Mbrojtja përmes mohimit

Pozitë dhe opozitë gati përgjatë gjithë viteve 2010’ e aktronin rëndësinë e tyre dhe i jepnin zë ankesës shqiptare për privilegjet serbe ndërkohë që në terren Serbia shfrytëzoi absurditetin në fjalë dhe fitoi çdo betejë të mundshme duke i neutralizuar të gjithë zërat serbë që pranonin integrimin dhe Pavarësinë.

0
790

Në vitet e fundit të kohës së gjatë si opozitar, kryeministri i Kosovës e vlerësonte si më prioritar dialogun e brendshëm me serbët e vendit se sa dialogun politik me Serbinë. Madje – me të drejtë – e shihte si absurd turrin e qeveritarëve të atëhershëm për dialogun me Vučić-in pa bërë kurrfarë dialogu me serbët kosovarë. Nëse heqim nga ekuacioni raportin me dialogun e Brukselit, ideja e dialogut të brendshëm dukej jo vetëm dashamirëse por edhe e domosdoshme. Ama, kishte një problem: viti nuk ishte as 2008, as 2009 e as 2010 por 2019 e 2020.  

Dialogu i brendshëm ishte një tjetër shenjë e transformimit inkonsistent të Albin Kurtit. Një transformim që e shtyri të hiqte dorë prej “Shqipërisë etnike” duke besuar në “Kosovën multi-etnike”. Prandaj, përkundër inkonsistencës së këtij transformimi, ideja e ‘dialogut të brendshëm’ më ka shtyrë të besoj që kryeministri Kurti e ka seriozisht forcimin e shtetësisë. Pse? Serbët e Kosovës ishin subjekti qendror i proceseve dhe parimeve themeltare të shtetësisë: procesi i Kthimit (rëndësinë e të cilit e shohim te ekzistenca dydekadëshe e Ministrisë për Kthim [dhe Komunitete]), procesi i Integrimit (që ka ndërmend pakicën serbe, e më pas pakicat tjera etnike), multi-etniciteti (njësoj) dhe toleranca ndër-fetare (që nuk realizohet sikundër mendon shumica e kësaj shoqërie në urimet e ndërsjella për Bajram e Pashkë mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë por në bashkëjetesën mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë me të krishterët ortodoksë serbë dhe ku nuk ka sulme ndaj xhamive e kishave siç ka pasur gjatë këtij viti). Pra, kam besuar seriozisht që forcimi i shtetit të Kosovës bazohet në mposhtjen e influencës së Serbisë te serbët e prandaj kam besuar edhe te ky transformim.

Por, Vučić-i e ka kryer tashmë një dialog të tillë ‘të brendshëm’ me serbët kosovarë e i cili, sipas kundërvështrimit tim, s’ishte më shumë se një monolog absurd por me qëllime politike të cilat fatkeqësisht i ka arritur. Ndërkohë që sulmoheshin themelet e shtetit të Kosovës u mobilizuan serbët kosovarë edhe më shumë rreth etnisë së tyre e me këtë edhe rreth pushtetit të Vučić-it. 

Ndodhën zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kur Lista Serbe e kontrolluar nga Vučić-i do t’i merrte mbi 95% të votave të komunitetit serb e Nenad Rašić-i – ish partneri i Hashim Thaçit që u bë partner i Albin Kurtit e që e njeh Kosovën – do t’i merrte veç 0.diçka. Edhe zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 do të jepnin rezultat të ngjashëm, e në të cilat Rašić-i as s’do të përfshihej. 

Vučić-i me ‘monologun’ e tij, që e quante ‘dialog të brendshëm’, me serbët e Kosovës vodhi demokracinë e lirinë e tyre, por edhe çfarëdo mundësie që Kosova të kryente një proces të tillë që, siç thamë, është i domosdoshëm. 

Tash e një kohë të gjatë (në fakt prej nisjes së kohës për Kosovën si shtet) shqiptarët vazhdimisht janë ankuar e ankuar e ankuar se bashkëkombësit e tyre serbë po privilegjoheshin. Mes këtyre shqiptarëve nacionalistë ishte edhe Albin Kurti. E në anën tjetër, Hashim Thaçi me pushtetarët tjerë kishte mekanizmin defanziv të mohimit (denial) dhe s’e pranonin fillimisht as mundësinë e zhvillimit të një dialogu politik me Serbinë e as rëndësinë e njohjes prej këtij shteti, e për rrjedhë as rëndësinë që kishte integrimi i serbëve kosovarë dhe pranimi i pavarësisë prej tyre. 

Nuk pati kurrfarë projekti serioz me investime që synonte integrimin përmbajtësor. Gjithçka që u bë u bë për shkak të pafuqisë për të kundërshtuar gjendjen e vazhdueshme të mohimit si një mekanizëm mbrojtës që nuk mbrojti kurrgjë. 

Pozitë dhe opozitë gati përgjatë gjithë viteve 2010’ e aktronin rëndësinë e tyre dhe i jepnin zë ankesës shqiptare për privilegjet serbe ndërkohë që në terren Serbia shfrytëzoi absurditetin në fjalë dhe fitoi çdo betejë të mundshme duke i neutralizuar të gjithë zërat serbë që pranonin integrimin dhe Pavarësinë. Nuk pati veç ‘monolog’ të Vučić-it, por edhe rrahje, intimidime e madje edhe vrasje.  

Kurti pritet të marrë pjesë në dialogun e Brukselit qysh këtë muaj. Serbia lëre që nuk ka kërkuar falje e nuk ka paguar për dëmet e luftës por e ka shtuar ndjeshëm armiqësinë si rrjedhojë e forcimit të pozicionit të saj brenda Kosovës dhe e pozicionit të saj gjeostrategjik. 

Së fundi, pushteti i Kurtit pagoi rrymën e papaguar të serbëve të veriut – veprim të cilin e kishte kundërshtuar më herët. Opozita e sotme e përbërë kryesisht nga pushtetarë të djeshëm, nuk ngurroi ta sulmonte duke i përmendur qëndrimin e mëhershëm kundërshtues për çështjen. E kryeministri i sotëm, e opozitari i djeshëm, nuk ngurroi t’i kundërsulmonte duke iu përmendur veprimin e tyre të mëhershëm dhe kundërshtimin kundërthënës të sotëm. 

Situata është aq banale sa të bën t’i paragjykosh si të retarduar mentalisht përfaqësuesit tanë politik. Por, shpresoj dhe besoj që kjo nuk qëndron. Besoj që kemi të bëjmë thjesht me politikanë të mbetur mbrapa në kohë që edhe formën por edhe fuqinë e protestës e kanë si dega në Deçan e Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”. 

Edhe më së fundi, Manastiri i Deçanit u listua nga Europa Nostra mes 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë së kulturës në Evropë. Mediat serbe raportojnë për një operacion të titulluar “Kultet” nga Policia e Kosovës për shkak të rritjes së sulmeve ndaj objekteve fetare të serbëve. Policia i thotë mediave kosovare se këto sulme kanë ndodhur për motive të tjera, dhe jo për motive etnike apo fetare. E ndërkohë, krejt çka  bën kryeministri është t’i shkruajë letër organizatës Europa Nostra për ta protestuar vendimin derisa asnjë prej këtyre zhvillimeve s’përbën lajm nacional edhe pse do të përcaktojë fatin tonë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.