Kurti është kthyer, një njeri të cilit i pëlqen të marrë të gjitha vendimet vetë është zgjedhur përsëri në pozitën e kryeministrit të Kosovës. Me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kosovës zgjodhën Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti të hënën, më 22 mars. Qeveria u votua nga votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe komuniteteve pakicë, pa Listën Serbe dhe partitë e opozitës.
U zgjodh Kryetari i Kuvendit (Glauk Konjufca) dhe pesë nënkryetarë, Ministrat dhe Kryeministri. Është interesante që Kosova është ende pa president, ushtruesi i detyrës së presidentit është Vjosa Osmani. Është e qartë për të gjithë se Kurti do t’i tërheqë pak a shumë të gjithë penjtë, një udhëheqës që nuk është edhe aq i gatshëm të bëjë lëshime.
Kurti deklaroi se pandemia e virusit korona do të jetë sfida numër një dhe se qeveria e re gjatë këtij viti do të sigurojë vaksina për 60% të popullsisë. Kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë, Kurti theksoi se “pa njohjen e një Kosove të pavarur, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve midis dy popujve dhe dy vendeve.” Serbia duhet ta pranojë të vërtetën, shtoi ai. Cila është e vërteta, atë të cilën e sheh populli shqiptar apo populli serb, apo e vërteta është diçka në mes. Ndoshta këmbëngulja për “të vërtetën”, në qoftë se do të jetë në të njëjtën masë si insistimi për taksa dhe reciprocitet do ta sjellë kryeministrin në një pozitë të ngjashme me herën e kaluar, pavarësisht nga ndryshimet që kanë ndodhur në Amerikë. Besoj se tani ai do të veprojë më me mençuri, do të prekë terrenin dhe do të veprojë ashtu siç është më së miri për të. Është e qartë këtu edhe për zogjtë në degë se do të jetë ashtu siç thonë fuqitë perëndimore.
Vetëm që të mos nxitohet me pikëpamjet dhe konsekuencën e tij – Kurti e humbi pozitën e tij si Kryeministër herën e parë pikërisht për shkak të mungesës së të kuptuarit të rolit të fuqive të huaja. Mandati i tij i mëparshëm zgjati pak më shumë se pesëdhjetë ditë para se ai të humbte votëbesimin e Qeverisë. Besoj se ai nuk do të bëjë një gabim të ngjashëm tani, të paktën ka më shumë përvojë. Tani klima politike ka ndryshuar pak, mendoj se kjo është pikërisht ajo që i përshtatet politikës së Kosovës. Në krye të SHBA-së erdhi Joe Biden, një president i cili me siguri do të jetë më i mirë për qeverinë e Kosovës sesa paraardhësi i tij Donald Trump. Me pak fleksibilitet, bindje dhe besnikëri ndaj vendeve që “formësojnë” fatin e Kosovës, Kurti mund të arrijë suksese të mëdha. Ndoshta këto suksese nuk do të përputhen me ideologjinë e tij, por a thua sa rëndësi ka kjo. Ajo që është e rëndësishme është progresi, ngritja e standardit jetësor, vendet e reja të punës, investimet, fabrikat, diçka që është e dukshme, diçka që do ta bënte Kosovën të lëviz. Ajo që gjithashtu shkon në favor të tij është që paraardhësi i tij nuk arriti të siguronte sasi më domethënëse të vaksinave, kështu që madje edhe një hap i vogël përpara në luftën kundër virusit Covid-19 do t’i sjellë atij pikë të rëndësishme politike. Rruga po hapet për ish-udhëheqësin e studentëve e tani kryeministër; disa nga kundërshtarët e tij politikë janë në Hagë. Mbase Kurti do të shfrytëzojë momentin dhe do të justifikojë pritjet e njerëzve që ia dhanë besimin atij në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Besoj se shumë vetë pyesin veten se çfarë risish do të na sjellë lideri i Kosovës? Taksa të reja, reciprocitet, arrestime, ndoshta disa investime të reja, standard më të lartë, punësim, vazhdim të dialogut. Sipas fjalëve të Kurtit, një nga prioritetet do të jetë edhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur, që numërojnë 1640. Kjo do të jetë një sfidë e madhe.
A do të ndryshojë Vetëvendosje jetën e njerëzve në Kosovë? Cila do të jetë pozita e serbëve dhe pakicave të tjera pas ardhjes së “politikës radikale” të kryeministrit Kurti? A do të shtypet korrupsioni dhe krimi i organizuar me ardhjen e Kurtit për një mandat të dytë si kryeministër? Dhe ajo më e rëndësishmja, a do të ringjallet një prej ekonomive më të dobëta në Evropë – a do të mund Kosova të ecë në hap me vendet evropiane?
Profili të cilin e ka personi si Kurti (me disa korrigjime) me të vërtetë është premtues. Qëndrimet e tij, konsekuenca, premtimet, perceptimi i situatës në të cilën gjendet Kosova ia kanë siguruar atij numrin më të madh të votave. Por a do t’ia ndalë pandemia apo fuqitë perëndimore do t’ia sabotojnë përpjekjet e tij për të vënë “rend” në shoqërinë e Kosovës mbetet të shihet në periudhën e ardhshme. Mbase ky mandat do të zgjasë pak më shumë se ai i mëparshmi.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.