Mediat mbi “dokumentin” e “kornizës së re” për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

0
88

Në javën e tretë të shtatorit, mediumi Albanian Post (AP) publikoi një dokument disa-faqësh që, sipas tyre, përbënte “kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë”, që pretendohej të ishte përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në bisedimet Kosovë-Serbi.

Dokumenti prej katër faqesh, sipas AP, përmbante vizionin 10-vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe ofronte një “makro-perspektivë”, dhe i njëjti i ishte prezentuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vučić. Aty pretendohet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Albanian Post nuk e publikoi dokumentin e plotë, ndonëse pretendojnë ta kenë në posedim.

Fill pas këtij raportimi, Koha.net përcolli se në selinë e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel “nuk dëshirojnë t’i komentojnë raportimet e mediave në rajon për ekzistimin e një kornize të re për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, për të cilën ditëve të fundit kishte folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. 

Burimet diplomatike të Kohës në BE, në kushte anonimiteti, i kishin thënë asaj se “nuk janë në dijeni se ekziston ndonjë dokument në formën e shkruar për ndonjë kornizë të re në dialog”, por pranojnë se tash po flitet për një “qasje të re” apo “dinamike të re” dhe për një “strategji të re” në dialog.

Peter Stano, zëdhënës për Politikë të Jashtme dhe Siguri për Bashkimin Evropian, ia tha të njëjtën Prishtina Insight.

“Zakonisht, nuk komentojmë mediat që publikojnë dokumente të supozuara të BE-së, nuk komentojmë as autenticitetin dhe as thelbin, por në këtë rast, ajo që u publikua duke pretenduar të jetë “korniza e re për Dialogun” është krejtësisht e gabuar. Kurrë nuk kemi parë një letër të tillë më parë dhe nuk vjen nga ekipi i BE-së që merret me Dialogun”.

Ngjashëm, autorësinë e mohoi edhe qeveria gjermane në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express.

Në një intervistë për televizonin serb Prva, sekretari i ministrisë së jashtme të Serbisë, Nemanja Starovič, kishte thënë se “ajo çfarë u botua ishte një interpretim”. Këtë dokument ai e quajti të formës “non-paper” dhe “të padetyrueshëm”, megjithatë tha se “sigurisht që kjo përbën politikën magjisteriale të Berlinit dhe Parisit, në të cilën ata do të ngulin këmbë. Është mirë që kemi marrë këso pozicionesh të ngurta”.

Ndërkohë, në një intervistë për televizionin serb N1, eksperti i Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber, shprehu dyshime për vërtetësinë e dokumentit të publikuar, duke thënë se e sheh si shumë të dyshimtë origjinën e rrjedhjes së tij. 

“Unë do të pritja që ata të botonin të tërë tekstin, ata vetëm kanë publikuar një draft, që duket si non-paper. P.sh. thotë se Serbia do të shpallet si lider rajonal, ashtu nuk bëhet, asnjë vend s’mund të shpallet me atë status. Unë dyshoj që ne vërtetë kemi lexuar një propozim. Është e qartë që disa pika janë reale, që mbase do të gjendeshin në ndonjë propozim nëse ai ekziston për hapat e ardhshëm”, ka thënë Bieber.

Në një konferencë, disa ditë më vonë, kryeministri Kurti tha se dokumente të tilla pa autorë bëhen për ta matur pulsin e qytetarëve.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por besoj që nuk është as e dobishme, as e drejtë që unë t‘i komentoj ato dokumente që nuk kanë autor, por bëhen për të matur pulsin e qytetarëve dhe politikanëve. Dialogu ku unë marr pjesë janë ato bisedimet e takimeve në Bruksel dhe vetëm atje dokumentet që prodhohen duhet t’i merrni si zyrtare dhe të denja për t’u komentuar nga ana ime dhe juaja. Nuk është mirë që të bëjmë komente për dokumente autori i të cilit nuk dihet”, ka thënë Kurti.

Analisti Agon Maliqi, në një postim në Facebook, shkroi se dokumente të tilla “synojnë të masin pulsin dhe shpërndahen kësisoj edhe për shkak se mund të mohohen”. Sipas tij “gjithçka mbetet te kredibiliteti i mediave se si e vlerësojnë besueshmërinë e burimit dhe nëse e interpretojnë dokumentin saktë dhe sinqertë”.

Disa ditë më vonë, presidenti Vučić tha se gjatë vizitës në Beograd të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčak, atij iu ofrua një dokument, por ai refuzoi që ta pranonte.

“Të them se gjithçka e publikuar [në portalin AlbanianPost] është e saktë, nuk mundem. Nuk më kujtohet gjithçka që ishte shkruar në ato katër faqe. E kam ditur se nuk duhej ta pranoja atë dokument”, tha Vuçiq, duke thënë se pala serbe nuk e ka nxjerrë në publik këtë dokument.

Albanian Post, shkroi se Vučić, e kishte “pranuar edhe njëherë se e ka parë kornizën e re të dialogut për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post”. Teksa linte të nënkuptonte se Vučić kishte pranuar edhe më herët se e kishte parë kornizën e publikuar, AP i referohej deklaratave të Vučićit me 10 shtator, ku tha se “diplomatët evropianë kanë propozuar ‘kornizë të re’ për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.