Kosova dhe Katalonia? Jo, humanizmi

Ndoshta shumëkush do të mendojë se ky tekst është edhe një krahasim midis Kosovës dhe Katalonisë. Edhe një pyetje se pse Kosova mund të jetë e pavarur, e Katalonia jo; edhe një vajtim për fatin që e ka përjetuar Serbia, edhe një analizë tjetër se si pavarësia e Kosovës ka hapur kutinë e Pandorës... Por jo, pikërisht e kundërta! Kjo është një përpjekje për të analizuar komentet më të shpeshta që këto ditë i kanë pushtuar mediat, internetin dhe bisedat e përditshme. Kjo është një përpjekje për të pyetur se si kemi shkuar aq larg sa t’i harrojmë njerëzit dhe atë që quhet humanizëm. Pse?

0
1031

Në ditën e parë të tetorit këtë vit na pritën zhvillime të reja politike të cilat, thënë më së buti, trazuan opinionin publik botëror. Në të vërtetë, qytetarët e Katalonisë atë ditë dolën në referendum në të cilën u votua për pavarësinë e asaj bashkësie autonome të Spanjës. Sipas asaj që transmetuan mediat dhe çfarë patëm rastin të shohim, qytetarët e Katalonisë atë ditë i pengonte  policia gjatë votimit duke u sjellë në disa raste në mënyrën më brutale të mundshme. 

Ndoshta shumëkush do të mendojë se ky tekst është edhe një krahasim midis Kosovës dhe Katalonisë. Edhe një pyetje se pse Kosova mund të jetë e pavarur, e Katalonia jo; edhe një vajtim për fatin që e ka përjetuar Serbia, edhe një analizë tjetër se si pavarësia e Kosovës ka hapur kutinë e Pandorës… Por jo, pikërisht e kundërta! Kjo është një përpjekje për të analizuar komentet më të shpeshta që këto ditë i kanë pushtuar mediat, internetin dhe bisedat e përditshme. Kjo është një përpjekje për të pyetur se si kemi shkuar aq larg sa t’i harrojmë njerëzit dhe atë që quhet humanizëm. Pse? Le të shkojmë me radhë. 

Një nga pyetjet të cilat mund të lexoheshin nëpër rrjete sociale, qoftë në kontekst humori apo jo, ishte kjo: a do ta bombardojnë tani Spanjën, kur do të fillojë bombardimi i Spanjës…? Absolutisht nuk dua t’i hyj çështjes se si janë të ngjashme dhe a janë fare të ngjashme Kosova dhe Katalonia, por dua të pyes çka na ndodhi neve kështu, e edhe kur, që të pyesim kur, pashë zotin, do të bombardohet një shtet? E kam të qartë unë që të gjithë jemi të hidhëruar për shkak të bombardimit të Jugosllavisë në vitin 1999 dhe atë për shkak të pushtetit të një njeriu e jo për shkak të popullit. E kam të qartë unë që të gjithë ne ende na kujtohet tmerri që kemi përjetuar, por pyetja është a jemi vërtetë në gjendje që të pyesim kur do të pësojë edhe dikush ashtu siç kemi pësuar ne? A është e mundur që kemi ardhur deri aty sa që i dëshirojmë dikujt që të pësojë? Sado që është vështirë që të kujtojmë vitin 1999 dhe bombardimin, mbase këtë e kemi edhe mësim për të ardhmen, që askush asnjëherë më të mos e pësojë ashtu. Që askujt më kurrë mos t’i ndodhë, që të mos përsëritet. Porositë dhe pyetjet, sikur këto që u dëgjuan ditët e kaluara, mund vetëm të ngjallin frikë. Frikë se njerëzit janë me të vërtetë në gjendje që të mendojnë dhe të pyesin diçka të tillë. Diku gjatë rrugës e kemi humbur busullën, diçka kaherë nuk është në rregull me neve nëse kujtdo në këtë botë i dëshirojmë  që t’i përsëritet viti ynë ’99.

Në tërë këtë duhet si plotësim të përmendim edhe deklaratat e ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, i cili thotë se Serbia e respekton sovranitetin e Spanjës. Pyetja ime nuk është asgjë tjetër pos se a do të thotë kjo që Serbia e mbështetë edhe dhunën që bëhet ndaj popullatës? Nuk e di, vetëm po pyes. Por gjithsesi ashtu po tingëllon. E po tingëllon tmerrshëm.   

Në fund, derisa të tjerët kërkojnë ngjashmëri dhe dallime në rastet e pavarësisë së Kosovës dhe Katalonisë, derisa politikanët prapë zemërohen me dikë, unë do të theksoj vetëm një ngjashmëri, e cila është më e rëndësishme nga të gjitha të tjerat. Duke i shikuar fotot dhe reportazhet nga Katalonia, kjo nuk më përkujtoi asgjë tjetër veçse ato çka ka përjetuar Ballkani. Ato që janë kujtimet tona, ato çfarë kemi parë në televizor, ashtu tek rriteshim. Dhe pikërisht për shkak të kësaj ndjenje, çështja ime katalonase nuk është çështje e politikës, bombardimit, sovranitetit… çështja ime ka të bëjë me çështjen e njerëzores dhe asaj që na bën njerëz. Çështja ime është çështje e empatisë. Prandaj herën tjetër kur kushdo qoftë dëshiron të pyesë pse dikush nuk u bombardua sikur ne, pse edhe një popull tjetër nuk pësoi për shkak të politikës, vetëm le ta kujtojë së pari krejt atë që kemi përjetuar dhe që ngjarje të tilla janë diçka që nuk guxojnë të përsëriten më kurrë dhe askujt. Që në fund mbetet vetëm ajo se çfarë njerëz jemi. Njerëz dhe asgjë më shumë.