Marrëveshja e Brukselit është e vdekur. Rroftë marrëveshja!

Po shkojmë kah një raund i ri i lojërave tona, të humbim edhe ndonjë dekadë të jetës së këtyre brezave të rinj që nuk kanë asnjë faj, përveç asaj se kanë lindur në hapësirën ku ne, burrështetasit e mëdhenj dhe kokat e mençura, po luajmë që prej dekadash me radhë.

0
46

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, marrëveshja e Brukselit dha shpirt!   

Të gjithë e shikonin me keqardhje 9 vitet e fundit, duke pyetur nëse ia vlente fare të jetonte kështu apo ishte më humane t’i bëhej eutanazi. Folën gjithçka të mirë për të, siç është edhe rendi për të folur për këdo që i shihet fundi, por nuk është që e respektuan gjatë jetës së saj, siç edhe është zakon në këto anë.

Ajo pati shumë potencial, por e shpenzoi atë në hendekun mes mundësive reale dhe pritshmërive joreale të prindërve të saj. Dhe aty-këtu e keqtrajtonin miqtë dhe fqinjët e saj, duke e shkelmuar herë pas here, pastaj duke e lavdëruar përsëri e kështu me radhë në rreth gjatë gjithë kësaj kohe. Do ta pranonit, këtë nuk është e lehtë ta durosh.

Dhe tani, çfarë të bëjmë tani? Dreqin, le të fillojmë nga e para. Sepse pse duhet të shkojmë përpara? Kjo është e mbivlerësuar! Ne po shkojmë kah një raund i ri i lojërave tona, të humbim edhe ndonjë dekadë të jetës së këtyre brezave të rinj që nuk kanë asnjë faj, përveç asaj se kanë lindur në hapësirën ku ne, burrështetasit e mëdhenj dhe kokat e mençura, po luajmë që prej dekadash me radhë. Si kanë guxuar?! Ja ku e kanë Gjermaninë, ndaj le të jetojnë atje nëse vërtet u intereson kjo kaq shumë! 

Me shumë vështirësi dhe me ndihmën e një thupre të gjatë ramë dakord të ecnim përpara, kishim marrëveshje dhe integrim (ose kuazi-marrëveshje dhe kuazi-integrime),  u përpoqën (NOT!) t’i mbanin ato marrëveshje të gjalla dhe të kontribuonin për të gjithë, por nuk mund të shkohej tutje më. Ashtu siç një shtëpi nuk ndërtohet nga çatia, pra as institucionet, as shteti, as shoqëria nuk ndërtohen me imponime, as me dekret. Në hapësirën ku ndodhi lufta, marrëveshja duhet të vijë nga një vullnet i mirëfilltë, dhe pajtimi duhet të fillojë nga njerëzit e rëndomtë. Fakti që dikush do të thotë ja ku e keni marrëveshjen tuaj, ky është vullneti juaj dhe tani gjithçka është në rregull, ka dëshmuar kaq shumë herë gjatë historisë të jetë një hyrje në katastrofë. Dhe për mua mbetet absolutisht e paqartë se si, në dreq të mallkuar, vendimmarrësit ndërkombëtarë ende nuk e kuptojnë këtë?! A është reale që ende ekziston një mendim se problemi mund të zgjidhet në këtë mënyrë dhe presim që të dyja palët të jenë të kënaqura me një marrëveshje me të cilën asnjëra palë nuk është realisht e kënaqur?

Duket se 10 vjet moszbatimi të marrëveshjeve të nënshkruara dhe të ratifikuara nuk mjaftuan për ta kuptuar këtë, kështu që edhe sot po imponohen marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë, si garantues të marrëveshjeve të mëparshme, nuk ishin në gjendje t’i zbatonin ato, edhe pse bëhet fjalë për pak a shumë gjëra teknike që duhet të dhembin më pak. Por nuk ka lidhje, le të flasim për një propozim të ri se si mund ta zgjidhni më në fund problemin tuaj të shumë dekadave sipas dëshirës sonë, kështu që lehtë ia bëjmë për të tjerat.  

Duket se kjo nuk shkon edhe aq lehtë. As njëra dhe as tjetra palë nuk janë shumë entuziaste për këtë, ndaj ata vendosën që paksa ta minojnë të gjithë procesin. Megjithatë, ne jetojmë këtu, dhe megjithatë nuk jemi plotësisht dakord me “vullnetin tonë” të definuar në marrëveshjet që janë qëllime në vetvete.

Dhe kështu disa vendosën të imponojnë vullnetin e tyre me iniciativën e vet, ndërsa të tjerë vendosën se kishte mjaft “marrëveshje dhe integrim” dhe se shpresat e tyre nuk u përmbushën. Kjo solli deri tek shpërbërja dhe vdekja de facto e marrëveshjes së Brukselit, edhe pse të gjithë i referohen asaj marrëveshjeje si diçka që ata aspirojnë. Kush është i çmendur këtu?

Asgjë, në vend të vitit 2023, ne po shkojmë kah viti 2013. Kush thotë se një makinë e udhëtimit në kohë nuk ekziston?! Ne po shkojmë kah një sfilitje e re, tensione të reja, shpresoj jo në luftëra të reja me qëllim zgjidhjen e problemeve të cilat sfilitjet, tensionet dhe luftërat e mëparshme nuk i zgjidhën! Çfarë qasje novatore!

Vetëm se tani jemi pak më pak të rëndësishëm, ka pak më pak durim për ne dhe definitivisht gjithnjë e më pak opsione. 

Por Gjermania qëndron aty në mënyrë solide. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.