Lista Serbe paralajmëron fuqizimin e paralelizmit

0
156

Rekomandimit të ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, për të “kontribuar në mënyrë konstruktive në shtensionim” të situatës në veri, zyrtarët e Listës Serbe i janë përgjigjur duke i mbështetur të ashtuquajturit “policë të ndershëm”, të cilët refuzojnë t’u japin vërejtje pronarëve të veturave me targa KM (Mitrovica e Kosovës).

Pas vendimit për suspendimin e drejtorit rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave, Lista Serbe paralajmëroi edhe shqyrtimin e daljes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet në veri të Kosovës, dhe “ndërtimin e fuqizimin e institucioneve serbe në këto zona”, në bashkëpunim me Serbinë.

Më herët, Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, paralajmëroi edhe “rezistencë të ashpër”, “mosbindje civile”, dhe “bllokim të rrugëve në veri”.

Qeveria e Kosovës, më 1 nëntor ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e veturave me targa që kanë akronime të qyteteve të Kosovës, të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Bëhet fjalë kryesisht për targat KM, të cilat janë të paligjshme për Kosovën, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në veri të vendit, ku jeton popullata shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Plani aktual i Qeverisë së Kosovës është që procesi i riregjistrimit të automjeteve me targa RKS (Republika e Kosovës) të kryhet në tri faza – në të parën qortohen ngasësit, në të dytën mund të paguajnë gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të lëshohen targat e provës. Sipas këtij plani, që nga 21 prilli i vitit 2023 duhet të përdoren vetëm targat RKS.

“Rezistenca” e Listës Serbe

Më 2 nëntor, Igor Simiq nga Lista Serbe, deputet i Kuvendit të Kosovës, deklaroi se pjesëtarët e komunitetit serb nuk dëshirojnë t’i riregjistrojnë veturat me targa RKS dhe ritheksoi se shqiptimi i gjobave të para do të jetë shkak “për një përgjigje të ashpër dhe rezistencë të fortë me të gjitha mjetet demokratike”.

“Se çfarë do të dalë nga kjo, nuk mund ta parashikoj në këtë moment”, tha Simiq.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Listën Serbe se a do t’u përgjigjet thirrjeve që të kontribuojë për shtensionimin e situatës, por nuk ka marrë qëndrimin e saj.

Ndërkohë, për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë sa i përket targave, të enjten është suspenduar nga detyra drejtori rajonal i policisë në veri, Nenad Gjuriq. Vendimin e mori ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

Më 3 nëntor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi se do të propozojë largimin e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet të Kosovës, për shkak të suspendimit të Gjuriqit.

Siç thuhet në njoftim, Rakiq për të shtunën ka caktuar një takim urgjent, në të cilin do të propozojë që përfaqësuesit e serbëve të largohen nga institucionet e Kosovës në veri.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës

Askush nga Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë, si dhe për mbështetjen e saj për policët që të mos marrin pjesë në zbatimin e planit të riregjistrimit.

Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për REL-in, më 1 nëntor, ka thënë se Lista Serbe me deklaratat e saj tregon se pse në fakt ka ndodhur problemi me targat e automjeteve.

“Njoftimet e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk janë në gjendje të vendosin vet, por për ta vendos dikush tjetër dhe i detyron të qëndrojnë në sferën ilegale. Fakti që duhet të ketë kërcënime të tilla, tregon se qytetarët janë të interesuar për integrim, janë të interesuar të shfrytëzojnë lehtësirat tatimore dhe doganore që ofron Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe i pengon në atë drejtim”, tha Bislimi.

Arsenijeviq: Qytetarët mes dy zjarreve

Aleksandar Arsenijeviq nga subjekti opozitar “Mbijetesa serbe” konsideron se qytetarët e komunave në veri të Kosovës janë “në mes të dy zjarreve”, sepse Lista Serbe u bën thirrje atyre të mos binden ndaj autoriteteve, ndërkaq që vetë ajo merr pjesë në punën e institucioneve të Kosovës.

Lista Serbe, në Qeverinë e Albin Kurtit drejton një ministri, ndërkaq në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me dhjetë deputetë, aq sa janë edhe ulëset e garantuara për komunitetin serb në legjislativ. Gjithashtu, kjo parti udhëheqë të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Nëse i riregjistrojnë automjetet, atëherë do t’iu digjet pasuria. Nëse nuk i riregjistrojnë, atëherë zjarri iu vjen nga Prishtina. Në fund, qytetarët do të digjen. Qytetarët sigurisht që nuk mund ta durojnë më këtë lloj presioni dhe veprimet individuale të qytetarëve nuk mund të parashikohen”, thotë Arsenijeviq për REL-in.

Në dy muajt e fundit janë shënuar katër raste të djegies së pasurisë së personave që kanë riregjistruar veturat e tyre me targa RKS.

