Mbi një qasje realiste në dialog

Kosova dhe Serbia vazhdojnë përpjekjet për maksimizimin e rezultatit të marrëveshjes. Debati është divers dhe pritjet janë të shumta por qëndrimi më realist do ishte që kjo marrëveshje do të duhet të jetë një kompromis që nuk do të favorizojë një palë të caktuar. Sa më herët, dhe sa më efektivisht që konstruktohet një narrativë e tillë, aq më mirë për Kosovën.

0
646

Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme mbi atë se si do të duhej të përfundonte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Secila prej palëve ka perceptimet e veta mbi përfundimet që do të rrjedhin nga ky proces dhe të dyja shtetet aspirojnë për rezultate optimale. Ndonëse procesi është i rëndësishëm për të dyja palët, shpesh ofrohet përshtypja se pala kosovare është disi më e brengosur mbi atë se si do të përfundojnë bisedimet. Aspirata finale që procesi të përmbyllet me njohjen e shtetësisë së Kosovës mund të konsiderohet si e drejtë, por që një marrëveshje të jetë joproporcionalisht më e favorshme për shtetin e Kosovës tingëllon si diçka joreale. Në këtë mënyrë, është mirë që klasa politike kosovare të konstruktojë një narrativë të atillë për opinionin që nuk do të ketë marrëveshje plotësisht të favorshme për shtetin e Kosovës. Në rastin më të mirë mund të arrihet një kompromis i favorshëm.

Së pari, ekziston një dimension demokratik në këtë drejtim. Pa marrë parasysh nacionalizimin e rrënjosur të popullata kosovare ndaj shtetit serb, populli i Kosovës ka nevojë për një narrativë të atillë ku politikanët pranojnë që nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje joproporcionalisht të favorshme për Kosovën. Ndonëse, në afat të shkurtër, ky lloj qëndrimi llogaridhënës i politikanëve kosovarë ndaj popullatës mund të mos jetë edhe shumë popullor, (dhe potencialisht mund të jetë dëmtues sa i përket rezultateve në zgjedhje të mundshme) duhet patur parasysh që kjo do të tregonte një lloj maturie politike të elitës politike kosovare dhe do të përforconte përpjekjet për konsolidim të demokracisë.

Një narrativë e tillë që marrëveshja me Serbinë nuk do të jetë edhe aq e favorshme për Kosovën është po ashtu e dobishme për popullatën e Kosovës sepse kjo në fakt është diçka e cila shumë shpejt do të dëshmohet empirikisht si e tillë. Ndonëse marrëveshja e arritur në shtator në Uashington mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë ishte një hap i dobishëm në raportin mes dy shteteve, opinioni publik ishte i atillë që konsideron se marrëveshja e arritur nuk ishte veçanërisht e favorshme për shtetin e Kosovës. Kjo vërehet edhe nëse analizojmë përmbajtjen e marrëveshjes e cila trajton të dyja shtetet me një lloj neutraliteti të theksuar. Në këtë kontekst, tashmë është bërë e qartë që është jashtëzakonisht joreale për popullin e Kosovës të presë një konkluzion tejet të favorshëm për Kosovën pa marrë parasysh pritjet nga një presidencë Biden. Marrëveshja, si episod i dialogut mes dy shteteve, konfirmon nevojën që të konstruktohet një narrativë realiste, pa tone nacionaliste mbi atë që Kosova duhet të dalë fituese në proces.

Konstruktimi i një narrative të tillë për shtetin e Kosovës gjen një lloj baze edhe mbi provat historike dhe politikën e ndërtuar deri më tani. Historia e deritanishme në politikë tregon që edhe konfliktet më të mëdha botërore është dashur të reduktohen në idenë e kompromisit. Në fakt, vetë Bashkimi Evropian si destinacioni i aspiruar nga Kosova dhe Serbia është i ndërtuar mbi parimin e kompromisit. Shtete si Franca dhe Gjermania është dashur të “mbulojnë” një të kaluar aspak të pëlqyeshme duke përqafuar kompromisin dhe vlerat e theksuara në Kushtetutën Evropiane si “të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit” me formimin e një mekanizmi mbikombëtar si Bashkimi Evropian. Pra, edhe Kosova dhe Serbia pashmangshmërisht do të kenë një konkluzion të tillë ku do të duhet të përqafohet një zgjidhje e mesme.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë përpjekjet për maksimizimin e rezultatit të marrëveshjes. Debati është divers dhe pritjet janë të shumta por qëndrimi më realist do të ishte që kjo marrëveshje do të duhet të jetë një kompromis që nuk do të favorizojë një palë të caktuar. Sa më herët, dhe sa më efektivisht që konstruktohet një narrativë e tillë, aq më mirë për Kosovën.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës