Kthimi

Të kthehesh në vendin ku ke jetuar nënkupton të pranosh se rrethanat në atë shoqëri prej të cilës ike kanë ndryshuar. Nënkupton të pranosh se nuk ndihesh i rrezikuar. Qofsh shqiptar a serb. Kthimi është një proces mjaft delikat por shumë i rëndësishëm. Është një nga proceset themeltare të shtetësisë sonë. Dhe, prandaj, institucionet duhet të jenë tepër serioze për këtë proces. Sepse vetëm kështu e stimulojnë kthimin dhe vullnetin e shoqërisë për të mos penguar të kthyerit.

0
1378

Në Dragolevc të Istogut, para disa ditësh, ndodhi një incident. Iu vu flaka një pjese të vogël të materialit ndërtimor me të cilin do të ndërtoheshin shtëpitë për të kthyerit serb. Presidenti Thaçi u ngut ta cilësonte këtë si një incident ndëretnik, ashtu siç bëri edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete e udhëhequr nga Dalibor Jevtić. Ndërkohë, Policia e Kosovës vazhdon hetimet pa të dyshuar, kështu pra, duke mos ditur përkatësinë etnike të zjarrvënësit. Poashtu, policia tregoi se dëmi material nuk binte mbi të kthyerit, por mbi ndërtuesin, kompaninë ndërtimore, e cila ende nuk i kishte dorëzuar çelësat te familjet serbe – raporton Koha.

Natyrshëm të shkon mendja që incidenti mund të jetë ndëretnik. Por, në fakt edhe mund të mos jetë. Ta zëmë, ndokush mund të ketë ndonjë hatërmbetje me Kompaninë ndërtimore, dhe dëshiron t’i bëj dëm asaj. Por, këto janë vetëm hamendje. Dhe, institucionet nuk do të duhej të vepronin me hamendje. Pse, atëherë, ky turr e kjo përngutje për ta cilësuar incidentin si ndëretnik, pa poseduar provat e nevojshme?

Incidentet ndëretnike nuk e ndihmojnë procesin e kthimit. Ato i fusin frikën secilit që mendon të kthehet. Dënimi i tyre prej institucioneve tona është i detyrueshëm. Nuk kanë qare, shkaku i shtytësve ndërkombëtarë të këtij procesi, as Thaçi e as Jevtić, pa e dënuar një incident me motive etnike. Diskursi institucionalist nuk lejon shumë dredhime. Ai duhet të jetë i qartë, serik e i përvijueshëm, dhe më e rëndësishmja ekzakt i rregullt, fund e krye i përpiktë. Parregullsitë në diskursin institucional janë, tepër shpesh, të qëllimshme. Edhe nëse nuk janë të tilla, ato bartin mesazhe. Dhe, në deklaratën dënuese të Institucioneve tona e vërejmë qartë parregullsinë. Ato po dënojnë diçka, e cila ende nuk dihet se është ashtu siç pandehet. Dënojnë diçka, e cila mund të mos ekzistojë fare. Por edhe nëse i zbulohet ekzistenca më vonë, parregullsia mbetet sepse deklarata dënuese është dhënë në momentin kur provat e duhura nuk ekzistonin.

Një parregullsi e përngutje e tillë flet e bërtet. Ka vetëm një mundësi për falje të këtij deformiteti institucional: nëqoftëse do të dëftohej përfshirja emocionale e Thaçit, ta zëmë. Por askush nuk ka nevojë të besojë, që Thaçi vërtetë e dëshiron kthimin e serbëve në Kosovë. Aniqë nuk besoj që dikush e beson këtë. Thaçi si individ është krejt i parëndësishëm në këtë mes. Nuk na intereson. Ai që ka rëndësi është Thaçi si president. Dhe ajo që ka rëndësi këtu është vetëm rregullsia. Askush nuk do të donte të mbetej në vullnetin e disa individëve me prapavijë të qartë nacionaliste. Nuk po flas vetëm për shqiptarë. Nëse do të banoja në Serbi, dhe do të ikja nga rrethana lufte prej shtëpisë sime atje, atëherë për t’u kthyer nuk do të mbështetesha në një individ vullnetmirë por në mënyrën sesi funksion mekanizmi shtetëror. Institucionet serioze do të më jepnin sigurinë e dëshiruar.

Të kthehesh në vendin ku ke jetuar nënkupton të pranosh se rrethanat në atë shoqëri prej të cilës ike kanë ndryshuar. Nënkupton të pranosh se nuk ndihesh i rrezikuar. Qofsh shqiptar a serb. Kthimi është një proces mjaft delikat por shumë i rëndësishëm. Është një nga proceset themeltare të shtetësisë sonë. Dhe, prandaj, institucionet duhet të jenë tepër serioze për këtë proces. Sepse vetëm kështu e stimulojnë kthimin dhe vullnetin e shoqërisë për të mos penguar të kthyerit.

Të kthehesh nuk nënkupton thjesht të kthehesh në një shtëpi, por të kthehesh në një shoqëri të caktuar duke besuar se nuk do të ndodhet në rrethanat e njëjta. Për këtë ka domethënje të madhe që mesazhet institucionale të mos i japin askujt idenë se përmbajnë dromca shtirjeje.