Kod telefonik shtetëror a kod për zonë gjeografike?

Siç ndodh shpesh, edhe këtë herë njëra nga marrëveshjet që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht ajo për telekomin, u keqinterpretua.

0
1112

Siç ndodh shpesh, edhe këtë herë njëra nga marrëveshjet që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht ajo për telekomin, u keqinterpretua.

Kur Austria aplikoi këto ditë në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) për kodin e ri telefonik të Kosovës, qeveria serbe nxitoi t’u thoshte qytetarëve të saj se “nuk bëhej fjalë për kod shtetëror të Kosovës, por për një kod tjetër telefonik për Serbinë që do të shfrytëzohej brenda zonës së saj gjeografike në territorin e Kosovës e Metohisë”.

Në fakt ky është një keqinformim i opinionin publik nga elitat politike, të cilat shpeshherë i interpretojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel në mënyrë të gabuar, në tentim për të ruajtur kredibitetin politik tek votuesit e tyre.

Ka qenë Angelina Eichhorst, drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në zyrën e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme Federica Mogherini ajo që përmes rrjetit social Twitter ka konfirmuar se Austria ka aplikuar për kod shtetëror telefonik për Kosovën. Te njejtën e ka konfirmuar edhe Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka shfaqur shpresën se deri në mars të vitit 2016, Kosova do të bëhet me kodin e ri telefonik +383. Sipas saj, në këtë mënyrë do të fuqizohet sovraniteti shtetëror i Kosovës.

Siç mund të shihet qartë edhe në Planin e Veprimit për Telekomin, që derivoi pas marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel në gusht 2015, palët janë pajtuar që Kosovës t’i ndahet kodi telefonik treshifror në përputhje me standardet dhe parimet e Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit. Marrëveshja saktëson se Kosova do të jetë përgjegjësja e vetme për zbatimin e këtij kodi, i cili do të shfrytëzohet nga të gjithë operatorët në Kosovës, duke zvogëluar shpenzimet e qytetarëve për thirrje telefonike lokale.

Duke mos qenë anëtare e OKB-së e rrjedhimisht as e ITU-së, Kosova nuk ka mundur që të aplikojë vet për kodin telefonik, por me pajtimin e palës kosovare dhe asaj serbe, është arritur pëlqimi që këtë ta bëjë Austria. Por me këtë marrëveshje gjithashtu parashihet që Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (AKREP) të licencojë një kompani serbe, e cila do t’u mundësonte shfrytëzuesve të saj në Kosovë që të telefonojnë direkt në Serbi pa përdorur kodin ndërkombëtar të Serbisë (+381) dhe pa bërë shpenzime shtesë. Marrëveshja saktëson se licencimi i kompanisë serbe do të jetë i përkohshëm dhe do të bëhet në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës.

Poashtu letra të cilën Austria ia dërgoi ITU-së, e bën shumë të qartë se bëhet fjalë për një kod treshifror që do të përdoret nga autoritetet e Kosovës. Për më tepër, në tekstin e letrës, Austria i referohet Kosovës pa fusnotë, por sqaron se kërkesa e saj bëhet në emër të Serbisë dhe të Kosovës në kuadër të dialogut mes dy palëve që po zhvillohet me lehtësimin e BE-së.

“Si pjesë e dialogut të lartëpërmendur, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur një marrëveshje në shtator të vitit 2013 që Kosovës t’i ndahet një kod telefonik treshifror, në përputhje me standardet, parimet dhe kalendarin e ITU-së. Të dy palët gjithashtu janë pajtuar që të gjindet një modalitet i pranueshëm për këtë proces, me lehtësimin e BE-së, sipas nevojës. Dëshiroj të ju njoftoj se të dy palët janë pajtuar që ky modalitet i pranueshëm është që Republika e Austrisë ta kërkojë këtë kod për Kosovën. Do të ju isha mirënjohës në qoftë se brenda një kohe sa më të shkurtër mund t’ia ndani Kosovës njërin nga kodet e lira telefonike (+383 ose +384) për përdorim nga autoritetet e Kosovës. Gjithashtu do të ju isha mirënjohës në qoftë se mund të ma konfirmoni se buletini i ITU-së është publikuar”, përfundon letra e dërguar nga përfaqësuesi i Austrisë për Sekretarin e Përgjithshëm të ITU-së.

Që nga përfundimi u luftës në Kosovë kanë qenë në përdorim tri kode telefonike, +377 i Monakos për operatorin mobil Vala, +386 i Sllovenisë për operatorin mobil Ipko dhe +381 i Serbisë për operatorët mobil që janë shfrytëzuar kryesisht nga serbët lokal, si dhe për telefoninë fikse në Kosovë për realizimin e thirrjeve ndërkombëtare. Sipas autoriteteve të Kosovës, mungesa e një kodi unik telefonik, deri tani i ka shkaktuar vendet humbje financiare ne vlerë prej rreth 200 milionë euro.