Mediat mbi takimin Kurti-Vučić në Berlin

0
117

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vućič, u takuan më 4 maj në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar.

Pas takimit, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčak, shkroi në Twitter:

“E mirëprita mundësinë për një darkë joformale diskutimesh rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vućič në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimet në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj.”

Ky takim erdhi pas takimeve të ndara që i zhvilloi kancelari gjerman, Olaf Scholz, me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vućič, në Berlin, në po të njëjtën ditë. Pas takimeve, Scholz tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie “të madhe” për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.

Duke folur pas takimit me Kurtin, Scholz tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve. Ai tha se marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen reciproke.

“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, që u hap të dyja vendeve perspektivën për [anëtarësim në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz.

Kurti tha se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave me Serbinë.

Nga ana e tij, Vućič tha se Beogradi do të bëjë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës. Sipas agjencise serbe të lajmeve, Tanjug, Vućič në takim me Scholz-in kishte premtuar se Serbia nuk do të jetë gjenerator i asnjë problemi në Bosnjë e Hercegovinë; kjo, sipas tij, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Para se të mbaheshin, këto takime ishin komentuar edhe nga gazetarë e njohës të dialogut si një shenjë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të rinisë.

Radio Evropa e Lirë sugjeroi se ky takim mund të ishte një mundësi për të përmirësuar atmosferën në kuadër të dialogut dhe për ta bërë të mundur edhe ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Në një përmbledhje opinionesh, KOHA sugjeroi se përmes këtyre takimeve “synohej zhbllokimi i dialogut”. Sipas korrespondentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, këto takime ishin mundësi që Lajçaku ta përmirësojë atmosferën e t’i krijojë rrethanat për bisedime të nivelit të lartë edhe në Bruksel.

“Është e rëndësishme, sidomos për të dërguarin Miroslav Lajçak, që të organizohet nesër [4 maj] edhe takimi i përbashkët i kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, qoftë edhe si një darkë joformale. Kjo, pasi në Bruksel është e pamundur që të organizohet në këto rrethana një takim i tillë. Vetë shefi i z. Lajçak, përfaqësuesi i lartë Josep Borrell kishte thënë se Bashkimi Evropian nuk do t`i ftojë këta liderë në kuadër të dialogut, nëse nuk ka sinjale të qarta se në takime të tilla nuk do të ketë marrëveshje konkrete”, tha Palokaj.

Si përpjekje për zhbllokimin e dialogut, takimet në kryeqytetin e Gjermanisë, i kishte parë edhe gazetari i Deutsche Welle-s, Bahri Cani.

“Ajo që mund të presim është përfundimisht pra fillimi i një procesi serioz në vazhdimin e dialogut e ajo do të fillojë pra qysh nesër me takimin e përbashkët me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, dhe ky është një hap që është pritur pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi, ku presidenti Vućič prapë ka fituar një mandat të ri”, tha Cani.

Pas takimit, analisti Agon Maliqi ka thënë se nga takimi i 4 majit në Berlin nuk ka parë gatishmëri për përshpejtimin e procesit drejt arritjes së një marrëveshjeje. Maliqi u shpreh i bindur se ulja përreth një tavoline e Kurtit dhe e Vućičit është bërë “për t’ia bërë qejfin” Gjermanisë.

Ndërkohë, për Tanjugun, ish i dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Wolfgang Petritsch, kishte thënë se takimet shpërfaqin synimin e Gjermanisë për parandalimin e hapjes së një fronti të ri.

“Fakti që kancelari Scholz e ka marrë nismën që t’u përkushtohet çështjeve të hapura në Ballkan, për qëllim ka zgjidhjen e problemeve në të cilat Moska mund të shfaqë interesim. Nëse lufta në Ukrainë kundrohet si konflikt evropian, gjë që edhe është, atëherë duhet analizuar çështjet e hapura në territorin e kontinentit evropian, duke tentuar zgjidhjen e tyre, përkatësisht të paktën të pengohet përshkallëzimi”, tha Petritsch.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, të nesërmen e takimit tha se në darkën jozyrtare të 4 majit në Berlin, kishte mbrojtur interesat shtetërore, duke vënë përpara kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës. Ai kishte njoftuar se në atë takim jozyrtar ishte diskutuar për takimin e 13 majit midis palëve kosovare dhe serbe në Bruksel, ku u diskutua për marrëveshjen e përhershme sa u përket targave të automjeteve dhe për çështjen e mospagesës së rrymës në veri të Kosovës.

Për këtë takim, më pas, deputetë opozitarë kërkuan që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend për përmbajtjen e diskutimeve. PDK-ja dhe AAK-ja thanë se takimi i kryeministrit Kurti me presidentin Vućič në Berlin është vazhdë e takimeve rutinë, e më pak dobiprurëse për shtetin e Kosovës.

Dy ditë pas takimit, në një konferencë për media, Vućič tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pothuajse inekzistent.

“Sa i përket dialogut me Prishtinën, pothuajse ky dialog nuk ekziston. Kishim tentim që ky dialog të nisë në Berlin, por zotërinjtë nga Prishtina nuk e kanë dashur këtë dialog dhe në Berlin kanë dashur të bëjnë një deklaratë të përbashkët, por nuk pranuan që të ishte shkruar Prishtinë-Beograd”, ka deklaruar presidenti serb.