Këshillë

Kosova e ka dorëzuar kërkesën edhe pse për pranim është e nevojshme të plotësohen disa kushte përmes atyre dispozitave që rregullon ky organ, nga respektimi i të drejtave të njeriut, liria e mediave, liria e lëvizjes etj. Është e qartë se shumë nga dispozitat që i rregullon, kontrollon dhe, mbi të gjitha, i kërkon Këshilli i Evropës, për fat të keq Kosova nuk i ka përmbushur, kështu që aplikimi për anëtarësim është paksa ironik.

0
24

Pas vendimit që Kosova të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE), ka pasur një debat për atë nëse do të vijë deri tek pranimi i saj si anëtar apo jo, gjë që është plotësisht e kuptueshme dhe e pritshme, por para së gjithash e panevojshme dhe e pakuptimtë, së paku sipas mendimit tim personal. Ja në disa fjali se për çfarë arsye. 

Në thelb, Këshilli i Evropës është një organ që në vete përfshin edhe vendet që nuk janë anëtare të BE-së, megjithëse shumica sosh janë, kështu që me këtë fakt nuk mundet, nuk duhet dhe, mbi të gjitha, nuk guxon të thjeshtohet me politikën e BE-së. Kosova e ka dorëzuar kërkesën edhe pse për pranim është e nevojshme të plotësohen disa kushte përmes atyre dispozitave që rregullon ky organ, nga respektimi i të drejtave të njeriut, liria e mediave, liria e lëvizjes etj. Është e qartë se shumë nga dispozitat që i rregullon, kontrollon dhe, mbi të gjitha, i kërkon Këshilli i Evropës, për fat të keq Kosova nuk i ka përmbushur, kështu që aplikimi për anëtarësim është paksa ironik. Avancimi i demokracisë parlamentare, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit janë 3 idetë themelore të Këshillit të Evropës e thënë sinqerisht, Kosova nuk mund të lavdërohet që në këto fusha qëndron në një nivel të lakmueshëm. 

Por meqenëse bota ka ndryshuar deri në një kufi ku nuk po mund ta njohim, kurse mbrojtja ka ndërruar emër dhe është bërë lobim, atëherë edhe anëtarësimi në KiE është tejet i mundshëm. Në atë moment kur Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim, në të njëjtin moment ka filluar procesi i lobimit për pranim, kështu që kohëve të fundit gjithnjë e më tepër ka lajme për atë se kush do ta përkrahë e kush jo anëtarësimin e përmendur. Është e qartë se konsistenca ndaj parimeve është lënë paksa anash dhe se shikohet interesi, e mbi të gjitha ai politik, edhe pse KiE në parim nuk është një organizatë politike dhe vendimet e tij janë para së gjithash këshilldhënëse dhe jo detyruese.     

Në fund të fundit, shtrohet pyetja se cilat do të ishin përfitimet e anëtarësimit – thënë në mënyrë parimore, minoritetet në Kosovë do të duhej të ishin në favor të asaj që Kosova sa më parë të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, mirëpo, nëse pas vetes e kemi përvojën të tillë çfarë e kemi dhe nëse e dimë që jo të gjithë janë të barabartë në skenën politike botërore, e që kjo, përmes ndikimit, bartet edhe në rajonin tonë, atëherë është e qartë që në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve, lirisë së mediave dhe gjërave të tjera të ngjashme, nuk do të ndryshonte shumë edhe nëse Kosova do të merrte dritën e gjelbër për hyrje në shoqërinë e vendeve që janë anëtare të KiE. Bazuar në të gjitha këto, prapëseprapë do të kishte qenë më mirë që Kosova të dëshmojë në praktikë para se të anëtarësohet në KiE se është e përkushtuar ndaj ideve dhe qëllimeve të KiE, në mënyrë që si e tillë të fitojë vetvetiu të drejtën e anëtarësimit, sepse kështu do të ishte i dukshën progresi në terren në të gjitha fushat dhe qëllimet që i kultivon ky trup i lartë i Evropës, kështu që automatikisht do ta ftonte Kosovën, si shoqëri të organizuar, t’i bashkohet vendeve që prej kohësh e kanë rregulluar gjendjen e tyre të brendshme në këtë drejtim.

Në fund, është gjithmonë më mirë kur të ftojnë diku si mysafir të dashur dhe të pranojnë në shoqëri sepse e dëshirojnë këtë dhe sepse këtë e keni merituar vetë me mundin tuaj e jo të imponoheni vetë si një mysafir i paftuar. Vetëm atëherë kur e meritoni ndonjë status me përpjekjet tuaja, ai ju takon me plotëkuptimin e fjalës, në çfarëdo aspekti tjetër nëse ju imponohet ndonjë status apo e fitoni në mënyrë të pamerituar ai kurrë nuk do të jetë vërtet i juaji dhe shoqëria në të cilën gjendeni ju do të jetë e distancuar dhe thjesht protokolare. I takon shteteve anëtare të vlerësojnë por kushdo që ka qenë një herë këtu i mjafton të dijë që Kosova për fat të keq është larg nga idetë e realizuara mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës si një institucion i respektueshëm. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.