Kliko për të drejtën

Qytetari i zakonshëm lehtësisht do ta njohë këtë aplikacion si diçka pozitive, vetëm që edhe institucionet që janë të përfshira me këtë aplikacion ta njohin atë si një nga metodat për të qëndruar në kontakt me qytetarët dhe që të gjitha që i ofron ai në fund edhe t’ua ofrojnë qytetarëve si rezultat.

0
472

Në fillim të muajit dhjetor u lëshua në funksion platforma për android Aber App, e cila synon të lehtësojë kontaktin e komuniteteve joshumicë në Kosovë me institucionet ku ata mund të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, e në të cilat ata nuk kanë pasur qasje deri më tani ose ajo qasje ka qenë e vështirësuar për shumë arsye. Numri i mjaftueshëm i institucioneve të përfshira me këtë aplikacion dhe qasja në të gjithsesi janë përparësi për t’u vlerësuar dhe si i tillë ky aplikacion paraqet një hap të madh para drejt përmirësimit të përfaqësimit ligjor të komuniteteve joshumicë në institucionet e Kosovës. Shumë herë kemi pasur rastin të dëgjojmë se është paraqitur ndonjë problem ligjor për shkak të mosnjohjes së rregulloreve apo njohjes së pamjaftueshme të të drejtave që na i garantojnë ligjet. Tani krijohet përshtypja se nuk do të ketë probleme të tilla, madje edhe nëse do të ketë, shpresojmë se ato do të jenë në një masë shumë më të vogël se deri më tani. Gjithsesi që aplikacioni i përmendur është ende në fillimet e tij dhe ka ende shumë punë për të bërë, por hapi i parë drejt kësaj është shumë i rëndësishëm dhe ai është bërë dhe në drejtimin e duhur. Informatat me rëndësi për të gjitha komunitetet joshumicë janë tani në një vend dhe si të tilla janë të disponueshme për këdo që ka një telefon me platformën e duhur operative, dhe kjo është sigurisht në frymën e kohës në të cilën jetojmë. 

Në dy vitet e fundit, një numër i madh i aktiviteteve sociale janë zhvendosur nga kontakti personal në platforma online të llojeve të ndryshme kështu që besoj se kjo edhe ka ndikuar që ky segment i marrëdhënieve sociale të kalojë në një platformë adekuate dhe të përshtatshme me këtë. Sigurisht që mbetet detyrë që të informohet opinioni publik më mirë me këtë lloj mjeti dixhital dhe të gjitha përparësitë e tij të jetësohen në praktikë. Aplikacioni përmban të gjitha kontaktet dhe udhëzimet e nevojshme që janë të rëndësishme për përdoruesin, në mënyrë që në vetvete ta bëjë atë të qasshëm për ato pjesë të popullsisë të cilat i kanë anë të tyre të dobët teknologjitë moderne; me pak edukim, përfitimet janë evidente.

Mirëpo, ajo që më duhet të vërej si qytetar i zakonshëm është se para së gjithash është e trishtueshme që aplikacione të këtilla duhet të ekzistojnë në një shoqëri që për vete pretendon se është demokratike. Edhe pse aplikacioni është “plotësisht i qëlluar,” mbetet e papranueshme që të drejtat e komuniteteve joshumicë të zgjidhen fare në këtë mënyrë – të drejtat e të gjithë qytetarëve garantohen me Kushtetutë dhe ligjet që rrjedhin prej saj, pra ato konsiderohen si diçka që nënkuptohen. Natyrisht, të gjithë ne e kemi të qartë se në Kosovë nuk është kështu dhe duhet të themi se, për fat të keq, kjo është kështu si është. Edhe pse në mënyrë deklarative konsiderohen normale, të drejtat e komuniteteve joshumicë më së shpeshti shkelen nga autoritetet, por është një praktikë me të cilën qytetari i thjeshtë është mësuar dhe jeton me të çdo ditë. Duke pasur parasysh gjendjen e tillë të gjërave, ky aplikacion është padyshim një nga mënyrat për të marrë informacione dhe kontakte në mënyrën më të shkurtër të mundshme në lidhje me institucionet që deri më tani kanë qenë më së shpeshti të paqasshme për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

Pjesa teknike e aplikacionit është vetëm produkti përfundimtar i diçkaje që dikush ndoshta e ka ndierë në lëkurën e tij ose të paktën e ka vërejtur problemin në mënyrën e duhur dhe e ka parë si duhet zgjidhur ai. Lavdërimet për këtë aplikacion janë gjithsesi diçka që është e vetëkuptueshme dhe gjëja e vetme e mundur në këtë moment, por për gjykimin përfundimtar duhet të presim akoma sepse përvoja na mëson se shumë ide dhe lëvizje të mira kanë përfunduar në mënyrë të palavdishme dhe pa ndonjë sukses të madh. Na mbetet vetëm të presim dhe të ndjekim rezultatet e të gjitha atyre që u thanë më sipër. Qytetari i zakonshëm lehtësisht do ta njohë këtë aplikacion si diçka pozitive, vetëm që edhe institucionet që janë të përfshira me këtë aplikacion ta njohin atë si një nga metodat për të qëndruar në kontakt me qytetarët dhe që të gjitha që i ofron ai në fund edhe t’ua ofrojnë qytetarëve si rezultat. Deri më tani, e drejta ishte në duart e institucioneve, ndërsa tani qasja në të drejtën i jepet njeriut të thjeshtë dhe i mbetet vetëm atij ta përdorë atë kur ka nevojë. Kurse për aplikacionin… një LIKE e madhe.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.