Mbi argumentet e VV-së lidhur me ligjshmërinë e marrëveshjes

Javët e fundit të protestave, gazi lotësjellës dhe mosfunksionimi i parlamentit janë bërë pjesë e tablosë ditore në Prishtinë. Këto ngjarje rrënjët e tyre i kanë në marrëveshjen e 25 gushtit të nënshkruar nga kryeministrat Mustafa e Vučić, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini.

0
983

Javët e fundit të protestave, gazi lotësjellës dhe mosfunksionimi i parlamentit janë bërë pjesë e tablosë ditore në Prishtinë. Këto ngjarje rrënjët e tyre i kanë në marrëveshjen e 25 gushtit të nënshkruar nga kryeministrat Mustafa e Vučić, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini.

Marrëveshja mban titullin Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore. Vetëvendosje, VV, refuzon ta pranojë marrëveshjen dhe ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të tërheqë nënshkrimin e saj. Kjo parti parlamentare dhe parti të tjera të opozitës kanë përdorur sjellje ekstreme dhe të papranueshme joparlamentare për t’i arritur kërkesat e tyre.

Më 21 tetor Vetëvendosje nxori një Raport mbi Republikën e Kosovës duke shpjeguar politikën e saj në lidhje me marrëveshjen e gushtit dhe procesin e normalizimit që po zhvillohet. Në atë raport ajo bëri katër argumentet në vazhdim se përse marrëveshja mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, AKS, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Unë dëshiroj të shpjegoj këtu përse mendoj se tri nga katër argumentet nuk janë në rregull. Katër pikat e tyre dhe komentet e mija janë si në vazhdim:

1. Nën nenin 11 të marrëveshjes së 25 gushtit AKS ka të drejtë të iniciojë raste/çështje në Gjykatën Kushtetuese. VV argumenton se sipas Kushtetutës e drejta për të inicuar raste direkte në Gjykatën Kushtetuese “u njihet vetëm” Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë, Avokatit të Popullit, dhe Komunave. Megjithatë, statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës, AKK, mbi të cilin do të bazohet AKS, qartë thekson në nenin 2.2.: Asociacioni e ka lirinë e veprimit, të drejtën e iniciativave të kushtetutës (kornizës ligjore) dhe në bazë të ligjeve tjera. Nuk mund të këtë një ligj për një asociacion dhe një tjetër për tjetrin. Statuti i AKK është i bazuar në Nenin 31 të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale.

2. Nën nenin 10 të marrëveshjes së 25 gushtit Asociacioni do të ketë të drejtë të inicioj amandamente ligjore. VV-ja e ka cituar keq marrëveshjen e cila thotë “… ka të drejtë të propozojë amandamente për ligjet, në pajtim me ligjet e Kosovës…”. Inicioj është fjalë më e fortë dhe më e përcaktuar në anglisht sesa fjala propozoj që është përdorur në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, e cila më parë nënkupton sugjeroj, paraqes si opsion.

VV-ja argumenton se sipas Nenit 79 të Kushtetutës së Kosovës këto të drejta për të inicuar amandamente të ligjeve u njihen vetëm Presidentit, Qeverisë, deputetëve të Kuvendit dhe së paku 10 000 qytetarëve përmes peticionit. Statuti i AKK, mbi të cilin do të bazohet statutit i AKS, thotë: Neni 3.2.2. jep mendime, sygjerime dhe vëretje në projekt ligjet dhe aktet nënligjore që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale. Kjo është e njëjtë si propozimi i amandamenteve. Rrjedhimisht, duket se e drejta e AKS për të inicuar amandamente të ligjeve është e paraparë brenda legjislacionit të Kosovës.

