Lugina pa mexhë

Cilësimi si nevojë reale i kthimit të serbëve të cilëve nuk ju dihet saktë origjina apo vendi paraprak i banimit, sipas një projekti të politikës së Beogradit dhe udhëheqësve fetarë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, por pa përfillur ligjet e saj, është absurd të konsiderohet i arsyeshëm dhe të pritet pranueshmëri qoftë nga përfaqësuesit në institucione qoftë nga popullsia.

0
1103

Cilësimi si nevojë reale i kthimit të serbëve të cilëve nuk ju dihet saktë origjina apo vendi paraprak i banimit, sipas një projekti të politikës së Beogradit dhe udhëheqësve fetarë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, por pa përfillur ligjet e saj, është absurd të konsiderohet i arsyeshëm dhe të pritet pranueshmëri qoftë nga përfaqësuesit në institucione qoftë nga popullsia.

Artikulli “Mexha në luginë” i publikuar kohë më parë në New Perspektiva nga Milutin Miletić më ka shtuar interesimin në lidhje me funksionimin e procesit të kthimit në Kosovë prej pasluftës në disa pjesë të Kosovës, sidomos në vendet e banuara me popullsi serbe.

E vlerësoj të ndershëm tentimin në këtë blog për të balancuar argumentet mes Prishtinës e Beogradit të cilat i kanë shfaqur rreth ndërtimit të projektit “Lugina e Diellit”. Ky projekt përfshin ndërtimin e 300 shtëpive në komunën e Zveçanit në të cilat do të sillen për të jetuar më shumë se 1000 serbë të zhvendosur më 1999. Por, tendenca për të barazuar mospërfilljen e ligjeve të Kosovës nga përfaqësuesit serbë me ngecjen e institucioneve kosovare në procesin e kthimit është e papranueshme. Pra, pengesat për kthimin e të zhvendosurve, qofshin ata edhe serbë, asnjëherë nuk janë arsye e mjaftueshme që Serbia të ndërhyjë me projekte të tilla brenda një territori i cili ka sistem të vetin ligjor e funksional.

Jam përqendruar sidomos në pjesën e diskutimit të qëndrimit që institucionet e Republikës së Kosovës kanë karshi këtij projekti. Miletić interpreton si të pabaza thirrjet se kthimi i afër 1500 serbëve në një komunë të banuar me shumicë serbe është veprim i padrejtë. Ama, nëse për serbë të cilët kanë jetuar para lufte në komuna të ndryshme në Kosovë qenka nevojë reale të kthehen këtu, në një lagje të përbashkët atëherë a s’qenka po aq nevojë reale që mbi 10 mijë shqiptarë të kthehen në veri të Mitrovicës nëpër shtëpitë e tyre? Këta shqiptarë pengohen edhe sot e kësaj dite nga popullsia serbe atje dhe përfaqësuesë të institucioneve serbe që kanë ndikim në këtë zonë.

Dhjetë mijë qytetarë shqiptarë të cilët tash 16 vjet janë zhvendosur dhunshëm nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës. Procesi i rikthimit në këtë pjesë është vlerësuar shpesh si i pamundshëm. Pavarësisht se disa herë ka pasur iniciativa për ndërtimin e shtëpive të tyre në veri, ato janë penguar qoftë nga popullsia serbe që jeton atje, qoftë nga komuna e Mitrovicës së Veriut. Mungesa e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për shqiptarët në pjesën veriore të Mitrovicës edhe sot është një sfidë. Familjet shqiptare atje janë detyruar të braktisin shtëpitë apo banesat e tyre për shkak të presionit të drejtpërdrejtë nga serbët që jetojnë atje. Udhëheqësit e komunës së Mitrovicës së Jugut pohojnë se janë mbi 400 banesa të shqiptarëve të cilat janë uzurpuar nga serbët. Edhe pas krijimit të fondit “Ndihmo edhe ti” për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në lagjet e veriut, telashet kanë vazhduar dhe është pamundësuar realizimi i projektit.

