Liderët e Ballkanit Perëndimor me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave

1
177

Ka përfunduar punimet samiti i Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Olaf Scholz, ndërsa morën pjesë liderët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Liderët nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor.

Marrëveshjet e nënshkruara pas gati dy vjet negociatash, duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.

Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve mundëson lëvizjen e lirë, pa viza, edhe mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Ky është cilësuar një lajm i mirë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nga Prishtina në Sarajevë dhe nga Sarajeva në Prishtinë do të mund të udhëtohet vetëm me letërnjoftime, që është lajm shumë i gëzueshëm për dy vendet tona”, tha Kurti në konferencë për media.

Ndër tjerash, në komunikatën e qeverisë thuhet se marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë heq “një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit”.

Qeveria e Kosovës tha se marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale mundëson që mjekët, dentistët dhe arkitektët të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm në rajon, në kushte “ jo më pak të favorshme” me qytetarët e shtetit pritës.

Në këtë samit morën pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq – si dhe ata të BE-së.

Scholz: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjeve një “sukses jashtëzakonisht i madh për qytetarët e rajonit”, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

“Ky samit tregon se dëshira e përbashkët për të arritur marrëveshje është shumë e madhe, andaj Gjermania e përkrah fuqishëm këtë proces”, u shpreh Scholz në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve.

Ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në.

Scholz konfirmon dokumentin franko-gjerman

Në konferencën e mbajtur për shtyp, kancelari Scholz, foli edhe për planin franko-gjerman, që nuk është bërë publik, porse raportohet si një propozim për zgjidhjen e kontestit të kahershëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, u shpreh Scholz.

Kancelari gjerman, Scholz, nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë konfirmuar se kanë njohuri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Kurti, refuzoi të japë detaje mbi planin franko-gjerman, duke insistuar se “është respekt ndaj ndërmjetësit të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve konkrete”.

Por, ai tha se do të pranojë çfarëdo propozimi që bazohet në “vlera evropiane dhe demokratike” dhe që nuk cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti insistoi që Kosova do të pranojë një marrëveshje të tillë vetëm nëse përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve.

“Është herët të themi tani se çfarë do të përmbajë ajo në fund. Marrëveshja e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë finale, duhet të jetë për normalizimin të plotë, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke në qendër”, u shpreh Kurti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që ta marrin seriozisht planin franko-gjerman, pasi që e cilësoi si “një mundësi tejet të mirë, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin dhe botën”

Vuçiq, më 8 tetor, kishte deklaruar se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Kancelari gjerman, edhe në fjalimin në hapje të samitit, kishte kërkuar përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane”, kishte thënë Scholz, ndërsa kishte shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh e kënaqur me progresin që është bërë deri më tani në këtë proces.

“Ky është progres i mirë dhe ka qenë i mundur për shkak të suksesit të vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtu qëllimi është të thellojmë integrimin tonë ekonomik, pasi po sfidohemi me probleme të shumta, si lufta në Ukrainë”, u shpreh Von dey Leyen.

Ajo e vuri theksin te kriza energjetike në Evropë dhe pakoja prej një miliard eurosh që BE-ja ka ndarë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo bëri të ditur se gjysma e parë e kësaj shume do të vihet në dispozicion të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor gjatë dhjetorit të këtij viti dhe janarit të vitit 2023, ndërsa gjysma tjetër do të jetë investim më afatgjatë në infrastrukturë.

Von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë më 27 tetor, kishte bërë të ditur se BE-ja pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një postim në Twitter, theksoi rëndësinë e ndihmave financiare për mbulimin e kostove të energjisë.

“Gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë e Evropës dhe jetën e njerëzve në Ukrainë. Neve na duhen të dyja: energji e gjelbër dhe e qëndrueshme, por tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe kostot duhet të ndahen. Nevojitet solidaritet dhe mbështetje financiare”, shkroi Kurti.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi ishte përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi ishte fokusuar në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Shqipëria, nikoqire e takimit të radhës

Takimi i radhës mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi rezultatin e arritur në Procesin e Berlinit si “historia e bukur që ka qenë në zemër të projektit evropian”.

“Kur u ulëm këtu bashkë për herë të parë, ishim urryer për shekuj të tërë, ndërsa tash kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë. Të gjithë kemi pasur kënaqësinë të jemi sot këtu, tetë vjet pasi nisi Procesi i Berlinit”, u shpreh Rama.

Takimet në margjina të Procesit të Berlinit

Para fillimit të samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Zyra e kryeministrit njoftoi se ata biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, si dhe për vendimin e fundit i Qeverisë për targat ilegale.

“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Borrell shkroi në Twitter se gjatë këtij takimi me Kurtin u diskutua për situatën në veri të Kosovës dhe bëri thirrje të respektohen marrëveshjet e arritura në dialog.

“E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime. Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin”, shkroi ai.

(evropaelire.org, 03/11/2022)