Me hapjen e zyrave në veri, qeveria shpreson t’i jepet fund strukturave paralele

Me hapjen e zyrave në veri të Kosovës, mbi 20 ministri e agjenci të qeverisë së Kosovës do të ofrojnë shërbime publike për qytetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në to do të punojnë mbi 480 persona, që dikur bënin pjesë në të ashtuquajturën “Mbrojtja Civile”.

0
973

Qeveria e Kosovës ka hapur zyrat e veta shtetërore edhe në veri të Kosovës, 17 vjet pas përfundimit të luftës. Zyrat e qeverisë qendrore të Kosovës, të cilat thuhet se kanë filluar punën më 28 dhjetor të vitit të kaluar në veri, janë zyra të Ministrive dhe agjencive shtetërore që kanë veprimtari lokale. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, duke folur për “New Perspektiva”, ka theksuar rëndësinë e këtyre zyrave dhe ka thënë se ky proces shënon edhe shtrirjen e konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit.

“Bëhet fjalë për mbi njëzetë ministri dhe agjenci të cilat do të ju japin shërbime publike qytetarëve dhe do të angazhohen për zhvillimin institucional te asaj pjese të vendit, të cilat për një kohë të gjatë për arsye të pengesave politike nuk kanë mundur të funksionojnë, dhe të cilat pengesa janë hequr përmes dialogut të Brukselit”, thotë ministrja Tahiri.

Hapja e zyrave, mbi bazën e marrëveshjes për shuarjen e “Mbrojtjes Civile”

Këto zyra janë hapur mbi bazën e marrëveshjes së 26 marsit të vitit 2015 për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishin dakorduar që t’i jepet fund kësaj strukture dhe të mundësohet integrimi i pjesëtarëve të saj në institucionet e Republikës së Kosovës. Marrëveshja parasheh edhe mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit e datës 26 mars 2015 ka mundësuar që Qeveria e Kosovës të shtrijë veprimtarinë e vet edhe në veri të vendit, dhe më datën 28 dhjetor janë hapur zyrat në Mitrovicën veriore ku në të njëjtin objekt janë vendosur edhe zyrat për komunën e Zveçanit, meqenëse janë afër me Mitrovicën”, ka thënë Tahiri. Në vazhdim do të hapen edhe zyrat në Leposaviq dhe Zubin Potok. Në bazë të përgatitjeve të bëra nga Ministria e Dialogut dhe Ministria e Administratës Publike, kjo do të bëhet gjatë janarit. Tahiri thotë se, si rezultat i marrëveshjes së lartëpërmendur, pas shuarjes së kësaj strukture ilegale me 11 janar 2016, ish pjesëtarët e saj janë punësuar në institucionet qendrore të Kosovës, përmes një procesi rekrutimi dhe trajnimi sipas ligjeve të Kosovës.

“Këta persona kanë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për punësim, kanë marrë lejet e njoftimit të Republikës së Kosovës, është bërë verifikimi i sigurisë së tyre nga organet kompetente të Kosovës dhe EULEX-it si dhe në bazë të kualifikimeve arsimore e profesionale janë punësuar në institucione”, ka theksuar Tahiri. Sipas saj, në panelet e rekrutimit kanë marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve që i kanë punësuar ata, dhe secili ka nënshkruar kontratën e punës në bazë të përshkrimit të punës për të cilën është punësuar. Ndërkaq trajnimet për njohje me administratën publike të Kosovës janë realizuar nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) dhe OSBE-ja. “Më e rëndësishme se kaq është fakti se gjithë këta persona të komunitetit serb kanë njohur dhe pranuar të punojnë në shtetin e Kosovës, duke braktisur punën në struktura paralele”.

Procesi i monitorimit,  sipas ligjeve të Kosovës

Për sa i takon koordinimit, secila ministri dhe agjenci ka caktuar nga një koordinator të cilët do të bëjnë koordinimin e punës së këtyre zyrave, ndërsa punonjësit do t’i japin përgjegjësi punëdhënësve të tyre, përkatësisht ministrive dhe agjencive ku janë punësuar. Ministrja Tahiri ka siguruar se procesi i monitorimit dhe llogaridhënies do të bëhet sipas ligjeve dhe rregulloreve administrative të secilit institucion. 

Siç dihet deri vonë, në katër komunat veriore, shërbime kanë ofruar organet paralele të Serbisë. Por me hapjen e zyrave shtetërore, Tahiri ka thënë se do të pushojë veprimtaria e këtyre strukturave.

