Kushtet për kthimin e serbëve janë përmirësuar dukshëm, thotë OSBE

Progres i dukshëm është shënuar në periudhën e fundit sa i përket kthimit të serbëve të zhvendosur nga Kosova. Qeveria, komunat dhe organizatat jo qeveritare janë duke implementuar disa projekte për t’u dalë në ndihmë të kthyerve, qoftë në banim, punësim si dhe pajisje me dokumente personale. Megjithatë rastet e incidenteve me motive ndëretnike në disa vende ende janë prezente

0
677

Përmirësimi i situatës së sigurisë ka bërë që kthimi i serbëve të zhvendosur në Kosovë të jetë më i sigurt dhe pa pengesa. Shumë serbë kanë realizuar pelegrinazhe në zonat e tyre të banimit në Kosovë, proces ky që në të kaluarën ishte përcjellë me shumë vështirësi. Tani serbët që jetojnë në Shtërpcë shkojnë lirshëm në Rahovec dhe Ferizaj për të festuar Ditën e Shën Gjonit. Qarkullimi pa pengesa është edhe si rezultat i masave që ka ndërmarrë policia e Kosovës në krijimin e një ambienti më të sigurtë. Kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit të gjitha detyrat dhe autorizimet e saj ligjore i ndërmerr në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë, mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë për “New Perspektiva” zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kthimi i trembëdhjetë familjeve në Lubozhdë

Më 27 mars të këtij vitit është realizuar kthimi i trembëdhjetë familjeve serbe në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut. Kjo komunë ka shprehur gatishmërinë e vet për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për të kthyerit, ku përveç rinovimit të shtëpive ata kanë ofruar mundësinë që përmes granteve këto familje të marrin një ndihmë të vogël, për të filluar ndonjë punë. Me këtë rast, ministri për komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtić, pati qëndruar në njërën prej familjeve të kthyera për t’u ofruar mbështetjen e qeverisë së Kosovës.

“Ministria për Komunitete dhe Kthim do të jetë këtu çdo ditë për të ndihmuar këta njerëz, në këtë këmbëngulje të tyre dhe dëshirës për t’u rikthyer. Për në është e rëndësishme që të gjithë trembëdhjetë familjet të cilët kanë shprehur dëshirën për t’u kthyer të jenë këtu sa më shpejt për të pasur një çati mbi kokë”, kishte thënë Jevtić.

Edhe banorët e këtij fshati janë shprehur të lumtur për kthimin në shtëpitë e tyre, pas tetëmbëdhjetë viteve. Žarko Zarić ka thënë se shembulli i tyre është mesazh edhe për të tjerët që të kthehen aty ku i kanë shtëpitë.

“Nga fqinjët shqiptarë kemi marrë mirëseardhje për kthim, disa nga ata na ftuan për kafe. Për këtë arsye nuk frikësohemi, besojmë se gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë Zarić.

Megjithatë, vetëm disa ditë më vonë Ministria për Komunitete dhe Kthim tha se dy incidente që kishin ndodhur brenda një dite dhe një protestë kundër të kthyerve “japin të mendojmë se dikush seriozisht është kundër procesit të kthimit edhe pse ai nuk është në nivelin në cilin duhet të ishte.” Ministria për Komunitete dhe Kthim ka theksuar se “incidentet e tilla e vështirësojnë edhe më tej punën e rëndë për kthimin e atyre që janë të interesuar për t’u kthyer.” Po ashtu, në lidhje me mbishkrimet fyese të paraqitura ditët e fundit në Lubozhdë, ministri Jevtić shprehu shqetësim dhe kërkoi nga organet kompetente mbrojtje më të mirë për serbët në këtë fshat.

Sidoqoftë, deri tani janë realizuar edhe shumë projekte për t’i ndihmuar të kthyerit.

