Mexha në luginë

Ndërsa Beogradi po përpiqet me këmbëngulje të paraqesë projektin "Lugina e Diellit" si një nevojë reale nga ana tjetër zyrtarët e Prishtinës përpiqen ta paraqesin atë si kolonizim të veriut të Kosovës nga ana e Serbisë.

0
1180

Ndërsa Beogradi po përpiqet me këmbëngulje të paraqesë projektin “Lugina e Diellit” si një nevojë reale nga ana tjetër zyrtarët e Prishtinës përpiqen ta paraqesin atë si kolonizim të veriut të Kosovës nga ana e Serbisë.

Jemi mësuar kaherë që pothujse asgjë në Kosovë nuk mund të kalojë pa u politizuar dhe pa u krijuar afera mediale ashtu që bile edhe në masën më të vogël të fitohen poena politik apo të krijohet një klimë e mosbesimit dhe mostolerancës. Thuajse dikujt si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë nuk i përgjigjet që në këto hapësira më në fund të vijë deri tek qetësimi i pasioneve dhe arritja reale e mirëkuptimit nga të dyja palët.

Një prej këtyre shembujve është natyrisht edhe projekti për lagjen për të kthyerit “Lugina e Diellit”. Ndërsa Beogradi po përpiqet me këmbëngulje të paraqesë këtë projekt si një nevojë reale nga ana tjetër zyrtarët e Prishtinës po përpiqen ta paraqesin atë si kolonizim të veriut të Kosovës nga ana e Serbisë. Më duhet të pranoj se asnjëra nga palët për këtë rast nuk më ka ofruar argumente të mjaftueshme për të besuar në qëndrimet e tyre. Ndonëse ky është mendimi im personal, pa ndonjë qëllim që të ndikoj mbi këdo.
Siç e kam bërë këtë shumë herë, pothuajse të gjitha kontestet e këtij lloji po përpiqemi që t’i shikojmë me kujdes nga të dy anët ashtu që nga njëra anë i shikojmë argumentet e Beogradit e nga ana tjetër argumentet e Prishtinës.
Derisa Beogradi për projektin e përmendur pohon se është një nevojë reale dhe që paraqet një zgjidhje të pjesshme të problemit të kthimit në hapësirën e Kosovës, shtrohen një mori pyetjesh në të cilat besoj askush nuk ka përgjigje, apo ndoshta ato përgjigje nuk janë për publik. Por gjithsesi, njëra palë ka hyrë në projekt në një mënyrë që nuk është aspak e qëndrueshme për shumë arsye. Zyra për Kosovë dhe Metohi në cilësinë e financuesit të projektit e ka iniciuar projektin pa të gjitha lejet e nevojshme të lëshuara nga ana e institucioneve të R. së Kosovës edhepse ka kontrata të obligueshme se do të respektojë ligjet që janë në fuqi në terren, e ato në këtë moment janë ligjet e Republikës së Kosovës.

Duhet të theksojmë që qëllimi i projekti nuk është vetëm përkujdesja për të zhvendosurit dhe kthimi i tyre; si një nga problemet të cilin ky projekt do të duhej ta zgjidhte është edhe përkujdesja për banim për çiftet e martuara të moshës së re të cilët ende nuk e kanë zgjidhur këtë çështje. Meqenëse projekti po realizohet në territorin e komunës së Zveçanit, a do të thotë kjo zhvendosje e çifteve të martuara të moshës së re nga komunat tjera sepse është thënë që të gjithë do të kenë shanse të njëjta pa marrë parasysh se nga cila komunë vijnë? Tingëllon joreale sido që ta shikojmë këtë. Do të kishte qenë më e thjeshtë që një numër i caktuar i shtëpive të ndërtohet në komunat ku tashmë jetojnë këto çifte të reja ashtu që të shmanget migracioni brenda për brenda Kosovës. Për këtë duket se nuk ka menduar askush kur ka formuluar synimet e projektit. Sidoqoftë do të shohim se si do të rrjedhin gjërat në terren sepse projekti fizikisht ende nuk është inicuar e deri atëherë mbetet të përballen qëndrimet vetëm me argumente.

Nga ana tjetër, institucionet në Prishtinë dhe zyrtarët e tyre e kanë një qëndrim të pabazuar, thënë më së buti. Derisa nga njëra anë dëgjojmë deklarata se procesi i kthimit të të zhvendosurve duhet të vazhdojë dhe se duhet të rritet intensiteti i këtij kthimi, nga ana tjetër secili projekt në këtë drejtim karakterizohet si kolonizim dhe ndikim i Serbisë në gjendjen në Kosovë. Le të qartësojmë një gjë, nocioni i kolonizimit nënkupton popullimin me banorë në një territor të caktuar e që gjatë kësaj ata banorë kurrë nuk kanë jetuar në atë hapësirë e me qëllim të ndryshimit të strukturës demografike apo arritjes së qëllimeve të tjera politike. Projekti i përmendur nuk e plotëson asnjë kriter nga ky definicion. Pikësëpari, banorët e ardhshëm të “Luginës së Diellit” do të jenë persona me status të refugjatit apo personit të zhvendosur nga Kosova, dmth ata vetëm se janë banorë të Kosovës apo janë zhvendosur prej aty, kështu që menjëherë nocioni i kolonizimit humb kuptimin. Kurse si pikë e dytë, me këtë projekt nuk çrregullohet struktura demografike sepse në hapësirën ku është planifikuar ndërtimi i lagjes serbët edhe ashtu janë banorë shumicë. Kështu që edhe ky segment i dytë i definicionit për çrregullimin e gjendjes demografike apo arritjes së qëllimeve politike apo çfarëdo qëllimi tjetër po ashtu e humb kuptimin.

Natyrisht se është e qartë për të gjithë që përmendja e përditshme e këtij projekti nëpër media ka për qëllim vetëm që edhe njëra edhe pala tjetër të mbledhin poena politik, natyrisht secila në mënyrë të vet, por mbeten shumë pyetje. A do të realizohet projekti dhe në çfarë mënyrë? A do të kenë përkujdesje për banim ata persona që e meritojnë këtë apo kjo do të caktohet në bazë të përkatësisë apo përshtatshmërisë politike sikur në disa projekte tjera? E një pyetje sa i përket kundërshtimi të institucioneve të Prishtinës në lidhje me projektin shtrohet si në vijim: a është Prishtina e sinqertë kur flet për kthimin e të zhvendosurve, sepse në praktikë shohim që nuk është bërë asgjë në këtë fushë, si për sa i përket kthimit ashtu edhe në mbrojtjen e atyre që tashmë janë kthyer. Më mirë të jesh i sinqertë se sa të gënjesh edhe veten edhe të tjerët sepse nëse Kosova, si edhe të gjitha vendet tjera të regjionit, gjendet në të ashtuquajturën rrugë evropiane, këtë çështje do të duhet ta zgjidhë e deshi këtë ajo apo jo para se të bëhet pjesë e familjes evropiane. Sjellja në lidhje me projektin “Lugina e Diellit” po e tregon vetëm të kundërtën kështu që çështja e sinqeritetit të Prishtinës mbetet e vetmja në të cilën duhet të jepet përgjigje në këtë moment.