Kuzhina evropiane në Ohër 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajčak, do të deklarojë me krenari se është bërë progres në negociata. Besoj se ai e ka përgatitur terrenin mirë për këtë takim, sepse para tij ka pasur vizita në Prishtinë dhe Beograd. Ai ka shkuar në këto vizita për të siguruar fitoren, gjithçka për të ndikuar që opozita të mos ushtrojë presion dhe të mos ndryshojë diçka në momentin e fundit.

0
83

Aktorët kryesorë të filmit me regji të Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, takohen për të disatën herë dhe të gjitha me iniciativën e evropianëve. Kësaj here në qytetin e bukur në jug të Maqedonisë së Veriut, Ohër. Është koha për të rënë dakord për radhën e zbatimit të gjithçkaje për të cilën është rënë dakord. Së shpejti, më saktë më 18 mars, Vučić do t’i gëzojë serbët, kurse Kurti shqiptarët, pasi arritën të korrin suksese të rëndësishme, por u desh të bënin edhe lëshime të vogla ndaj palës tjetër të cilat “nuk do të ndryshojnë asgjë”. Epo, pikërisht në ato lëshime gjendet gjithçka që do të na komunikohet në mënyrën më të padhimbshme, kurse një pjesë e madhe do të heshtet. Praktikë e zakonshme, thjesht pritshmëritë nuk mund të jenë të ndryshme kur këtë e kemi parë tashmë disa herë. 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajčak, do të deklarojë me krenari se është bërë progres në negociata. Besoj se ai e ka përgatitur terrenin mirë për këtë takim, sepse para tij ka pasur vizita në Prishtinë dhe Beograd. Ai ka shkuar në këto vizita për të siguruar fitoren, gjithçka për të ndikuar që opozita të mos ushtrojë presion dhe të mos ndryshojë diçka në momentin e fundit. Këtë ndoshta e ka shijuar tashmë nga ballkanasit e “lyer”. Pavarësisht të gjithave, besoj se nuk është e pamundur që në fund të ndodhë diçka e kundërt nga ajo që është rënë dakord. Mirëpo, kushdo që do të “minojë” takimin do të marrë një ultimatum. Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, karriera politike e liderit të padëgjueshëm do të marrë një rrugë të gabuar. Kjo është e qartë edhe për zogjtë në degë, gjermanët dhe francezët nuk do të lejojnë disa “popuj të vegjël” atje të luajnë lojëra me ta.  

Opozita në Prishtinë dhe Beograd do të mundohet të luajë një rol të rëndësishëm në periudhën e ardhshme, por vështirë se do të ndryshojë diçka. Janë ata që krijojnë tension, akuzojnë për tradhti, për udhëheqje  të gabuar të politikës. Edhe pse nuk shfaqen në televizion në frekuencën kombëtare, në Beograd pati tubime të opozitës. Në një tubim, presidenti Vučić u kërcënua me snajper nga ultra të djathtët të cilët në fund përfunduan pas grilave. Opozita ka bërë skena dhe ka nisur një qërim fizik hesapesh me presidentin e vendit dhe e gjithë kjo ka ndodhur në Kuvendin e Serbisë në një transmetim të drejtpërdrejtë, për shkak të “tradhtisë” së Kosovës, siç thonë ata.

Në Prishtinë opozita po ashtu shpreh pakënaqësi, por ajo nuk është aq ekstreme sa ajo në Beograd. Madje edhe ambasada amerikane në Prishtinë shprehu shqetësim për shkak të qëndrimeve të opozitës kosovare. Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ka ndodhur ajo për të cilën ka paralajmëruar. “Kushtet dhe qëndrimet janë shkrirë para interesave dhe ambicieve personale për pushtet të kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin“, deklaroi ai, gjë që nuk është larg së vërtetës. Por as opozita serbe dhe as ajo e Kosovës nuk do t’ia dalin të sabotojnë atë që BE-ja, me Amerikën, sigurisht, ka planifikuar të bëjë. Ne jemi mjaft të vegjël për të marrë vendime thelbësore.

Rolet mosmirënjohëse që luajnë këta dy drejtuesë kanë edhe përfitimet e tyre, kanë anën e tyre më të bukur. Ndonëse, ajo anë më e bukur kryesisht nuk është me interes për njerëzit të cilët udhëhiqen nga ta, sepse ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk do të ndryshojë buxhetin e tyre familjar. Këto janë kryesisht paratë që BE-ja dhe Amerika do të investojnë në Kosovë dhe Serbi, të gjitha për të zgjidhur sa më shpejt konfliktin shumëvjeçar. Ato investime, donacione do të ndryshojnë jetën e njerëzve, por vetëm të atyre që janë të afërt me këta liderë. Milionat e derdhura në buxhet do të pastrohen përmes projekteve të ndryshme dhe sponsorizuesit do të mbyllin një sy sepse morën atë që kërkonin – nënshkrimin. Populli do të vazhdojë të ushqehet me lugë të vogël, është mësuar kështu dhe do të votojë sërish njësoj…. Dhe kështu në një rreth, deri te tensione të reja dhe marrëveshje të reja.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.