Arsenijeviq, gjithashtu konsideron se Lista Serbe, nëse nuk pajtohet me vendimet e Qeverisë së Kosovës, është dashur të largohet nga institucionet “e jo t’u ofrojë legjitimitet”.

Lista Serbe disa herë kishte paralajmëruar se do të largohej nga institucionet e Kosovës, por kjo nuk ndodhi kurrë në praktikë.

“Barrikadat – shfaqje e luajtur mirë”

Arsenijeviq vlerëson, gjithashtu, se qytetarët nga veriu nuk duan më të jenë “mburoja njerëzore e Listës Serbe”.

“Në këtë rast, kur bëjnë thirrje për barrikada, mund të jetë një gjë e mirë, sepse sa herë që Lista Serbe ka organizuar diçka, nuk kishte incidente të mëdha, por ishte një shfaqje e luajtur mirë. Por, qytetarët nuk duan të jenë vëzhgues të heshtur… Lista Serbe, në këtë rast, nuk po i mbron interesat e qytetarëve, por i mbron interesat e veta”, tha ai.

Serbët nga veriu, disa herë ngritën barrikada për të penguar autoritetet e Kosovës të zbatonin ndonjë vendim në terren. Përfaqësuesit e Listës Serbe publikisht i kanë përkrahur ato barrikada, ndërsa në ato vende kanë qenë fizikisht të pranishëm edhe zyrtarët e saj të lartë, me arsyetimin se kanë dashur t’i ofrojnë mbështetje popullit.

Për herë të fundit, diçka e tillë ka ndodhur më 31 korrik, në prag të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës – vendosjes së masave reciproke ndaj Serbisë për dokumentet personale dhe riregjistrimin e automjeteve.

Asokohe, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim të shtensionimit të situatës, vendimi për riregjistrim u shty për një muaj, ndërkohë për dokumentet personale u arrit marrëveshja.

Cili është roli i Listës Serbe në institucionet e Kosovës?

Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, beson se Lista Serbe në të vërtetë nuk po kërkon asgjë dhe se problemi me targat mund të zgjidhet vetëm në linjën Prishtinë-Beograd.

“Lista Serbe nuk ka asnjë rol. Ata njerëz janë aty për të përsëritur disa qëndrime që i marrin si instruksione. Për mua, sot roli i tyre është krejtësisht i parëndësishëm. Fatkeqësisht, Lista Serbe është pasive ndaj të gjitha problemeve. Po të kishte një qasje më aktive, bisedime, para se të shfaqen këto probleme, ndoshta ka pasur mundësi që disa gjëra të mos radikalizohen”, vlerëson Stojanoviq.

Lista Serbe, që nga formimi i saj në vitin 2013, ka fituar bindshëm në të gjitha zgjedhjet lokale apo parlamentare, me rreth 90 për qind të votave. Për këtë arsye, zyrtarët e Listës Serbe shpesh përsërisin se janë përfaqësuesit e vetëm ligjorë dhe legjitimë të serbëve, por zëri i tyre gati se nuk dëgjohet as në Kuvend dhe as në Qeverinë e Kosovës.

Megjithatë, Branimir Stojanoviq thekson se dialogu ndërmjet përfaqësuesve politikë të serbëve dhe shqiptarëve kërkon edhe vullnetin e mirë të “palës tjetër”.

“Të gjitha këto probleme mund të mos ishin në agjendë nëse do të zgjidheshin, nëse do të kishte më shumë vullnet të mirë në Prishtinë”, konsideron Stojanoviq.

Ai vlerëson se autoritetet e Kosovës nuk kujdesen sinqerisht për interesat e komunitetit serb, porse me vendime të ndryshme mundohen të fitojnë pikë politike.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës në disa raste kanë pohuar se nuk bëjnë dallime ndërmjet komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë, por se respektojnë ekskluzivisht sundimin e të drejtës dhe ligjit.

Apele nga sektori civil dhe komuniteti ndërkombëtar

Në fillim të gushtit, kur u ngritën tensionet, shoqëria civile nga komuniteti serb i bëri thirrje Listës Serbe që të marrë përgjegjësi dhe të marrë pjesë aktive në punë dhe përmes kanaleve institucionale t’i japë fund jostabilitetit dhe të kontribuojë për paqe.

Igor Markoviq nga organizata joqeveritare Aktiv ka thënë se përfaqësuesit e Listës Serbe, në asnjë mënyrë nuk e informojnë popullatën vendore për vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe as nuk ua shpjegojnë se çfarë do të thonë ato vendime.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, më 1 nëntor, tha se do të dëshironte që përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë “të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në shtensionimin” e situatës.

“Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorin targa të Kosovës”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në Twitter.

(evropaelire.org, 03/11/2022)