Në vizitë rajonit, në fillim të qershorit, na vjen një mik i ri nga Gjermania, kancelari Olaf Scholz , i cili na sjellë lajme që, deshëm ne apo nuk deshëm, duhet t’i pranojmë përzemërsisht, edhe pse e dimë që vështirë do t’i pranojmë “propozimet dhe këshillat qëllimmira“, sepse politika që po ndjekim ne gjithsesi nuk përputhet me politikën kah e cila aspirojmë, e kjo është politika e Bashkimit Evropian.
Këshilla e parë qëllimmirë dhe më e vështira që do të duhet ta pranojmë me të dyja duart është se ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht politikën tonë ndaj Federatës Ruse dhe të ofrojmë mbështetje për Ukrainën në luftën e cila momentalisht po zhvillohet në territorin e saj.
Lajm tjetër qëllimmirë është se ka ardhur koha e fundit që të zgjidhim marrëdhëniet me Kosovën, për arsye se vetë Gjermania dhe vendet e tjera evropiane nuk duan që ne të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian nëse nuk e zgjidhim plotësisht konfliktin me Prishtinën.
Këshilla e tretë dhe më e rëndësishme është se ne do të duhet të jemi të mençur kur merremi me qëndrimin politik të Gjermanisë dhe atë të Francës në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian për arsye se ato qëndrime dallojnë mjaft mes vete dhe mund të ndikojnë në rrjedhën e mëtejme të udhëheqjes së politikës sonë të jashtme. Këtu mbase do të përbirohet në margjinat e shumë takimeve tema shumë aktuale lidhur me energjinë, për faktin se, për shkak të ngjarjeve aktuale në Ukrainë, po kërkohet një alternativë për të gjitha burimet e energjisë si burime kyçe për Evropën.
Siç shkruan DW, Scholz mëton të përgatitë mirë samitin e Procesit të Berlinit, i cili ka të ngjarë të zhvillohet në gusht, kështu që për këtë arsye është planifikuar vizita në Gadishullin Ballkanik, në mënyrë që të përgatitet mirë terreni dhe që të mos ketë faktorë befasues gjatë zhvillimit të bisedimeve të ardhshme. Qëllimi i Procesit të Berlinit është lidhja më e ngushtë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmes qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Përveç aspiratës së Berlinit për të përfshirë Beogradin në sanksionet kundër Rusisë, Scholz do të përpiqet të ofrojë diçka edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e të gjitha këto me synimin për të qetësuar tensionet që ekzistojnë në rajon qe një kohë të gjatë, sepse ndikimi i Rusisë duhet të përjashtohet plotësisht dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse shteteve të lartpërmendura u ofrohet diçka konkrete.
Në të vërtetë, ekziston droja që presidenti francez, Emanuel Macron, të bllokojë edhe më tej fillimin e negociatave të BE-së me Shkupin dhe Tiranën. Prandaj, sipas burimeve të DW-së, samiti BE-Ballkani Perëndimor nën presidencën franceze do të mbahet në qershor në Bruksel dhe jo në Paris. Qëndrimet e Parisit zyrtar dhe Berlinit ndryshojnë për sa i përket formës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në të ardhmen sepse presidenti francez ka mendimin se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet në atë mënyrë që vendet si Serbia dhe vendet fqinje të kenë nivele të caktuara të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ende të mos jenë anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian, ndërsa qëndrimi i kancelarit gjerman është se ky rajon është në listën e prioriteteve. Pozicioni i kancelarit gjerman është më i afërti për ne dhe sigurisht që i përgjigjet politikës sonë të jashtme por ka vetëm një problem kyç në gjithë këtë. Scholz ka deklaruar se “njohja reciproke duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Beogradit dhe Prishtinës”. Kur të merren parasysh të gjitha, një gjë është e sigurt. Për sa i përket kësaj pjese të Evropës, patjetër që kemi arritur te muri. Para nesh janë vënë ultimatume nga të cilat, ashtu siç qëndrojnë gjërat tani, nuk do të guxojmë të devijojmë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.