Lufta për notë

Kohët e fundit nëpër media në mënyrë pompoze po përvidhen lajme se disa vende kanë tërhequr njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Sa e rëndësishme është kjo për momentin për Serbinë dhe Kosovën është një pyetje e madhe, por faktet janë këtu për të folur vetë, e ndonjëherë shifrat e thjeshta nuk kanë kuptim sepse ka kohë që jemi bërë të vetëdijshëm se edhe pse e saktë dhe formale, bota e diplomacisë nganjëherë nuk përbëhet prej shifrash e komunikatash por nga praktika dhe faktet në terren.

0
838

Menjëherë pas lajmit për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Republikës së Surinamit filloi edhe lufta mediale midis Serbisë dhe Kosovës për atë se sa vende në të vërtetë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Me ditë të tëra është spekuluar për numrin e këtyre vendeve, por assesi nuk mund të arrihej deri tek numri përfundimtar, sepse në disa vende statusi i një vendimi të tillë kuptohet krejtësisht ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar, kështu që është edhe i paqartë për sistemin tonë ligjor. Dhe pikërisht kur mendohej se Surinami ishte i vetmi që e bëri këtë, një notë e tillë pasoi edhe nga Guinea Bisao. Derisa në fillim zyrtarët nga Prishtina ishin ironik, brenda natës u bë e qartë se kjo është gjithçka tjetër vetëm jo ironi. Juristët do ta shpjegonin më mirë këtë, por thënë shkurt, fuqia politike e një shteti, e shikuar nga aspekti i anëtarësimit në OKB, nuk varet nga fuqia e saj ekonomike dhe ushtarake porse vetëm nga ajo nëse është ai vetë ndërkombëtarisht i pranuar dhe a është anëtar me të drejta të plota në OKB. Kështu që në këtë aspekt, shtetet e lartpërmendura Surinami dhe Guinea Bisao kanë fuqinë e njëjtë politike sikurse edhe shtetet më të fuqishme botërore sepse bile në një vend, e kjo është OKB-ja, zëri i tyre është i njëjtë sikurse i të gjithë të tjerëve.

Mirëpo, siç e kemi thënë tashmë, tërheqjet e përmendura të njohjes së pavarësisë së Kosovës ishin shkas për një luftë mediatike midis ministrave të jashtëm të Serbisë dhe Kosovës, secili në mënyrën e vet duke garuar për të shpjeguar se si, nga njëra anë, kjo është fitore e diplomacisë serbe, e cila nuk është përfundimtare, kurse nga ana tjetër, se si këto janë raste unike që nuk mund të ndikojnë në rezultatin dhe qëllimin përfundimtar, e kjo është shumica prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ashtu që të votojnë për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Megjithatë, pasi e gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme për të përfituar politikisht, Ministri i i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Dačić, paralajmëroi se edhe disa vende të tjera po e rishikojnë vendimin për njohjen e Kosovës, gjë që dha shkas që kolegu i tij i Kosovës të kapërcente kufirin e mirësjelljes dhe në profilin e tij në Facebook të fillojë një luftë verbale kundër kolegut të tij nga Beogradi, duke e quajtur edhe me emra fyes. E gjithë kjo hodhi në hije rëndësinë e asaj që e shkaktoi këtë, d.m.th. që dy shtete sovrane tërhoqën vendimin e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës. Natyrisht, jemi plotësisht të vetëdijshëm se këto dy vendime nuk kanë ndonjë rëndësi praktike për qytetarët e Kosovës, por megjithatë kjo na shtyn të mendojmë. Siç e kanë përmendur disa media, duke iu referuar burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Serbisë, shumë vende po e rishikojnë vendimin e tyre mbi njohjen, veçanërisht pas të gjitha zhvillimeve politike në lidhje me Kataloninë dhe qëndrimin e fortë të BE-së që të mos njohë rezultatet e referendumit mbi pavarësinë e kësaj krahine spanjolle, si dhe të shpallë menjëherë juridikisht të pavlefshme deklaratën e  pavarësinë së krahinës në fjalë. Ne kemi folur tashmë për standardet e dyfishta të BE-së dhe gjithçka që ka të bëjë me të, por kjo që ndodhi në lidhje me tërheqjen e njohjes së Kosovës nga vendet që e kanë njohur më parë duhet të na shtyjë të mendojmë për pasojat e të kuptuarit të dyfishtë të ligjit. Nëse në një kohë Kosova mund të ishte një sui generis, domethënë një rast unik, pse nuk mund të ishte ashtu edhe Katalonia. Por tashmë e kemi pasur këtë temë, kështu që nuk do të kthehemi tek ajo; na mbetet vetëm të presim dhe të shohim se në cilin drejtim do të zhvillohet beteja diplomatike midis Beogradit dhe Prishtinës dhe kush do të ketë më shumë sukses në atë luftë, por një gjë është e sigurtë, qytetarët e Kosovës nga kjo nuk kanë kurrfarë përfitimi përveç kënaqësisë morale, si serbët ashtu edhe shqiptarët, secili në mënyrën e vet.