“Po, hapja e këtyre zyrave u jep fund shërbimeve që kanë ofruar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, që është një zhvillim shumë pozitiv për veprimtarinë e shtetit në veri të vendit. Po aq me rëndësi janë faktet se në shumë fusha tjera janë mbyllur strukturat paralele në veri në bazë të  marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë këtyre gjashtë viteve të dialogut në Bruksel. Në të njëjtën kohë kemi shtrirë dhe konsoliduar sovranitetin shtetëror në fushat si policia, doganat, organet legale komunale, administrata tatimore, regjistrimi i bizneseve, kemi hapur zyrat e regjistrit civil për të pajisur me dokumente të shtetësisë etj. Në janar vendoset sistemi unitar i drejtësisë edhe në veri të vendit”, ka potencuar Tahiri. Ajo e ka cilësuar perceptim të gabuar se gjoja dialogu i Brukselit nuk po sjellë rezultate. “Ky percepcion nuk përkon me realitetin dhe nuk bazohet në fakte, sepse për t’i parë faktet duhet vizituar veriu dhe secili do të bindet se janë bërë ndryshime të mëdha në këtë pjesë të vendit dhe shteti funksionon në shumë fusha atje. Këto ndryshime i kanë sjellë Marrëveshjet e Brukselit”, ka insistuar Tahiri. Megjithatë ajo ka theksuar se e ka ende disa struktura paralele të mbetura, por të cilat do të shuhen para se të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas Tahirit, edhe veprimet, siç i quajti ajo, destruktive të Serbisë kohët e fundit me mur, bomba e fletëarreste si në rastin e Ramush Haradinajt tregojnë një nervozizëm të Serbisë për arsye të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. “Serbia ka menduar se mund t’i nënshkruaj marrëveshjet në Bruksel porse do ta pengojë zbatimin e tyre, mirëpo një gjë të tillë nuk ka mundur ta bëjë sepse Bashkimi Evropian si garantuese e marrëveshjeve nuk e ka lejuar lojën e Serbisë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se“siç e pamë të gjithë, hapja e zyrave të qeverisë në veri, më 28 dhjetor, ishte në pajtim me marrëveshjen  e Brukselit të cilën vet Serbia e kishte nënshkruar. Në vend se ta përshëndesin zbatimin e  marrëveshjes ata hodhën bombë, por kjo bombë nuk e ndali dhe as nuk do ta ndalë funksionimin e zyrave të qeverisë në veri, sepse ky proces i shtrirjes së sovranitetit shtetëror në veri po bëhet me marrëveshje dhe garanca ndërkombëtare”.

Numri i të punësuarve

Ministria që drejton Edita Tahiri, ka vënë në dispozicion edhe listën e institucioneve të cilat do të shtrihen në veri të Kosovës dhe numrin e atyre që do të punësohen. Në total do të jenë gjithsejtë 483 të punësuar. 

AGJENCIA PËR MENAXHIMIN E EMERGJENCAVE                      82 të punësuar

SHËRBIMI KORREKTUES I KOSOVËS                                     27

MINISTRIA E PUNËS DHE MIRËQENIES SOCIALE                    30

MINISTRIA E MJEDISIT DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR          32

MINISTRIA E ARSIMIT, SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË         32

MINISTRIA E BUJQËSISË, PYLLTARISË DHE ZHV. RURAL         8

AGJENCIA PËR ZHVILLIMIN E BUJQËSISË                              8

AGJENCIA PËR MBROJTJEN E PYJEVE                                   18

ADMINISTRATA TATIMORE E KOSOVËS                                15

MINISTRIA E SHËNDETËSISË                                              22

MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS                                        32

MINISTRIA E KULTURËS , RINISË DHE SPORTIT                   22

MINISTRIA E TREGTISË DHE INDUSTRISË                           26

MINISTRIA E ADMINISTRIMIT TË PUSHTETIT LOKAL             19

AGJENCIA E SHOQËRISË SË INFORMACIONIT                        7

AGJENCIA E STATISTIKAVE TË KOSOVËS                            10

AGJENCIA SHTETËRORE E ARKIVAVE                                   9

AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË                         6

DOGANA E KOSOVËS                                                        20

MINISTRIA E ADMINISTRATËS PUBLIKE                              13

MINISTRIA PËR KTHIM DHE KOMUNITETE                           21

MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK                                 18

AGJENCIA KADASTRALE E KOSOVËS                                   6