Njëri prej tyre është projekti BRICK, i cili ka për qëllim të përmirësojë qasjen e të kthyerve në shërbimet qeveritare në nivel qendror, në radhë të parë përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrave Komunale për Komunitete në nivelin e lokal. Ky projekt është implementuar në gjashtë komuna të Kosovës: Gjilan, Istog, Shtërpcë, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë dhe Pejë. Projekti është financuar nga ana e Byros së Shteteve të Bashkuara- Departamenti për Popullsi (PRM) dhe i implementuar nga ana e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Me të janë mbështetur direkt 20 familje (83 persona) të komunitetit jo-shumicë, që përfshinin riparime të vogla të shtëpive të banimit dhe mbështetje për riintegrimin e tyre, nëpërmjet vetë-punësimit. IOM ka mbështetur me këtë projekt tri ndërmarrje sociale, prej të cilave janë dy të reja. Me këtë rast është mundësuar krijimi i 15 vendeve të përhershme të punës dhe 49 vende pune sezonale.

Procesin e kthimit të serbëve në Kosovë, gjatë tërë kohës e ka mbikëqyrur Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE). Sipas këtij misioni, viteve të fundit, kushtet për kthim janë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme.

“Progres i dukshëm është bërë edhe në periudhën e fundit. Kohët e fundit, brenda kornizës së iniciativës ndërinstitucionale të sponsorizuar nga OSBE dhe UNHCR për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova (“Procesi i Shkupit”), janë ndërmarrë disa masa për të lehtësuar kthimin më të lehtë dhe më të sigurt të personave të zhvendosur”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të OSBE-së.

Takimi i fundit i “Procesit të Shkupit” është mbajtur në mars të këtij viti, proces i nisur para dy vitesh. Me këtë rast ministri për komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtić pati njoftuar se  Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren e cila do të lehtësojë marrjen e dokumenteve personale në Kosovë. Sipas tij, kjo rregullore më së shumti do t’i ndihmojë personat e zhvendosur për të marrë dokumente personale. Rekomandim tjetër i dalë nga ky proces është kërkesa për efikasitet më të madh në zgjidhjen e çështjeve pronësore, me të cilat përballen të zhvendosurit.

Rastet e incidenteve ndëretnike, ende prezente

Megjithatë rastet e incidenteve që mund të kenë motive ndëretnike janë ende prezente. Policia e Kosovës ka vënë në dispozicion dhe raportin e azhurnuar sa i përket rasteve me motiv të mundshëm ndëretnik për periudhën janar-korrik 2017. Gjithsejtë janë 15 raste në periudhën Janar-18 Gusht, 2017. Sipas statistikave, në janar janë regjistruar 4 raste, në shkurt 3 raste, në prill 4 raste, maj 2 raste dhe korrik 2 raste. Natyra e rasteve të incidenteve, sipas policisë është: Prishje e rendit dhe qetësisë publike, shkrim i grafiteve, nxitje e urrejtjes fetare, etnike dhe racore, lëndim i lehtë trupor etj.

“Rastet kryesisht janë nën hetime dhe të proceduara tek organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Siç ka njoftuar OSBE-ja, Policia e Kosovës është zotuar të mbajë patrullat e tanishme multietnike në zonat e kthimit dhe të vendosë të tjera në të ardhmen, kur është e nevojshme.

“Ajo (policia) gjithashtu do të përpiqet të marrë më shumë pjesëtar të komuniteteve në procesin e ardhshëm të rekrutimit për anëtarët e rinj të policisë. Siç ishte rasti në një fshat të ri të kthyer në Lubozhdë në komunën e Istogut, policia e Kosovës do të vendosë pikat statike dhe patrullat e natës kur të nevojitet në të ardhmen”, thonë në OSBE.

Sipas Misionit të OSBE-s, komunat me numrin më të madh të incidenteve që kanë të bëjnë me të kthyerit janë: Istogu, Klina dhe Peja. OSBE ka njoftuar se këto komuna së bashku me policinë e Kosovës do ta konsiderojnë instalimin e kamerave të sigurisë nëpër disa fshatra.

