Lista Serbe i fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit duke i marrë mbi 50 mijë vota. Partitë e tjera serbe humbën aq keq sa nuk pritet të kenë asnjë ulëse në Legjislaturën e VII të Kuvendit të Kosovës. Konflikti i ri Kosovë-Serbi tashmë duket në horizont. Përçarja është thelluar dhe nuk ka kthim prapa.
Çka e prodhoi këtë rrethanë?
Është e pamohueshme që jeta politike e serbëve të Kosovës u bë tepër e helmuar nga dhuna e vendosur përmes një varg incidentesh ku objekt sulmi ishin pikërisht politikanët serbë të Kosovës, madje jo vetëm të moderuarit. Vlen t’i përmendim disa prej tyre. Oliver Ivanović-i u vra. Slobodan Petrović-i u sulmua fizikisht nga anëtarë të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Rada Trajković-i, Nenad Rašić-i dhe të tjerë u ofenduan nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Vučić-it, e bile edhe nga vetë Vučić-i. Disa kryetarë komunash kosovare me popullsi serbe u morën në pyetje në stacione policore në Serbi. Katër kryetarë komunash dhanë dorëheqje veç pse kështu iu tek Beogradit, për t’u rizgjedhur sërish më pas. E të tjera.
Megjithatë, sado i shkelur qoftë vullneti politik i bashkë-kombësve serbë, është arbitrare dhe e padrejtë të thuhet që rezultati në fjalë nuk kishte shkaqe tjera. Rol periferik mund të ketë luajtur edhe tarifa e vendosur ndaj mallrave të importuara nga Serbia, retorika nacionaliste e liderëve shqiptarë e ndoshta edhe shterpësia ligjërimore e politikanëve liberalë serbë.
Por, e keqja ndodhi: serbët e Kosovës nuk do të përfaqësohen si minoritet etnik në jetën tonë institucionale. Serbët e Kosovës vendosën të ishin serbë të Serbisë, e me këtë treguan se thjesht po presin rrethanat e favorshme gjeopolitike botërore për të përmbysur pushtetin, dhe për t’i sunduar sërish shqiptarët. Fundja, presidenti Vučić na e bëri të qartë se “Milošević-i ishte lider i madh por strateg i dobët,” gjatë këtij viti. Serbia vazhdon të ushqejë idenë e ripushtimit të Kosovës duke kultivuar durim biblik te populli serb por edhe duke punuar tinëz në skenare të errëta e të dhunshme.
Duke e deleguar përfaqësueshmërinë e tyre politike te autoritetet në Beograd, serbët e Kosovës dhanë mesazh të qartë se nuk e kanë ndërmend që ta bëjnë asnjë hap para për integrimin e tyre në institucionet tona. Beogradi, duke shfrytëzuar qyqarllëkun e faktorit ndërkombëtar, ka kërcënuar secilin prej tyre me etiketën e “tradhtarit” nëse do të bashkëpunonin me Prishtinën.
Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ishin një demonstrim i qartë i fuqisë destruktive të Serbisë brenda Kosovës. Përmes strukturash parainstitucionale e të dyshimta, përmes promovimit të armiqësisë së shtuar e të rreme ndër-etnike, dhunës e kontrollit, gjuhës fyese, ajo e vuri nën kontroll të plotë një pjesë të rëndësishme të themeleve të Republikës tonë parlamentare.
Indikacionet e dhëna deri tash para ndërkombëtarëve se duhej pranuar realitetin e se ndoshta duhej pranuar edhe pavarësinë e Kosovës ishin të rreme. Serbia mashtroi. Ajo nuk është e gatshme ta bëj një gjë të tillë sepse në dy vitet e fundit i ka shtuar në masë alarmante veprimet destruktive ndaj shtetit të Kosovës.
Nuk do të habitesha nëse në javët e ardhshme do të plaste konflikt i ri me Serbinë që do të fuste ushtrinë brenda Kosovës. Albin Kurti, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, e ka bërë të qartë në vitin 2016 kur deklaronte se “Në 5 vitet e ardhshme është më e mundur të ketë se të mos ketë luftë.” E Albin Kurti nuk është i gatshëm për asnjë kompromis me Serbinë, ashtu siç e dëshmoi edhe Serbia që nuk është e gatshme për kurrfarë kompromisi me Kosovën.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.