Mbi 2.5 milion euro për komunat në veri të Kosovës

Bordi Menaxhues i Fondit për Zhvillim i ndau mbi 2.5 milion euro për komunat në veri të Kosovës gjatë takimit të mbajtur sot në Prishtinë.

0
831

Mbi 900.000 euro i janë ndarë komunës së Mitrovicës së Veriut për ndërtimin e sallës sportive. Bordi më parë i kishte ndarë 1.6 milion euro për këtë komunë në muajin shtator. Këto fonde do të shfrytëzohen për të ndërtuar një qendër të brigadës se zjarrfikësve, për të përkrahur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për shpronësimin e tokës ku do të ndërtohet ndërtesa e re e komunës. Në përgjithësi, Mitrovicës së Veriut i janë ndarë mbi 2.5 milion euro për katër projekte.

Bordi vendosi që të ndajë pothuajse 500.000 euro për komunën e Zveçanit për tri projekte. Këto fonde do të shfrytëzohen për të përkrahur organizatat e shoqërisë civile përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore, për të zhvilluar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), fermat e vogla dhe prodhimin e qëndrueshëm bujqësor. Për më tepër, muajin e kaluar, Bordi ia ndau komunës së Zveçanit 350.000 euro për shpronësimin e tokës për një rrugë që ofron qasje për te deponia. Deri më tash Zveçanit i janë ndarë afro 850.000 euro për katër projekte.

Komunës së Zubin Potokut i janë ndarë rreth 1.4 milion euro për tri projekte. Fondet do të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik të komunës, ndërtimin e një pishine dhe rindërtimin e shtegut të atletikës, si edhe për rehabilitimin e rrugëve lokale.

Komunës së Leposaviqit i është dhënë 140,000 euro për blerjen e pajisjeve për çerdhen në Leshak.

Katër komunat gjithashtu kanë dorëzuar një numër të koncept dokumenteve, të cilat do të zhvillohen në projekt propozime dhe do të shqyrtohen në takimin e ardhshëm të Bordit në janar të vitit 2016.

Fondi për Zhvillim i nxjerrë të hyrat nga taksat e mbledhura në pikat kufitare të Jarinjës/Rudnicës dhe Tabavinjës/Brnjakut. Të hyrat e mbledhura deri më tani arrijnë vlerën prej 8 milion euro dhe shfrytëzohen për përkrahje të zhvillimit socio-ekonomik të komunave në veri të Kosovës.

Funksionimi i Fondit vendoset nga Bordi Menaxhues i përbërë nga Samuel Zhbogar, Kryesues i Bordit në cilësinë e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti në emër të autoriteteve kosovare dhe Danijela Zubac në emër të komunitetit serb.

(Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, 16/12/2015)