Në OSBE kanë thënë se tri fshatra me serbë të kthyer nga Istogu, Klina dhe Peja, ndër të cilat është edhe Lubozhda, kanë shprehur dëshirën për t’u përfshirë në Komitetet Lokale të Sigurisë Publike.

“OSBE shpreson që kuadri i shëndoshë ligjor dhe institucional në Kosovë, së bashku me përmirësimet e përmendura dhe të ngjashme që do të futen në periudhën e ardhshme, do të përmirësojë shkallën e kthimit, gjë që nuk ka qenë e kënaqshme pavarësisht progresit të shënuar”, kanë thënë në OSBE.

Problemet me të cilat ballafaqohen të kthyerit

Sa i përket problemeve kryesore më të cilat përballen serbët e kthyer, sipas OSBE-s, ato janë problemet pronësore, përkatësisht pamundësia që serbët t’u qasen pronave të tyre.

Mungesa e kushteve socio-ekonomike mbetet një problem tjetër në periudhë afatgjatë për të kthyerit. Sipas OSBE-s, ekzistojnë disa vende të ashtuquajtura të vështira për kthim për shkak të qëndrimeve negative të banorëve rezidentë ndaj të kthyerve potencialë. Ata kanë përmendur rastin e 21 gushtit të vitit të kaluar kur në Mushtisht ishte vendosur një tabelë kundër kthimit të serbëve.

“Më 28 gusht rreth 500 protestues shqiptarë të Kosovës penguan 150 serbë të Kosovës që të vizitonin Kishën Ortodokse Serbe në të njëjtin fshat. Më 31 tetor, kuvendi komunal në Suharekë miratoi një deklaratë kundër kthimit të serbëve, por ekzekutivi komunal ka qenë i angazhuar pozitivisht në këtë çështje”, thonë në OSBE. Rasti tjetër që kanë përmendur është ai i gushtit të këtij viti kur një serb i Kosovës me origjinë nga Mushtishti u arrestua gjatë vizitës së pelegrinëve, për përfshirje të dyshuar në krime lufte. Po ashtu, vitin e kaluar nuk ishte përfunduar me sukses një vizitë vajtje-shkuarje në Deçan, pasi tetë të kthyerit u evakuuan nga Policia e Kosovës prej ndërtesës së komunës pas ngacmimit verbal nga një punonjës komunal. Sipas OSBE-s, këto zhvillime ndikojnë negativisht në perceptimet e të kthyerve potencialë.

Megjithatë nga monitorimi i rasteve të incidenteve ndëretnike, sipas OSBE-s, ka rënie të ndjeshme të numrit të tyre, krahasuar me vitet paraprake. Sipas tyre, gjatë periudhës janar-korrik ka pasur 36 incidente të sigurisë që prekin të kthyerit, krahasuar me 61 incidente në periudhën e mëparshme raportuese (gjysma e dytë e vitit 2016).

“Megjithëse incidentet nuk janë domosdoshmërisht të motivuara etnikisht, natyra e disa prej tyre është ende serioze”, thonë në OSBE. Sipas këtij misioni, të 36 rastet e sigurisë, duke përfshirë uzurpimin e pronave dhe pengesat për kthim janë regjistruar në komunat: Gjakovë (4), Pejë (7), Deçan (2), Istog (15), Klinë , (4) Viti (1), Ferizaj (2), Shtimje (1).

“Rastet përfshinin dëmtimin e shtëpive të të kthyerve, mbishkrimet kundër të kthyerve, dëmtimin e pronave, vjedhjet, uzurpimin e pronave, fyerjen verbale, nxitjen e urrejtjes, zjarrvënien në shtëpitë e të kthyerve”.  Si rastet më serioze, OSBE-ka përmendur dy, në prill dhe maj në Dragolevc, në komunën e Istogut, ku dy shtëpi në ndërtim e sipër ishin djegur. Një tjetër incident serioz ishte vjedhja e shpendëve të një serbeje të kthyer në Petriq, në komunën e Klinës.

“Incidenti është serioz pasi ka ndodhur gjashtë herë brenda një viti”, kanë thënë në OSBE.