Se shoqatat, organizatat dhe grupet e ndryshme mund të jenë më të forta se institucionet, këtë e vërteton edhe rasti i veteranëve të dyshimtë të UÇK-së në Kosovë. Shifra prej 19500 luftëtarësh të dyshimtë mund me të vërtetë të prishë planet e politikanëve. Shumë njerëz që nuk ishin në luftë u gjetën në listat e veteranëve të UÇK-së, e kjo është në të njëjtën kohë edhe tabloja sociale e Kosovës. Kjo është ajo masa kritike që mund të cenojë qeverinë, të bëjë ndryshime, prandaj çështja e pensioneve të tyre është ende duke u shqyrtuar, e asgjë konkrete nuk po zgjidhet, sikur politikanët po kërkojnë se si të kalojnë pa pasoja. Siç raportojnë disa media kosovare, këta kuazi-veteranë e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për gati 300 milionë euro që nga viti 2015.
Sipas fjalëve të Albin Kurtit, numri i “luftëtarëve” pothuajse është trefishuar, numri prej rreth 50 mijë është i stërfryer. Më duket se kjo gjë është shumë e qartë, por anëtarët e komisionit për verifikimin e statusit të luftëtarëve nuk e kanë menduar shumë këtë. Duket se përfitimet e ëmbla që kishin apo i kanë ende këta anëtarë të komisionit ishin prioritet. Po të mos ishin stërzmadhuar numrat kaq, ndoshta askush nuk do t’i kushtonte vëmendje; kjo nuk është një goditje edhe aq e vogël për buxhetin e Kosovës, ndaj ka shkaktuar vëmendjen e opinionit. Kjo është arsyeja pse kjo çështje e njohur si “veteranët” ende po zvarritet nëpër gjykata, ndërsa përfituesit e paligjshëm të pensioneve ende gëzojnë privilegje. Ja pra, njerëzit të cilët kanë luftuar dhe ata që nuk kanë mbajtur uniformën e UÇK-së janë në po të njëjtat lista. Si duket shumë prej tyre e kanë shitur nderin e tyre për 170 euro, që me çmimet aktuale është diçka më shumë se një rezervuar me karburant. Kjo është një tablo e trishtueshme, por këtu të gjithë ia bëjnë ashtu si munden e si dijnë, thjesht shumë vetë detyrohen të bëjnë një hap të tillë në jetë.
Gjykata Themelore në Prishtinë në fillim të vitit të kaluar kishte vendosur t’i lirojë të akuzuarit të cilët në këtë rast dyshoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare. Për shkak të kërcënimeve lidhur me këtë aktakuzë, ish-prokurori i rastit, Elez Blakaj, dha dorëheqje në gusht të vitit 2018. Madje edhe gjyqtari u zëvendësua, gjë që flet për një rast kontraverz. Veteranët janë sigurisht një faktor i rëndësishëm, do të jetë interesante t’i përcjellim këto zhvillime deri në fund.
“Prokuroria Speciale në Kosovë pretendon se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar gjendje jo të plotë faktike, përkundër faktit se u siguruan dhe u zbatuan prova të mjaftueshme që do të vërtetonin në mënyrë të duhur dhe të drejtë se veprimet e të akuzuarve manifestojnë elemente të veprës penale,“ thuhet në ankesën e Prokurorisë Speciale. Ndikimi në gjyqësor dhe shenjat e qarta të korrupsionit janë një parametër se në çfarë sistemi po jetojmë. Në këtë rast në aktakuzë janë paraqitur edhe audio incizime, ku siç theksohet, dëgjohet qartë se anëtarë të komisionit për verifikimin e statusit të veteranit kanë folur për listat e fryra të luftëtarëve dhe dëshmorëve të rënë. Nga 54 faqet e aktakuzës, 5 faqe janë me transkripte të bisedave të anëtarëve të këtij komisioni. Dhe merreni me mend, ata anëtarë të nderuar janë shfajësuar. Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, çfarë duhet të presë një person i zakonshëm nga një gjykatë e tillë, nga një drejtësi e tillë? Çfarë mund të mësojnë të rinjtë nga ky shembull, si duhet trajtuar institucionet, siç është gjykata, policia dhe të tjerët ku ekzistojnë forma të ndryshme të korrupsionit? Dhe pas të gjitha këtyre, mos t’ju vjen keq që të rinjtë po shkojnë jashtë vendit, njerëz të këtillë dhe ky lloj sistemi i largojnë të rinjtë prej vetes. Thjesht, njerëzit e arsimuar nuk duan të jenë pjesë e lojërave të tilla.
Një gjë është e sigurt, veteranë do të ketë gjithnjë e më pak, përveç nëse shpërthen ndonjë luftë e re, kurse dëshira për vlerat evropiane është gjithnjë e më e madhe, kështu që mbase edhe shoqëria gradualisht do të ndryshojë. Edhe pse nuk duhet të presim shumë përparim për sa i përket integrimit sepse krimi dhe korrupsioni ende kanë një ndikim shumë të madh në institucione. Ky imazh pak a shumë i referohet gjithë Ballkanit Perëndimor, prandaj ne edhe nuk jemi pjesë e asaj familjeje evropiane.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.