3. VV thotë se në Nenin 5 të marrëveshjes qeveria i delegon kompetenca (përgjegjësi) Asociacionit. Këtë nuk e thotë Neni 5. Ai thotë: Bashkësia/Asociacioni do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore. Autoritetet qendrore që u referohet këtu duket se janë qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Kjo më është konfirmuar mua nga EEAS dhe BE-ja. Teksti përdorë një formë të gjuhës ligjore për të thënë që kompetencat mund të ndryshojnë siç përdoret në shumë dokumente p.sh në Ligjin e Kosovës mbi Vetëqeverisjen Lokale Neni 18.2 thotë: Autoritetet qendrore në Republikën e Kosovës mund t’i delegojnë kompetenca të tjera komunave në pajtim me ligjin. Ja vlenë të mbahet mend që Asociacioni është një krah i autoriteteve komunale dhe bazohet në atë ligj.

4. Sa i përket pikës së katërt të VV-së mbi emërimin e Komandantit rajonal të Policisë për katër komunat veriore i cili do të nominohet nga një listë e kandidatëve që i ofrohet Ministrisë së Brendshme të Kosovës nga katër kryetarët respektivë të komunave veriore në emër të AKS-së, unë kryesisht pajtohem.
Marrëveshja e 25 gushtit nuk e thotë në mënyrë specifike që ai/ajo duhet të jetë serb i Kosovës por i referohet Nenit 9 të Marrëveshjes së Parë e cila e thotë këtë. Ky është cenim si i Kushtetutës së Kosovës, ashtu edhe i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për më tepër, nuk është e qartë përse katër kryetarët e komunave do të vepronin në emër të AKS-së e cila do t’i përfaqësojë të gjitha komunat me shumicë serbe e jo vetëm veriun. Nuk ka bazë ligjore ose substanciale për këtë vendim. Drejtorët e tjerë rajonal të policisë emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ky paragraf duhet të rishkruhet në pajtim me garancitë kushtetuese të të drejtave të njeriut dhe barazisë.

Unë dua të theksoj qartë se të gjitha dokumentet që unë i kam lexuar janë në versionin anglisht të marrëveshjes së 25 gushtit të lehtësuar nga BE. Çka është më me rëndësi, marrëveshja e 25 gushtit është hartuar dhe nënshkruar në anglisht dhe ajo duhet të jetë baza primare dhe e saktë për çkado që mund të ketë humbur në përkthim. Marrëveshja duhet të lexohet me kujdes, në anglisht, dhe mundësisht me një avokat në mënyrë që të kuptohet saktë dhe të shmangen keqkuptimet. Është e shkruar në anglisht dhe duhet të citohet saktë duke përdorur tekstin origjinal në anglisht.

Gjithashtu dëshiroj t’ia kujtoj lexuesit që ky Asociacion është Asociacion i Komunave me shumicë serbe, nuk është asociacion monoetnik. Kur të krijohet përfundimisht, ai duhet të ketë përfaqësuesë nga Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zveçani, Zubin Potoku, Shtërpca, Graçanica, Novobërda, Ranillugu dhe Kllokoti. Anëtarët duhet të jenë edhe prej komuniteteve tjera që janë banorë në ato komuna e rrjedhimisht AKS nuk do të përfaqësojë vetëm serbët. Ja disa shembuj: Kuvendi Komunal i Novobërdës ka 10 anëtarë serbë dhe 5 shqiptarë; Kllokoti 11:4; Parteshi dhe Ranillugu, të gjithë serbë të Kosovës; Shtërpce 11:4; Mitrovica e Veriut 13:5 dhe një boshnjak.

Gjithashtu ia vlen të mbahet mend se ajo për çka është arritur marrëveshje në Bruksel me 25 gusht ishin parimet e përgjithshme të AKS-së. Për dokumentin kyç, statutin, mbetet ende për tu marrë veshë dhe hartimi i tij do të jetë vendimtar për të bërë vlerësimet e nevojshme për kompetencat e saj, ligjshmërinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Megjithatë, është pak shqetësuese që BE-ja e ka mbikëqyrur lehtësimin e një marrëveshje e cila përmban këto cenime të të drejtave të njeriut.