Lajçak: Vuçiq e kupton seriozitetin e situatës në veri

0
141

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “për të gjetur zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës”.

“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Lajçak deklaroi kështu pas një takimi që ka zhvilluar në Beograd me Vuçiqin dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Edhe presidenti serb shkroi në Instagram se biseda ka qenë “e sinqertë dhe korrekte”.

Një ditë më herët, dy diplomatët perëndimorë takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajçak, tha në Prishtinë se nuk preferon që barrikadat në veri të hiqen me buldozerë, por përmes rrugëve diplomatike.

Takimi vjen në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Gjashtë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor, që bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë aty.

Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të tyre.

Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu.

(evropaelire.org, 14/12/2022)