Liberalizimi i vizave në raport me çështjen e Dialogut

Vendimi për liberalizimin e vizave për shtetin e Kosovës në një formë nënkupton që faktori ndërkombëtar do të duhej edhe të punonte në drejtim të krijimit të mekanizmave të rinj kushtëzues për shtetet në procesin e dialogut pasi, siç u theksua, integrimi në strukturat evropiane për të dy shtetet paraqitet si një proces i largët dhe kjo nënkupton që shteteve duhet t’u vendosen korniza të qarta mbi sjelljen e tyre.

0
40

Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës prej datës 1 Janar 2024 përbën një variabël të re në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse në shikim të parë një gjë e tillë duket e ndarë nga dialogu, pritet që liberalizimi i vizave të ketë një efekt në çështjen e dialogut. Ky efekt pritet të jetë negativ pasi do të ndikojë që në mënyrë direkte të hiqet një element kushtëzimi që deri më tani ka shërbyer si një element rregullator për Kosovën dhe njëkohësisht ka balancuar edhe indirekt sjelljen e Serbisë. Po ashtu, heqja e vizave vijon ta defaktorizojë më tutje procesin e dialogut pasi incentivat për të dy shtetet tani vazhdojnë të jenë në dukje të largëta.

Deri në këtë pikë, shteti i Kosovës (dhe duhet të theksohet që kjo do të mund të konsiderohej krahasimisht e padrejtë) ka qenë i kushtëzuar në mënyrë pothuajse të vazhdueshme me procesin e dialogut sa i përket çështjes së vizave. Kjo, nëse e shikojmë nga perspektiva e sjelljes së shtetit të Kosovës, edhe do të mund të konsiderohej si efektive pasi shteti i Kosovës ka qenë parimisht konstruktiv në procesin e dialogut. Në fakt, mund të supozohet që edhe liberalizimi, ndonëse i vonuar, ka qenë ekskluzivisht rezultat i qasjes konstruktive të shtetit të Kosovës në raport me kërkesat e faktorit ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian në mënyrë të veçantë. Tani, megjithatë, integrimi i tërësishëm në strukturat e BE-së do të fillojë të perceptohet si një realitet i largët për shtetin e Kosovës dhe si i tillë mund të ndikojë që procesi i dialogut të fillojë të defaktorizohet si rezultat i mungesës së një nxitjeje ose ndëshkimi konkret për shtetin e Kosovës. Në fakt, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Dačić, kishte deklaruar (ndonëse kjo tingëllon pak ironike) që tashmë shteti i Kosovës ka një lloj lirie për të mos zbatuar marrëveshjet në vijim.

Në anën tjetër, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të shikohet edhe nga prizmi i shtetit serb në procesin e dialogut. Shteti i Serbisë në procesin e dialogut edhe është karakterizuar nga një mungesë evidente e sjelljes konstruktive. Kjo është shprehur më së miri në fushatën për të hequr njohjet e shtetit të Kosovës dhe refuzimin për të zbatuar shumë marrëveshje të arritura deri në këtë pikë. Duke u nisur nga perceptimi që liberalizimi i vizave do të lehtësojë kushtëzimet që përdoren nga Bashkimi Evropian për shtetasit e Kosovës, shteti serb mund të intensifikojë sjelljen jo-konstruktive në raport me procesin e dialogut. Kjo për faktin që është krijuar një situatë e atillë ku procesi i dialogut, edhe ashtu përgjithësisht joefektiv, vetëm sa do të vijojë të perceptohet si jorelevant për të dy shtetet. Kjo aq më tepër kur edhe Serbia nuk është që ka një të ardhme të qartë evropiane në këtë pikë.

Vendimi për liberalizimin e vizave për shtetin e Kosovës në një formë nënkupton që faktori ndërkombëtar do të duhej edhe të punonte në drejtim të krijimit të mekanizmave të rinj kushtëzues për shtetet në procesin e dialogut pasi, siç u theksua, integrimi në strukturat evropiane për të dy shtetet paraqitet si një proces i largët dhe kjo nënkupton që shteteve duhet t’u vendosen korniza të qarta mbi sjelljen e tyre. Në afat të shkurtër një proces i tillë do të duhej të fillonte me monitorimin e implementimit të marrëveshjes së fundit të nënshkruar mes dy shteteve duke krijuar pritje të qarta për sjelljen e shteteve në këtë proces dhe, njëkohësisht, duke ofruar edhe kushtëzime reale për të kundërtën. Një gjë e tillë do të kontribuonte në rritjen e rëndësisë së procesit të dialogut dhe mbi të gjitha në relevancën e këtij procesi kundrejt dy shteteve.

Liberalizimi i vizave është pa dyshim një hap i rëndësishëm për shtetin e Kosovës por ndikimi i këtij vendimi në proces të dialogut është jo i qartë e mbi të gjitha mund të thuhet negativ. Heqja e një kushtëzimi për shtetin e Kosovës dhe reagimi serb kundrejt këtij vendimi mund të prodhojë destabilizim të ri në procesin e dialogut. Ndonëse një gjë e tillë është hipotezë, është jetike për faktorin ndërkombëtar qartësimi i pritjeve për të dy shtetet për të vazhduar më tutje.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.