Mes sovranitetit dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar

Përpjekjet e Kosovës për të konsoliduar shtetësinë në mënyrë të koordinuar me faktorin ndërkombëtar përforcohen edhe nga mungesa e qartë e koordinimit mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në proces të ndërmjetësimit të çështjes së dialogut.

0
380

Një element ndoshta jo gjithmonë i dukshëm sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është edhe dilema e shteteve për të ushtruar sovranitetin e tyre dhe në anën tjetër për të qenë në përputhshmëri me kërkesat e faktorit ndërkombëtar. Duhet patur parasysh që kjo dilemë ka qenë më e theksuar te shteti i Kosovës për shkak të sovranitetit të brishtë gjer më tani. Megjithatë, shikuar deri më tani, mund të konsiderojmë që shteti i Kosovës e ka mundësinë që të bëjë përpjekje që deri në masë të caktuar të ruajë sovranitetin pasi ndikimi i faktorit ndërkombëtar deri tani është dëshmuar i debatueshëm.

Fillimisht, shikuar situatën edhe në mënyrë normative, shteteve u takon dhe duhet ta ushtrojnë sovranitetin e tyre si një nga parimet themelore të shtetësisë. Në këtë kontekst, nuk paraqet gabim nëse shteti i Kosovës vazhdon të punojë konform procesit të fuqizimit të shtetësisë me kusht që një gjë e tillë nuk paraqet një veprim të atillë që kundërshton haptazi faktorin ndërkombëtar kur kemi parasysh rolin e këtij të fundit në procesin e dialogut por edhe në përpjekjet e Kosovës për integrim. Intervenimi i fundit në Veri nga ana e Qeverisë Kurti, ndonëse në fillim i kundërshtuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, më pas gjeti një lloj pajtueshmërie nga ana e vetë Borrell-it por edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Deklarata e përbashkët e dy zyrtarëve thekson që ata “kanë mirëpritur dhe mbështetur angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar,” duke iu referuar aksionit të fundit në veri të vendit, ndonëse pa e përmendur specifikisht. Në këtë kontekst, ushtrimi i sovranitet del të jetë i pranueshëm nëse nuk shkon së pari kundër parimeve të procesit të dialogut.

Më tej, ushtrimi i caktuar i sovranitetit nga ana e shteteve në këtë fazë mund të legjitimohet edhe nga fakti se vetë ndikimi dhe ndërmjetësimi i faktori ndërkombëtar është dëshmuar si i debatueshëm. Kjo, për faktin se procesi i dialogut dhe rrjedhimisht edhe përpjekjet e shtetit kosovar për integrim kanë shkuar shumë ngadalë dhe gjer më tani nuk kemi një ide për mënyrën se si do të rrjedhë një proces i tillë. Për më tepër, edhe thirrjet për të treguar konstruktivitet nga ana e faktorit ndërkombëtar kanë hasur në vesh të shurdhër (siç ishte çështja e lobimit të Serbisë për çnjohjen e shtetit kosovar). Pra, aspiratat e Kosovës për të forcuar shtetësinë aty ku është e mundur janë krejtësisht legjitime përderisa ato nuk përfaqësojnë përpjekje direkte për të minuar shtetësinë e palës tjetër apo për të vepruar në mënyrë të tillë që shpreh tendencë për të destabilizuar situatën në Ballkan.

Përpjekjet e Kosovës për të konsoliduar shtetësinë në mënyrë të koordinuar me faktorin ndërkombëtar përforcohen edhe nga mungesa e qartë e koordinimit mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në proces të ndërmjetësimit të çështjes së dialogut. Ndërlidhur me këtë mungesë harmonizimi mes BE-së dhe SHBA-ve si shembull mund të ofrohet vetë rasti i lartpërmendur i intervenimit të z. Kurti në Veri. Më saktë, z. Borrell ndryshoi mendim vetëm pas ndikimit nga ana e z. Blinken. Ky lloj i mungesës së harmonisë mes BE-së dhe SHBA-së ka bërë që procesit të dialogut t’i mungojnë konsistenca dhe pritjet e qarta mbi sjelljet e shteteve. Kjo mungesë harmonie mes vetë faktorit ndërkombëtar dëmton legjimitetin e tyre si ndërmjetësues dhe rrjedhimisht edhe arsyeton përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë që në raste të caktuara të mos jenë të varura nga aprovimet e jashtme.

Natyrisht, shteti i Kosovës duhet të veprojë në atë mënyrë që mund të perceptohet si konstruktive në procesin e dialogut dhe kjo shpesh nënkupton në harmoni me faktorin ndërkombëtar. Megjithatë, edhe rastet kur shteti i Kosovës ka tendencë të shprehë vullnetin për të theksuar sovranitetin janë të pranueshme pasi jo rrallë herë faktori ndërkombëtar ka lënë hapësirë për skepticizëm sa i përket efektivitetit të ndërmjetësimit nga ana e tyre dhe mbi të gjitha është legjitime që shtetet të punojnë për të ushtruar sovranitet dhe për të forcuar shtetësinë e tyre.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.