Pra nëse organizimi i këtij plani për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve është penguar kryekput dhunshëm bile edhe me ndërhyrje fizike nga serbët, si mund të pritet që “Lugina e Diellit” të pranohet si planifikim që duhet mirëpritur në Kosovë?

Një tjetër element që lidhet me “Luginën e Diellit” e që më ka ngjallur dyshime për qëllimin krejt njerëzor të tij është edhe fakti se synohet që aty të sillen familje të reja të sapokrijuara. Kjo nënkupton që këto çifte të reja tash pas 16 viteve prej largimit të tyre nga Kosova nuk është se kanë jetuar aq gjatë sa të lidhen me të. Për dallim, ka familje të tëra që përfshijnë dy-tri gjenerata të ndryshme të shqiptarëve të cilët e kanë ndërtuar jetën e tyre në veri derisa janë larguar pa dashje. Ky fakt do të duhej të kujtohej sa herë që mohohen këto iniciativa dhe shihen si shkelje të të drejtave.

Po ashtu, le të kujtojmë se në Kosovë ekziston Ministria për Kthim dhe Komunitete së cilës mund t’i drejtohen serbët që vullnetarisht kërkojnë kthim në Kosovë. Pra, do të mund të shfrytëzoheshin edhe rrugë janë në përputhje me ligjet dhe institucionet e Kosovës.

Prandaj, cilësimi si nevojë reale i kthimit të serbëve të cilëve nuk ju dihet saktë origjina apo vendi paraprak i banimit, sipas një projekti të politikës së Beogradit dhe udhëheqësve fetarë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, por pa përfillur ligjet e saj, është absurd të konsiderohet i arsyeshëm dhe të pritet pranueshmëri qoftë nga përfaqësuesit në institucione qoftë nga popullsia. Injorimi i nevojës reale për kthim të shqiptarëve në vendbanimet e tyre ku kanë jetuar për shumë kohë flet për gjykim jo të drejtë.

Pa dyshim, angazhimi i institucioneve qoftë lokale, qoftë qendrore për të marrë në dorë njëherë e mirë këtë punë ka qenë i mangët. Që nga ndërprerja e ndërtimeve në vitin 2015, për shkak të pengesave fizike nga ana e qytetarëve serbë në veri, nuk ka pasur asnjë përparim në këtë aspekt, pavarësisht se është paralajmëruar vazhdimi i ndërtimit të shtëpive e në fillimpranverën e sivjetme. Por, ngecja institucionale nuk duhet të jetë arsyetim që edhe individët apo grupet e caktuara të shfrytëzojnë këtë mungesë angazhimi për të përçarë dhe promovuar mostolerancën etnike.

Mbështetjet e iniciativave të cilat kryesisht kanë karakter politik e që thellojnë konfliktet me prapavijë historike mes shqiptarëve dhe serbëve e dëmton cilëndo përpjekje për të siguruar bashkëjetesë dhe pacenueshmëri të të drejtave në Kosovë.

Njashtu, paraqitja e komunitetit serb në Kosovë si grup i cili ka nevojë për mbrojtje besoj që nuk i ndihmon situatës me tensione në qytetin e Mitrovicës. Bile është krejt e pabazuar. Të rinj serb të cilët udhëtojnë lirshëm nëpër cilindo vend të Kosovës pa u paragjykuar, e aq më shumë pa u penguar nga kushdo që është shqiptar, ka plot. Më besoni, edhe nëse jeni serb i vetëm në mesin e të rinjve shqiptarë nuk ndiheni të përjashtuar, aq më pak nuk rrezikoni sigurinë tuaj. Kështu që, nëse cilido serb, shtetas i Republikës së Kosovës, e ka të siguruar lirinë e lëvizjes brenda territorit të shtetit, atëherë është e logjikshme që cilido shqiptar, qytetarë i Mitrovicës, duhet të ketë të garantuar mundësinë për të lëvizur dhe jetuar atje.