Kultura diplomatike

Përcaktimi i prioriteteve në marrëdhëniet ndërshtetërore është sigurisht pjesë e punës së presidentit të një shteti, por kjo sigurisht që nuk përjashton bashkëpunimin me të gjithë në rajon, megjithëse nga deklaratat e tilla mund të konkludohej se disa prioritete vetvetiu përjashtojnë njëra-tjetrën.

0
335

Tashmë jemi mësuar që politikanët në rajon të flasin shumë shpesh për çështje në të cilat nuk mund të ndikojnë, sepse kjo është në një farë mënyre sindromë e një lideri të vogël, por nganjëherë kjo mënyrë e të shprehurit është krejtësisht e papranueshme nëse bëhet fjalë për një çështje të brendshme të një vendi fqinj. Në të vërtetë, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, gjatë vizitës së tij në Kosovë, në një konferencë zyrtare për media ka dhënë një deklaratë se nuk e ka të qartë se si disa vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe se ai vetë do të angazhohet që kjo çështje të zgjidhet në dobi të Kosovës. Sigurisht, kjo deklaratë nuk do të kishte ndonjë rëndësi politike nëse çështja e Kosovës do të ishte një problem që mundon një vend të largët, por ky është një problem i cili drejtpërsëdrejti ndikon në Serbinë, një vend me të cilin Kroacia ka një kufi tokësor dhe me të cilin, të paktën deklarativisht, përpiqet të ketë marrëdhënie korrekte, megjithëse ato janë shumë larg të qenit korrekte.

Sigurisht, askush nuk harron se një deklaratë e tillë mund të ketë vetëm një rëndësi mirësjelljeje në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen e Presidentes së Kosovës, por sigurisht që nuk është aspak e përshtatshme, të paktën jo në një kohë kur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë në një pikë të vdekur, pa ndonjë shpresë të madhe për të lëvizur nga ajo pikë. Një situatë e tillë, gjithsesi, kërkon në mënyrë të heshtur nga të gjithë liderët rajonalë që të përmbahen nga deklaratat që mund të dëmtojnë marrëdhëniet me njërën nga palët, por kjo veçse është çështje e kuptimit personal të korrektësisë politike në marrëdhëniet në rajon. Derisa shumica e liderëve fqinjë përmbahen nga deklaratat lidhur me këtë çështje, dihet se presidentit të Kroacisë i pëlqen të komentojë liderët në rajon, më së shpeshti në kontekst negativ, kurse marrëdhëniet në rajon i vendos në fund të agjendës së tij. Nga komentet negative për liderët boshnjakë në Sarajevë deri te anulimi i vizitës tek ta, e deri te deklarata që është temë e këtij teksti, presidenti i Kroacisë bëri një sërë deklaratash që të paktën mund të komentoheshin si aspak të nxitura dhe politikisht jokorrekte, ose më mirë të thuhet të pakulturuara.

Përcaktimi i prioriteteve në marrëdhëniet ndërshtetërore është sigurisht pjesë e punës së presidentit të një shteti, por kjo sigurisht që nuk përjashton bashkëpunimin me të gjithë në rajon, megjithëse nga deklaratat e tilla mund të konkludohej se disa prioritete vetvetiu përjashtojnë njëra-tjetrën. Një deklaratë e tillë e bën të pakuptimtë vendosmërinë e Kroacisë për të pasur marrëdhënie korrekte me Serbinë. Negociatat në Bruksel janë kryesisht çështje e brendshme e Serbisë dhe Kosovës dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me vendet e tjera të rajonit kështu që edhe ky është një nga argumentet që deklaratat e llojit të tillë nga liderët e vendeve fqinje janë para së gjithash të panevojshme sepse nuk kontribuojnë për asgjë të mirë. Kjo deklaratë as nuk do t’i detyrojë vendet e përmendura të BE-së që ta njohin Kosovën dhe as që do të ndodhë ndonjë gjë pompoze në Kosovë për shkak të saj, por gjithsesi këto deklarata kontribuojnë që marrëdhëniet edhe ashtu të tendosura në rajon të tendosen deri në pikën e shpërthimit, e askush këtu nuk ka nevojë për këtë.

E kemi theksuar disa herë se deklarata e një qytetari mesatar nuk e ka të njëjtën peshë si deklarata e presidentit të një vendi apo të një politikani, në kuptimin më të gjerë të fjalës, kështu që ndonjëherë mund të shkaktojë habi që deklarata të këtij lloji jep presidenti i një shteti që është anëtar i BE-së. Me qëllim po e theksojmë se shteti i përmendur është anëtar i BE-së për shkak se edhe negociatat për normalizimin e marrëdhënieve po udhëhiqen nën patronatin e BE-së, e këto negociata filluan nga qëndrimi i paanshmërisë ndaj palëve negociuese. Kështu që kjo deklaratë vë në pikëpyetje kohezionin brenda BE-së, sepse nëse prej vendeve kandidate kërkohet të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me dispozitat e BE-së, a nuk do të duhej që e njëjta gjë të vlejë edhe për anëtarët e BE-së.

Sido që të jetë, deklarata është dhënë, në stilin e presidentit Milanović, me arrogancë, vetëbesim, në mënyrë populiste dhe, mbi të gjitha, e pa bazuar në diçka. Një stil politik që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm si në rajon ashtu edhe në botë, shumë fjalë e pak rezultate, sa më shumë fjalë të mëdha dhe sa më pak kuptim në to. Është e qartë që kjo jep rezultate, nëse jo reale, atëherë të paktën rezultate politike që më së shpeshti janë të padukshme për qytetarin e zakonshëm i cili megjithatë do të duhej të ishte në qendër të veprimtarisë së një politikani serioz. Do të mund të thuhej se ka ardhur një kohë e re e cila nuk ka ndonjë lidhje të tepruar me kuptimin dhe arsyen kurse neve na takon që të mësohemi me të.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.