllimit. Në qoftë se këtë e bëni në gjuhën serbe, e cila është gjuha e dytë zyrtare, kjo aventurë mund të bëhet edhe më interesante.

0
1408

Gjatë muajit nëntor 2016, tre aktivistë nga Kosova bënë përpjekje që, si qytetarë të rëndomtë, të hulumtojnë se deri në çfarë mase po respektohet Ligji për qasje në dokumentet publike. Ajo që donin të dinin Valmiri, Milani dhe Vullneti ishin informatat për gjendjen shëndetësore të të burgosurve në burgjet e Kosovës. Ata formuluan pyetjet në të cilat duan të marrin përgjigje dhe atë në gjuhët zyrtare – serbisht dhe shqip.

Cilat janë shkaqet më të shpeshta të vdekjes tek të burgosurit? Cilat sëmundje janë më të pranishmet? Sa të holla ka siguruar Qeveria e Kosovës për sigurim shëndetësor në sistemin penal të Kosovës?

Pyetje të thjeshta në shikim të parë por kërkimi i përgjigjeve në to do të mund të quhej një aventurë e vërtetë. 

Institucionet tek të cilat janë përpjekur që të marrin informata ishin: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Faza e parë përbëhej nga analiza e sajteve të këtyre institucioneve, të cilat, sipas fjalëve të Milan Milosavljevićit, përmbajnë një sasi tejet të vogël të informatave, madje nuk kanë as e-mail adresat e departamenteve të caktuara.

„Nëse dëshiroj të shoh ndonjë raport, kjo gjë nuk është e qasshme. Në qoftë se dua që t’i drejtohem dikujt zyrtarisht, nuk ekzistojnë e-mail adresat e tyre në ato portale,“ thotë Milosavljević.

„Institucionet me të vërtetë nuk punojnë, edhe atëherë kur doni që si qytetar i zakonshëm të merrni një përgjigjje hasni në vesh të shurdhër,“ thotë Valmir Dobraj, i cili po ashtu ka marrë pjesë në këtë hulumtim. 

Problem shtesë ishte edhe pengesa gjuhësore, thotë Milosavljević, i cili hulumtimin e tij e ka bërë në gjuhën serbe, e cila është gjuha e dytë zyrtare në Kosovë, bashkë me shqipen. 

„Në portalet e Qeverisë përkthimi në gjuhën serbe është tejet i dobët e emrat e shumë departamenteve në portal as nuk janë të përkthyer,“ thotë Milosavljević.

Pasi që informatat e nevojshme nuk arritën t’i gjejnë në sajtet e institucioneve të përmendura, ata provuan që të njëjtat t’i kërkojnë përmes telefonit. Numrat e telefonave të shënuar në sajte cingërruan shpesh por askush nuk përgjigjej. 

„Më duhet të pyes një person tjetër. Nuk e kemi të lejuar të japim informata të tilla dhe duhet të dimë se në cilën organizatë punoni,“ kanë qenë përgjigjet më të shpeshta thotë Valmir Dobraj.

„Kjo është një gjysëm përgjigje. E një gjysëm përgjigje nuk është përgjigje,“ shton ai.

„Vetëm një herë më ka ndodhur që është lajmëruar dikush nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë fola dhe u prezantova në gjuhën serbe, por nëpunësja më tha të thërras prapë pas pesëmbëdhjetë minutash derisa të vijë kolegia që flet gjuhën time. Pas pesëmbëdhjetë minutash thirra dhe askush nuk u lajmërua në telefon,“ rrëfen Milosavljević përvojën e tij me telefonatat. 

Thirrjet në telefonat zyrtarë aktivistët i kryen gjatë muajit nëntor. Ndërkohë, paralelisht me thirrjet e pasuksesshme në rastin e Milanit dhe gjysëm të suksesshme në rastin e Valmirit, vazhdoi edhe aventura me shkrimin e e-mailave. Të njëjtat pyetje dhe të njëjtat institucione, vetëm se një kanal i ri i komunikimit. 

Mirëpo, meqenëse në disa faqe të caktuara nuk gjendeshin e-mail adresat për kontakte, hulumtuesit është dashur që vetë të gjenden disi në mënyrë që të vendosin kontakt me shkrim me këto institucione. 

„E-mailat u janë dërguar të gjithë personave relevant për komunikim me qytetarët. Deri në ditën e sotme nuk kam marrë asnjë përgjigjje,“ thotë Milosavljević.

Përpjekja e fundit që të arrihet deri tek informatat ishe shkuarja fizike në institucion. Edhe kjo doli të jetë e pasuksesshme. 

„Shkova fizikisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nëpunësja më tha që të vijë ndonjë ditë tjetër sepse nuk është aty kolegia që mund të më jap përgjigjje dhe të flas në gjuhën time. Kështu që edhepse shkova direkt atje prapëseprapë mbeta pa përgjigjje,“ thotë Milosavljević.

Këta tre aktivistë e kanë kryer këtë hulumtim në kuadër të projektit të OSBE-së për qasje në informata me të cilin është shënuar 250-vjetori nga miratimi i ligjit të parë për qasje në informata. Në kuadër të këtij programi, zyra e OSBE-së për lirinë e mediave në Kosovë mundësoi pjesëmarrjen e tyre në konferencën në Vjenë, ku ata i ndanë përvojat e tyre me pjesëmarrësit e tjerë nga e gjithë bota. 

„Tekefundit, të gjithë e patëm të njëjtin problem. Nëntë delegacione nga nëntë vende të ndryshme. Kemi dërguar e-maila, kemi shkuar direkt dhe askush nuk mori asnjë përgjigjje,“ tregon Vamiri përshtypjet e veta nga kjo ngjarje. 

Valmir, Milani dhe Vullneti e përfunduan hulumtimin e tyre në muajin nëntor, në dhjetor shkuan në Vjenë që t’i prezantojnë rezultatet e tyre, mandej u kthyen në Kosovë dhe filluan të përgatiten për festat e fundvitit… e përgjigjet e pyetjeve ende i presin. Mbetet të shpresojnë se do t’i marrin përgjigjet gjatë këtij viti.