Para një kohe Eurostat i botoi, e portali lokal, KosSev, i transmetoi të dhënat për shpërnguljen e popullatës nga këto hapësira në vendet perëndimore që gjithsesi janë shkatërruese dhe të tilla që tërheqin vërejtjen. Të dhënat janë të tilla që duhet të brengosin secilin që mendon seriozisht, kurse ata të cilët kanë fuqi të vendosin t’i vë në lëvizje që t’i ndryshojnë disa gjëra në mënyrë që ky trend të ngadalësohet ose, në rastin më të mirë, të ndalet. Numri prej 51,000 personash sa janë larguar nga Serbia dhe rreth 34,500 sa janë larguar nga Kosova vitin e kaluar janë shifra që në vetvete duhet të jenë temë e një bisede më serioze e atyre që me vendimet e tyre mund të ndikojnë në krijimin e një situate të tillë ku paraqiten ato shifra. Natyrisht, mendojmë për politikanët të cilët me veprimtarinë e tyre duhet, nëse janë politikanë seriozë, të bëjnë gjithçka që është e mundur që këto shifra të ulen.
Në tetor mbahen zgjedhjet në Kosovë, e në pranverë kjo e pret edhe Serbinë, kështu që ky është një rast unik që qartësisht të propozohen plane se në çfarë mënyre do të ndryshohej një situatë e tillë, sepse, nëse vazhdon një trend i tillë, do të jetë absurde edhe të mbahen zgjedhjet sepse nuk do të ketë votues, bile jo të tillë që në mënyrë adekuate mund të ndikojnë në rrjedhat politike.
Por, si zakonisht, duhet që tërë kësaj t’ia shtojmë fjalën për fat të keq, sepse as njëra palë e as tjetra nuk kujdesen për këtë dukuri, edhe pse megjithatë do të mund të thuhej që Serbia prapëseprapë po i bën disa përpjekje në drejtim të duhur derisa Kosova nuk ka bërë asgjë që një trend i tillë të ndryshohet. Duke e pasur parasysh këtë, do të mund të paraqitej teoria se në Kosovë largimi i qytetarëve në një mënyrë ka edhe mbështetjen e pushtetit sepse është normale që individë të shkojnë në vende që janë shumë më të zhvilluara, dhe kështu me ardhjet e tyre të kohëpaskohshme në Kosovë mund t’i kontribuojnë më shumë rrjedhave financiare sepse paratë e fituara në shtete të jashtme i investojnë në Kosovë. Tingëllon tejet absurde por në terren vërehet pikërisht kjo, sepse kushdo që kalon një herë nëpër rrugën Mitrovicë-Prishtinë, do të shohë një numër shumë të madh të objekteve bashkëkohore të banimit dhe afariste të cilat janë të zbrazta, e kjo është për arsye se pronarët nuk jetojnë në Kosovë por në shtete të jashtme. Kjo thjesht mund të konkludohet edhe nga stili dhe arkitektura e këtyre objekteve, e thjesht edhe nga rrëfimet e banorëve lokalë që nuk fshehin faktin se në Kosovë shtëpi të re ndërton vetëm ai që nuk jeton në Kosovë.
Natyrisht, një situatë e tillë është edhe në mjediset ku banojnë serbët, por në një shkallë shumë më të ulët, si për shkak të vetë numrit të popullatës serbe ashtu edhe për shkak të ndikimit të Beogradit përmes fondeve të ndryshme në mënyrë që ky trend të ndalet. Por gjithsesi një trend i tillë ekziston edhe tek serbët e Kosovës, sepse, siç kam thënë në njërin nga bllogjet e kaluara, frika dhe uria nuk kanë përkatësi kombëtare, ato janë të njëjta për të gjithë.
Edhe pse shifrat janë tmerruese, për to flitet disa ditë pas publikimit dhe menjëherë pas kësaj mbretëron një heshtje dhe qetësi sepse zakonisht për tema jo të popullarizuara askush nuk dëshiron të flas. Por e shprehur me përqindje, Kosova dhe Shqipëria, me mbi 2% të të shpërngulurve në vit, janë në krye të kësaj liste mosmirënjohëse çka në vetvete imponon përfundimin se ose dikush e ka planifikuar këtë, ose gjendja në shoqëri është aq e keqe saqë procesi i shpërnguljes ka marrë aq shumë hov sa është e pamundur të ndalet. Por për këtë flasim dhe shkruajmë ne në këtë bllog, kurse ata që do të duhej të flasin dhe të punojnë kundër këtij trendi, ata në mënyrë shqetësuese po heshtin.