Leposaviq. Një vend i vogël në veri të Kosovës, kam shkruar për të, e dini. Vend që ka shumëçka për të ofruar, por edhe vend që nuk ka asgjë për të ofruar (kështu kam menduar në disa momente “dobësie”).
Por, ka diçka që mbetet. Ka ca gjëra që zgjasin në Leposaviq, gjëra që sado të mira apo të këqija të jenë, i lënë përshtypje secilit që jeton aty, por edhe të gjithë atyre që vijnë në Le-posaviq. Ky është një vend që ka potencial të madh turistik (tashmë kam shkruar për këtë); ka këtu shumë bukuri natyrore, përmendore historike, njerëz të mençur dhe qytetarë me merita. Pra ka shumëçka, por një vend për banorët e Leposaviqit, e edhe për mysafirët që e dëgjojnë rrëfimin për atë vend, është me të vërtetë diçka e veçantë.
KAFENEJA DUBRAVA!
Ajo ka përfaqësuar çdo gjë të mirë, çdo gjë të keqe në Leposaviq, ka përfaqësuar shuuumë gjenerata të banorëve të Leposaviqit; paj ajo kafene i ka ditur të gjitha fshehtësitë e Leposaviqit! E ndërtuar më 1968, ka kaluar nëpër periudhën e artë të socializmit, gjatë rënjes së tij, nëpër të gjitha marrëzitë dhe tmerret e viteve nëntëdhjetë, nëpër “periudhën e tranzicionit”, nëpër krizën ekonomike botërore… Por në atë kafene, pa marrë parasysh në cilën periudhë, gjithmonë ka qenë njëjtë, gjithmonë janë ndjekur zhvillimet politike, në një mënyrë që ishte unike vetëm për një “in-stitucion politik” të tillë (më të vjetrin). Aty gjithmonë secili ka ditur çdo gjë, të gjithë kanë qenë edhe kryeministra edhe popull, more kanë qenë vetë TITO! Gjithmonë është ditur aty se kush është “patriot i vërtetë”, kush është “tradhtar”, kush do të vijë në pushtet, kush ka fjetur me gruan e kujt, natyrisht. Ajo i mbijetoi të gjitha këto, por jo edhe këtë “integrim të veriut”. U rrënua. Të them sinqerisht, nuk kam ide nëse kjo që po shkruaj tani ka ndonjë lidhje me njëra-tjetrën, por për mua rrënimi i kësaj kafeneje vërtetë ka domethënie simbolike. Ditën kur u rrënua ajo kafene, në Leposaviq nuk keni mundur të gjeni një njeri që në një mënyrë nuk ka folur me nostalgji dhe melankoli për të. Ishin komente të tilla si: “Eh, sa para kam lënë unë aty”, përgjigjja e ish-kamarierit “Sa para i kam fituar unë aty”. “Aty u njoha me bashkëshorten time!”; “Aty jam dehur për herë të parë”; “Tani ka ardhur koha që ne serbët t’i rrënojmë tonat e që shqiptarët të na i ndërtojnë”.
E vërejtët këtë komentin e fundit? Po, e vërejta edhe unë. Prandaj edhe po e shkruaj këtë blog. Kjo është simbolika të cilën po e shoh… jo që po e shoh unë, por simbolikën që e njoha tek njerëzit e Leposaviqit. Ajo kafene, ajo kafene e stërvjetër, gati duke u rrënuar, objekt përqeshjeje e qytetit, ka përfaqësuar diçka të tyre (tonën), diçka që të gjithë e duam, diçka me të cilën të gjithë jemi kënaqur. Sado që ishte e shkatërruar, kam përshtypjen se njerëzit në Leposaviq më shumë do ta duan atë kafene të shkatërruar se sa parkun më të rregulluar që do të ndërtohet në atë vend. Park që do të ndërtohet me mjete nga buxheti i Kosovës, si shumë gjëra të tjera që kanë filluar të ndërtohen kohëve të fundit në këtë komunë për të shpenzuar disi atë buxhet i cili gjatë tërë vitit nuk është shfrytëzuar për arsye të ndryshme e shumë të marra. Çfarë shoh unë në komentin e bashkëqytetarit tim për kafenenë… për një kafene të zakonshme? Po e shoh porosinë që për të është shumë më i dashur shteti i tij – sado që të ndihet apo të mos ndihet i tradhtuar prej tij, Leposaviqi i tij, kafeneja e tij e shkatërruar, sesa cilido “shtet demokratik, multietnik dhe i rregulluar” në të cilin është integruar pa asnjë faj; cilado qendër shumë e rregulluar tregtare, park apo çkado tjetër që vjen që ai të integrohet në mënyrë të suksesshme.
Si e shoh unë këtë… derisa nuk ndodhi e konsideroja si marrëzi, tani që po ndodh po e shoh disi më shumë si krenari. Por në çfarë situate gjendemi, duket që krenaria është marrëzi.