Kolona të shurdhëra

Pas zgjedhjeve, qytetarët presin rezultatet e gjitha atyre që u janë premtuar, por përvoja na ka mësuar se gjysma e premtimeve bie në ujë menjëherë pas zgjedhjeve dhe gjysma tjetër pret vullnetin politik të të zgjedhurve. Dhe në atë rreth vicioz, koha kalon dhe qytetarët presin. Unë qëllimisht them qytetarë sepse kjo është bërë një praktikë për të gjithë ne në Kosovë, ky problem nuk ka ndonjë përcaktues kombëtar, ai është i njëjtë për të gjithë.

0
387

Në mes të këtij muaji përsëri pasojnë zgjedhjet, një festë e demokracisë, një shprehje e vullnetit të qytetarëve, një shprehje e lirisë së vendimmarrjes dhe një numër frazash të kuptimit neoliberal të procesit zgjedhor. Megjithkëtë, meqenëse zgjedhjet janë të parakohshme, dhe do të mbahen gjatë epidemisë, e gjithë kjo është larg nga të gjitha ato që u thanë më sipër, sepse rrallëherë ndodh që natyra të vë para njeriut një zgjedhje të qartë se kujt t’ia besojë votën dhe besimin gjatë zgjedhjeve. Dhe mbi të gjitha, përfaqësuesit e zgjedhur marrin një mandat që në periudhën e ardhshme të vendosin për fatin e të gjithë neve. Në shoqëritë bashkëkohore të bazuara në një ndarje të qartë midis politikës dhe proceseve të tjera shoqërore zgjedhjet janë vetëm pjesë e protokollit derisa te ne kjo domethënie fatale fiton shumë më tepër fuqi, veçanërisht në kohën në të cilën gjendemi të gjithë.

Sipas përkufizimit, politika dhe politikanët si veprimtarë të saj duhet të jenë shërbëtorë të qytetarëve të cilët, përmes institucioneve, realizojnë premtimet dhe projektet e tyre politike me të cilat ata u prezantuan para qytetarëve gjatë fushatës. Por siç e dimë, këtu, nën këtë qiell tonin, kjo është gjithçka tjetër por jo një përkufizim.

Ne i jemi referuar epidemisë shumë herë përmes teksteve tona, por si mos t’i referohemi asaj kur ajo ka kufizuar pothuajse të gjitha rrjedhat shoqërore, si këtu ashtu edhe anembanë botës dhe kjo vetvetiu politikanëve u jep një detyrë tjetër, shumë më të vështirë, e kjo është mbajtja e rrjedhave normale shoqërore dhe jetës normale të një qytetari të zakonshëm. Pikërisht këtu fshehet problemi që tani është në dukje i vogël, por që si një ortek, brenda natës mund të rritet në procese sociale shumë më të vështira, të cilat është shumë vështirë të zgjidhen shpejt dhe pa dhimbje.

Problemet me të cilat përballen qytetarët e zakonshëm çdo ditë nuk janë aspak të vogla dhe të padëmshme, por ato duhet të jenë një udhërrëfyes për të gjithë ata që na përfaqësojnë në institucione dhe duke u bazuar në to të krijohet politika dhe performanca politike gjatë fushatës dhe gjatë punës së mëtejshme të përfaqësuesve të zgjedhur. Dhe që kjo nuk është kështu jemi bindur shumë herë dhe është bërë fare e pakuptimtë të flasim më shumë për këtë.

Zgjedhjet vijnë dhe shkojnë kurse problemet mbeten dhe, natyrisht, përfaqësuesit që fituan besimin në zgjedhje. Pas zgjedhjeve, qytetarët presin rezultatet e gjitha atyre që u janë premtuar, por përvoja na ka mësuar se gjysma e premtimeve bie në ujë menjëherë pas zgjedhjeve dhe gjysma tjetër pret vullnetin politik të të zgjedhurve. Dhe në atë rreth vicioz, koha kalon dhe qytetarët presin. Unë qëllimisht them qytetarë sepse kjo është bërë një praktikë për të gjithë ne në Kosovë, ky problem nuk ka ndonjë përcaktues kombëtar, ai është i njëjtë për të gjithë. Ai shtyp dhe mbytë në të gjitha gjuhët e njerëzit vuajnë dhe presin. Në listën e pritjes, në vendin e parë është punësimi, e pastaj … pastaj vjen perspektiva, pastaj familja, pastaj gjithçka që i duhet një personi normal. Ndërsa vitin e kaluar, u imponua një tjetër faktor në listën e pritjes, dhe ai është shëndeti, jo ai mendor, por ai i zakonshmi, fizik. Pritet një vaksinë që nuk vjen, e që ishte premtuar, natyrisht, në fushatë, kurse pas fushatës, këtë do ta shohim.

Politikanët kanë marrë kursin dhe kanë formuar kolonat e tyre, me hapa të mëdhenj po shkojnë drejt zgjedhjeve dhe suksesit, por është e qartë që ose prijësi i kolonës është i verbër ose e gjithë kolona është e shurdhër dhe nuk dëgjojnë se çfarë kërkohet prej tyre. Por pasi që epidemia e koronës ka ndryshuar shumë gjëra, mund ta ketë ndryshuar edhe këtë, ndoshta dikush do të ketë vesh, kështu që le të vendosim edhe dëgjimin e shtuar në listën e simptomave të koronës. Mbetet të presim e deri atëherë, siç thotë populli ynë, vetëm të jemi shëndosh

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.