Konfuzioni konceptual i Vučić-it

Prirja e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, për të sjellë konfuzion konceptual në raportin mes Kosovës dhe Serbisë është një nga elementet e qasjes së tij për të krijuar një lloj imazhi të shtrembëruar të së vërtetës në raport me të kaluarën që ka të bëjë me shtetin e Kosovës.

0
260

Një gjë që meriton vëmendje dhe analizë është edhe retorika e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić. Duhet patur parasysh që në politikë termet ose konceptet (e në mënyrë të veçantë kur ato dalin nga figurat zyrtare) kanë peshë dhe prodhojnë efekte juridike, dhe ndonjëherë edhe praktike, që më pas krijojnë parakushte për rikonfigurim të raporteve mes shteteve. Në këtë drejtim, vërehet një konfuzion (i qëllimshëm ose jo) lidhur me interpretimin e situatave të ndyshme politike. Megjithatë, duhet të themi që interpretimet tendencioze përbëjnë barrierë të re në përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Së fundmi, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se NATO kishte bombarduar Serbinë për të parandaluar gjenocidin. Duke iu referuar deklaratës së kancelarit gjerman, Vučić tha: “Olaf Scholz deklaroi se ata donin të parandalonin gjenocidin. Angela Merkel nuk do ta thoshte kurrë këtë. Ajo do të thoshte se ata parandaluan një katastrofë humanitare. Tani ata po thirren në të drejtën ndërkombëtare dhe ku ishte kjo e drejtë derisa NATO vriste serbët?”

Ekziston pajtueshmëri e gjerë që ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë për të parandaluar një gjenocid të mundshëm, një përpjekje sistematike të shtetit serb për të eliminuar popullatën kosovare. Vučić e relativizon këtë dhe ky lloj keqperceptimi është problematik pasi dëmton fundamentalisht procesin e dialogut duke ritheksuar përpjekjen e Serbisë për të shtrembëruar kronologjinë e raportit me Kosovën.

Në një deklaratë tjetër lidhur me pavarësinë e shtetit të Kosovës, Vučić po ashtu theksoi se   “Serbia nuk duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por duhet të punojë me shqiptarët për të krijuar besim”. Në këtë mënyrë, Vučić përsëri sjellë konfuzion me deklaratën duke dëshmuar një lloj tendence të Serbisë për të perceptuar raportet me Kosovën jashtë procesit të dialogut kur në fakt ky është mekanizmi mbi të cilin është paraparë të veprohet në raport me shtetin e Kosovës. Më tej, një lloj interpretimi shtrembërues i realitetit nga ana e Vučić është bërë edhe përmes deklarimit “se paqja në rajon duhet ruajtur, duke respektuar viktimat nga të dy palët”.  Kjo deklaratë tingëllon hipokrite kur kihet parasysh që presidenti serb nuk u ka bërë homazh viktimave shqiptare të Kosovë derisa ish-Presidenti Thaçi e kishte bërë këtë. Një shtrembërim i tillë i realitetit reflekton mungesën e plotë të vullnetit të presidentit serb dhe Serbisë për të patur një dialog të bazuar në parime dhe mbi të gjitha të vërtetën.

Përfundimisht, prirja e Vučić-it për të sjellë konfuzion konceptual në raportin mes Kosovës dhe Serbisë është një nga elementet e qasjes së tij për të krijuar një lloj imazhi të shtrembëruar të së vërtetës në raport me të kaluarën që ka të bëjë me shtetin e Kosovës. Duke patur parasysh që Vučić ka udhëhequr palën serbe në këtë proces për një kohë tashmë relativisht të gjatë, kjo taktikë ka qenë deri diku e suksesshme në barazimin e një raporti tejet të pabarabartë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, diskursi koherent i faktorit ndërkombëtar së pari mbi parandalimin e një gjenocidi e pastaj për shtetësinë e Kosovës dëshmon që tashmë disa të vërteta ekzistojnë dhe që mbi këto të vërteta duhet që të vijohet edhe në dialog.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.