Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit

0
102

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq.

Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel.

Krasniqi tha, po ashtu, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd reagoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim “të njëanshëm” dhe “të kundërligjshëm”.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij”, tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u takua në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në vend të tij, ai propozoi një “draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, “rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se është “shumë i shqetësuar”, sepse është e qartë se “Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë” për formimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Kosova është nën trysninë e ndërkombëtarëve për ta formuar Asociacionin.

Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike, ky mekanizëm përfshihet edhe në një marrëveshje të re që kanë arritur Kosova dhe Serbia, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, në fund të shkurtit.

(evropaelire.org, 03/05/2023)