Kujtime në vend të luftërave

A e keni pyetur veten se çka do të ndodhte po t'i bënit bashkë disa njerëz në të njëzetat e hershme të tyre nga komuniteti shqiptar dhe ai serb? Si do të dukej kjo? Nga 30 prilli deri më 7 maj të këtij viti ndodhi pikërisht kjo në Youth Peace Camp në Strazbur. Është fjala për një eveniment që e organizon Këshilli i Evropës e që për qëllim ka grumbullimin e të rinjve nga zonat ku ka pasur konflikte me qëllim të krijimit të dialogut dhe pjesëmarrjes në aktivitete të transformimit të konfliktit.

0
1143

Kanë kaluar 18 nga lufta në Kosovë. Gjatë po kësaj periudhe, ka ardhur deri te konfliktet edhe nga njëra edhe nga pala tjetër. Vitet që mbetën pas nesh lanë një shije të hidhur kurse kujtimet për vitet e luftës nuk janë aspak të lehta. Viteve të fundit mund të thuhet që po jetojmë në një paqe iluzore të bazuar në marrëveshjet e nënshkruara nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, sado që nuk ka konflikt të hapur, politikanët tanë në baza ditore japin deklarata të ndryshme populiste të cilat nuk bëjnë asgjë tjetër pos që nxisin tensionet nga të dyja anët. Kështu ishte në fillim të vitit kur politikanët serbë dërguan trenin famoz, kur vendosën që në Mitrovicë të ndërtojnë murin. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot kur fushata zgjedhore është në hovin më të madh për parlamentin e Kosovës. Kërcënimet që mund të dëgjohen nga politkanët kosovarë nuk dallojnë hiç prej atyre që vinin nga pala serbe. Politikanët, ata mbase mendojnë se kjo është në rregull. Se kështu duhet të jetë. Por këtu shtrohet ajo pyetja e kahmotshme: çka ndodhë me njerëzit e rëndomtë që jetojnë në Kosovë? A shkojnë këto deklarata luftënxitëse në dobi të tyre? Natyrisht që jo. 

Por, nuk është ky tekst as për politikanët e as analizë e deklaratave të tyre. Ky është tekst për njerëzit e rëndomtë që jetojnë në Kosovë. A e keni pyetur veten se çka do të ndodhte po t’i bënit bashkë disa njerëz në të njëzetat e hershme të tyre nga komuniteti shqiptar dhe ai serb? Si do të dukej kjo? Nga 30 prilli deri më 7 maj të këtij viti ndodhi pikërisht kjo në Youth Peace Camp në Strazbur. Është fjala për një eveniment që e organizon Këshilli i Evropës e që për qëllim ka grumbullimin e të rinjve nga zonat ku ka pasur konflikte me qëllim të krijimit të dialogut dhe pjesëmarrjes në aktivitete të transformimit të konfliktit. Këtu vijmë deri tek pyetja: pse konotacioni politik në fillim ishte i rëndësishëm? Është tejet i rëndësishëm sepse derisa këta dymbëdhjetë të rinj bisedonin për situatën në të cilën jetojnë në nivelin politik nuk ka qenë aspak e lehtë për ta. E tillë është përditshmëria, përplot zhvillime politike, përplasje politike dhe debate. Shumë lehtë bartet edhe në jetën e të rinjve të cilët ndoshta edhe nuk e duan këtë. Ashtu si edhe në politikë, nuk ishte lehtë të dakordoheshin se si ta quajnë Kosovën, rreth historisë, situatës aktuale… Por çka ndodhë në momentin kur këta të rinj janë vetëm të rinj e asgjë tjetër? Çka ndodhi në atë moment kur u dakorduan se nuk pajtohen sa i përket politikës, që situata është e keqe për shkak të politikanëve dhe që ata janë vetëm të rinj të cilët kanë shumë më tepër ngjashmëri se sa dallime që janë imponuar nga periudha e pasluftës? Çka ndodhi kur u kujtuan se dikush në vend të tyre bëri një mur, dërgoi një tren, bënte thirrje për luftë, ndau një qytet? Ky është momenti kur fitoi ajo që ne e quajmë njerëzi. Momenti kur rinia i rrënoi të gjitha barrierat e imponuara. Është një moment i çuditshëm kur ndoshta për herë të parë njoftoheni me njerëzit që jetojnë në “anën tjetër.” Por është gjithsesi moment edhe më i bukur kur e kuptoni që ata nuk janë asgjë tjetër pos të njëjtë sikurse ju. Me të njëjtat frika dhe shpresa, të njëjtat dëshira dhe interesime. Këta janë të rinj të njëjtë sikurse ju, kanë përjetuar gjëra të ngjashme. Shumë gjëra nuk i kanë dëshiruar kurrë, ato u janë imponuar. Ky është momenti kur i tejkaloni të gjitha historitë e përditshme politike. Atëherë e kuptoni që të gjithë ata njerëz që flasin për luftëra të reja në baza ditore nuk ju dëshirojnë asgjë të mirë as juve e as njerëzve në anën tjetër. Kjo është, për fat të keq, politika e interesit tejet personal. Kur keni rastin, si në këtë Youth Peace Camp, që ndoshta për herë të parë të dëgjoni edhe anën tjetër, atëherë e ndryshoni mendimin. Thjesht e kuptoni. Atëherë vini tek ajo që dëshironi që të ndryshoni gjithçka. Duke filluar nga vetja, pastaj duke vazhduar me familjen dhe rrethin e ndoshta një ditë edhe ata politikanë që na baza ditore na shtyjnë në luftë. Dhe këtu është e tërë poenta. Dhe kjo është diçka në të cilën duhet të punojmë të gjithë së bashku pavarësisht se prej cilit komunitet vijmë. 

Këtu vijmë edhe deri tek përgjigja se për çfarë arsye janë të rëndësishme ngjarje të këtilla. Është e qartë. Nëse dymbëdhjetë persona ia dolën që të ndërtojnë miqësi, që të pajtohen dhe të bisedojnë si njerëz krejtësisht të zakonshëm, ky është do të thoja një fillim i mirë. Për njerëzit e moshës sime është tejet e mjaftueshme se janë rritur në luftë, se gjatë viteve të cilat është dashur të jenë pabrenga kanë përjetuar momentet më të vështira. E mjaftueshme, e bile edhe e tepruar. Konsideroj që ne të rinjtë që jetojmë në Kosovë jemi pikërisht ata që duhet të bëjnë diçka që ato vitet e luftës të mos na përsëriten kurrë. Të bisedojmë, të këmbejmë përvojat, të krijojmë miqësi me njerëzit nga pala tjetër, të punojmë dhe të jetojmë së bashku. Të krijojmë kujtime në vend të luftërave. Ky grup dhe grupet e mëparshme të pjesëmarrësve në këtë Youth Peace Camp janë një provë e mirë për këtë. Nëse kanë mundur ata, mundemi edhe ne.