Kosova në rrugën e liberalizimit të vizave 

Liberalizimi i vizave po bëhet emër abstratkt në jetën e shumë njerëzve në Kosovë. Ata janë të vetëdijshëm se 27 shtete anëtare duhet të marrin vendim për liberalizimin e vizave, e disa nga këto shtete nuk e njohin Kosovën. Prandaj është qesharake dhe mosmirënjohëse t'u premtosh njerëzve diçka të tillë. Këtë guxoi ta thotë Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë. Kuazi-kushtet shërbejnë vetëm për manipulim strategjik, ndaj kur të plotësohen këto kushte do të shfaqen disa kushte të reja.

0
324

Kohëve të fundit po konsumoj gjithnjë e më shumë lajme që lidhen me politikën vetëm për të qeshur, për t’ia përmirësuar ditën vetes. Në të kaluarën, perceptimi i politikës që formëson jetën tonë më ka shkaktuar shumë dhembje, më ka frustruar; isha i indinjuar nga politikanët që në të shumtën e rasteve na shkaktojnë dhimbje koke. Tani asgjë tjetër nuk më bën të qesh si konstatimet, shpërthimet, deklaratat, premtimet e tyre. Madje edhe ekzagjerimi, arroganca dhe paturpësia e tyre, veprimet e tyre absurde nuk më nervozojnë, edhe pse në mënyrë indirekte ndikojnë në jetën time. Me gjasë njeriu topitet, bëhet apatik, pas gjithë atyre që ka mundur të dëgjojë e të shohë në interpretimin e sundimtarëve ballkanik.

Ajo që më bëri të qesh me të madhe nuk erdhi nga politikanët “tanë”, porse nga një përfaqësues i BE-së. Në fakt, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, në emisionin “Interaktiv” në KTV tha se Kosova është në rrugën e duhur për liberalizimin e vizave, por ende ka probleme me korrupsionin. Megjithatë, sipas tij, liberalizimi i vizave është një çështje që mund të zgjidhet shumë shpejt. Ai vuri në dukje dy probleme për të cilat BE ka vërejtje. Ai përmendi korrupsionin, krimin e organizuar dhe zbatimin e sektorit të të drejtave në Kosovë si problemin e parë, ndërsa si problem të dytë theksoi migrimin, nga dhe përmes Kosovës, pikat kufitare që nuk ruhen si duhet.

Edhe pse është e vërtetë që emigrantët përmes Kosovës synojnë rrugën drejt qyteteve më të mëdha të Evropës Perëndimore, është po ashtu e vërtetë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është në një nivel të lakmueshëm. Por pyetja është nëse vetë Tomáš Szunyog beson në atë që thotë: “Epo, unë besoj se duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë të mundur këtë qëllim. Nuk dua të jap data konkrete, por mendoj se ne si institucione të BE-së veprojmë në koordinim me Qeverinë, mendoj se kjo është shumë shpejtë edhe e arritshme”? Kam dyshime për këtë, por së paku tingëllon bukur për qytetarët e Kosovës.

Ky është vetëm një nga modalitetet që aplikojnë evropianët për të na ndryshuar, për të na “avancuar”, për të na afruar me vlerat, institucionet dhe kufijtë e tyre. Ajo rrugë është plot me gjemba dhe burimi i tyre i pashtershëm i kushtëzimeve është bërë pothuajse i paarritshëm. Për të justifikuar qëllimet e tyre të mëdha, neve na hedhin justifikime si këto. Korrupsioni, migrantët, krimi i organizuar, sado të përhapura në Kosovë, të njëjtat mund të vërehen edhe në vendet e Evropës Perëndimore. 

Në këtë mënyrë e kanë kushtëzuar Serbinë me vite, e kanë poshtëruar, detyruar të bëjë shumë gjëra kundër vullnetit dhe kushtetutës së saj. Gjithçka ishte kryer, herët a vonë. Ne ishim të përulur para asaj “Evrope”. Fituam me lugëz dhe në fakt humbëm sërish. Me liberalizimin e vizave, një numër i madh i banorëve “u gjetën” me vende pune në Bashkimin Evropian. Prandaj, nuk e di nëse do të jetë tragjedi apo lumturi më e madhe nëse Serbia pranohet në BE. Për t’u bërë anëtare e BE-së, Serbia ka bërë shumë gjëra, nga dorëzimi i gjeneralëve në gjykatën e Hagës e deri te ndryshimi i ligjeve. Ky proces po zgjatë shumë dhe asaj rruge nuk po i shihet fundi. Ajo ende nuk është bërë anëtare, sepse ja, kështu ata mund të bëjnë këtë. Populli tashmë është rraskapitur dhe tregimi që vjen nga Parlamenti Evropian nuk luan më një rol aq të rëndësishëm në jetën e njerëzve. 

Kushtet si ato të përmendura nga Tomáš Szunyog janë burim i pashtershëm i politikanëve evropian, andaj besoj se Kosova do ta ketë shumë të vështirë deri te liberalizimi. Ajo që tha Szunyog ishte një histori për fëmijë të vegjël, për natë të mirë. Rrallëkush beson më në këto tregime. Nga viti në vit bëhen gjithnjë e më qesharak me premtime, me lloj-lloj kushtesh. Jemi bërë më të pjekur dhe jemi ngopur me premtime. 

Liberalizimi i vizave po bëhet emër abstratkt në jetën e shumë njerëzve në Kosovë. Ata janë të vetëdijshëm se 27 shtete anëtare duhet të marrin vendim për liberalizimin e vizave, e disa nga këto shtete nuk e njohin Kosovën. Prandaj është qesharake dhe mosmirënjohëse t’u premtosh njerëzve diçka të tillë. Këtë guxoi ta thotë Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë. Kuazi-kushtet shërbejnë vetëm për manipulim strategjik, ndaj kur të plotësohen këto kushte do të shfaqen disa kushte të reja.

Do të doja ta kisha gabim, por Kosova do të presë edhe një kohë për liberalizimin e vizave; mendoj se kjo nuk do të ndodhë së shpejti. Bashkë me shqiptarët, edhe serbët dhe pakicat e tjera do të donin që kjo të ndodhte. Do të ishte mirë që edhe ne të jemi pak “evropianë”.

 
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.