Kosova nuk ka asnjë marrëveshje me Serbinë për linjën dhe korridorin ajror

0
2058

Serbia nuk ka asnjë lloj kompetence për hapësirën ajrore të Kosovës dhe as nuk do të ketë. Është e vërtetë se ka pasur përpjekje nga Serbia, duke kërkuar kontrollin ajror të Kosovës, por kjo temë asnjëherë nuk është trajtuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, sepse është e pamundur të ndodhë një gjë e tillë.

Kështu ka deklaruar drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, duke hequr çdo dilemë dhe shqetësim të deputetëve  për këtë cështje gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar  për Punë të Brendshme.Gjonbalaj tha se kërkesë e Serbisë ka qenë edhe për ndërtimin e një radari në Kopaonik, por kjo nuk është lejuar të ndodhë. Ai ka treguar se hapësira ajrore e lartë është kompetencë e NATO-s,  e cila ka përzgjedhur kompaninë hungareze “Hungaro-kontrolli” për monitorim prej vitit 2014 deri 2018.  Ai tha se mbetet sfidë kontrolli i kufizuar i hapësirës së ulët ajrore, ku Kosova ka vetëm një korridor ajror atë me Maqedoninë, dhe jo me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Gjonbalaj theksoi se hapja e korridoreve të reja do të shkurtonte kohën e udhëtimit dhe uljen e çmimit të biletave të udhëtimit.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit nga Lista serbe Bojan Mitiq, i cili tha se në Bruksel është arritur marrëveshje për fluturimin ajror Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas dhe kërkoi shpjegime nga shefi AAC përse nuk po realizohet kjo marrëveshje.

Për këtë marrëveshje me Serbinë kërkoi  sqarim edhe kryetari i Komisionit  për Punë të Brendshme, Daut Haradinaj, i cili nuk ishte në dijeni për një marrëveshje të tillë dhe theksoi se dikush është duke gënjyer. 

Por, Dritan Gjonbalaj, këtë e ka kundërshtuar  duke i sqaruar deputetit Mitiq se nuk ka këso lloj marrëveshje as për fluturim, as për korridor ajror me Serbinë.

Deputeti nga LDK-ja Nuredin Ibishi, i cili ishte iniciues për raportimin e  drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, përveç kontrollit ajror dhe sigurisë në përgjithësi në këtë aspekt, kërkoi sqarime nga Gjonbalaj për Aeroportin e Gjakovës dhe Dumoshit.Sipas tij, aeroporti i Dumoshit, është jo funksional  dhe i uzurpuar nga një shërbim i EULEX-it.  Edhe Gjonbalaj shprehu shqetësimin e Aviacionit Civil për mos funksionimin e dy aeroporteve në fjalë. Ai theksoi se duhet të iniciohet përdorimi i këtyre aeroporteve, Gjakovës dhe Dumoshit për qëllime të cilat edhe janë ndërtuar.Gjonbalaj shtoi se janë duke punuar dhe përgatitur të gjithë infrastrukturën fizike për marrjen nën kontroll të hapësirës së lartë ajrore, ku sipas tij, kjo shumë kap vlerën e rreth 35 milionë euro. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës si institucion i pavarur rregullon veprimtarinë e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës dhe është ofrues i shërbimeve të navigacionit ajror.

(kosovapress.com, 29/03/2017)